Lajme

Të heqësh dorë nga qeverisja

Ndërsa Shqipëria dhe bota përballet me një krizë që mund të vijojë me vite dhe të bllokojë zhvillimin normal ekonomik dhe të rrisë varfërinë, qeveria shqiptare duket se ka zgjedhur opsionin më të lehtë: të heqjes së përgjegjësisë nga të qeverisurit.

Ndërsa nafta vajti 240 lekë për litër dhe energjia elektrike e importuar është shtrenjtuar e pritet të qëndrojë e shtrenjtë edhe për shumë dhe shumë muaj, një qeveri normale duhet të mendojë se si të minimizojë pasojat e këtyre ndryshimeve dramatike, së paku në terma afatshkurtër, për të shpëtuar sadopak ekonominë e vendit. Përkundrejt kësaj, qeveria shqiptare e kryeministrit Edi Rama duket se deri më sot ka vendosur të mos bëjë asgjë. Nuk ka rritje të çmimit të energjisë elektrike, tha, “do ta paguajë buxheti”, dhe nuk ka ulje të taksave të naftës, tha, sepse nuk do t’i ulë.

Në fakt ka plot gjëra që një qeveri mund të bëjë për të mos lejuar që ekonomia të dëmtohet me tepri nga kriza, përfshirë buxhetin e shtetit që do të dëmtohet nga importi i dritave dhe konsumi i përgjithshëm i popullsisë që do të dëmtohet nga kostoja e lartë e naftës. Dhe mbi të gjitha, ka ca gjëra që një qeveri mund të bëjë qoftë edhe për të menaxhuar një tranzicion më gradual nga një ekonomi me çmimet aktuale në një ekonomi me çmime më të larta.

Ndërhyrja e parë mund të jetë propagandistike, atë që Rama pretendon se di ta bëjë mirë. Ndërsa çmimi i energjisë së importuar ka arritur në dyfish apo trefish të çmimit që familjet paguajnë sot për sot, një thirrje drejtuar popullsisë së gjerë për t’u treguar të përgjegjshëm në konsumin e energjisë është diçka pa kosto, e cila mund të sjellë ose jo përfitim. Nuk ka ndonjë kosto t’i këshillosh qytetarët të vendosin lavatriçen në program të shkurtër në vend të programit të gjatë, apo në temperaturë të ulët në vend të temperaturës së lartë. Por natyrisht që një ndërhyrje e tillë kërkon autoritet moral nga ana e qeverisë, të cilin, Rama, për shkak të perceptimit të gjerë të popullsisë si drejtues i një qeverie të korruptuar, nuk e ka. Natyrisht që përveç ndërhyrjes propagandistike, qeveria e ka në dorë të rivendosë, së paku përkohësisht, një çmim më të lartë diskurajues për konsumin e tepërt të energjisë nga familjet, fjala vjen, duke vendosur tarifë të dytë për kilovatorët e konsumuar mbi 500 kWh në muaj. Një tarifë e tillë nuk do ta rëndojë familjen shqiptare në mënyrë të paarsyeshme por njëkohësisht do të ndihmojë në mosrëndimin e buxhetit të shtetit, i cili, ndonëse Rama në mënyrë të përsëritur duket se e konsideron si buxhet të tijin personal, vijon të mbetet një buxhet i financuar nga puna e qytetarëve. Është shumë e arsyeshme të thuash që, nëse Shqipëria ka nevojë të importojë një të tretën e energjisë së konsumuar me çmim, fjala vjen, 300 euro për mWh, atëherë qytetarëve t’u kërkohet që këtë pjesë të energjisë ta paguajnë, ndoshta jo 30 cent për kWh, por ama as kaq sa paguhet aktualisht, 12 cent për kWh. (Në fakt 300 euro është një ekzagjerim. Çmimi i gazit në Evropë, i cili shërben si tregues indirekt për energjinë elektrike, këto ditë, ka arritur në 200 euro për MWh, niveli i nëntorit të kaluar.)

Lexo më shumë  Kurti: Qeveria, e gatshme t’i adresojë shqetësimet e mediave

Gjatë tre viteve të fundit, Shqipëria ka pasur një deficit mesatar në sektorin e energjisë elektrike në pasën 15% të konsumit, ose afërsisht 1.3 miliardë kWh. Në rast se kjo sasi energjie kushton 300 euro për MWh, atëhere nevojitet që çmimi i energjisë së faturuar për konsumatorin të rritet me 15% apo 20% në total ose rreth 15% e energjisë së faturuar të faturohet me çmim 2.5 herë më të lartë se ai ekzistues. Logjika ta do që çmimi diskurajues për konsumin është ndërhyrje me më pak dëme për ekonominë dhe mirëqenien e njerëzve se sa rritja e çmimit për të gjithë sasinë e konsmuar apo rëndimi i buxhetit të shtetit me fatura energjie të subvencionuara. Natyrisht që zgjidhja më e arsyeshme është të gjehet shkaku se pse humbjet në Shqipëri janë 20% e energjisë së hedhur në rrjet nga 2-5% që janë në vende normale. Por kjo natyrisht kërkon që të shihet se si menaxhohet OSHEE dhe se pse, menaxhimi i ndërmarrjeve publike si zyra partiake nuk funksionon. Me pak fjalë, nëse vendi do të kishte menaxhim profesional të sektorit të energjisë, do ta shihnim çmimin e lartë të energjisë në Evropë sot si çështje kurreshtjeje, e cila nuk na prek fare.

Ndërsa te çmimi i karburanteve, ndërhyrja e qeverisë nuk është thjeshtë në interes të qytetarëve. Ajo ma ha mendja është edhe në interes të qeverisë. Ndërsa çmimi i naftës rritet me, fjala vjen, 50%, kjo nuk do të thotë që qeveria do të rrisë të ardhurat e saj nga taksimi i naftës me 50% për shkak se konsumi i karburantit ka gjasa do të ulet. Dhe jo vetëm kaq, por ndërsa qytetarët do të duhet të shpenzojnë më shumë për konsumin e domosdoshëm të karburantit, atyre do t’u duhet të kursejnë në shpenzime për mallra dhe shërbime të tjera, duke i dhënë udhë një fenomeni të zbuluar nga Milton Friedman në një krizë tjetër nafte, të shkaktuar nga një luftë tjetër pesëdhjetë vjet më parë. Në atë rast, stragflacioni nënkuptoi recesion ekonomik dhe rritje çmimesh, një goditje e dyfishtë e ekonomisë. Në kushtet kur konsumi ulet dhe prodhimi rritet dhe çmimet mbeten të larta, të ardhurat e buxhetit të përbashkët dhe jo të Ramës, bien gjithashtu.

Lexo më shumë  Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani në Kosovë, dalin statistikat sipas komunave

Për rrjedhojë, logjika ta do që qeveria ka mundësi që, duke qenë se çmimi i naftës është rritur, dhe taksat për çdo litër naftë janë rritur, qeveria ka në dorë që, me një votim në parlament, të mund të korrektojë pjesërisht taksat dhe rrjedhimisht çmimin. Kjo nuk do të thotë që nafta të kushtojë 180 lekë për litër siç kushtonte më parë, por, përmes disa ushtrimeve të stërholluara ekonometrike, mund të gjendet se cila do të jetë barra e duhur fiskale, pika në të cilën konsumi nuk ulet me tepri dhe të ardhurat e qeverisë nuk bien me tepri, por ndërkohë çmimi i naftës për konsumatorët nuk rritet me tepri dhe më e rëndësishmja, nuk rritet menjëherë, por gradualisht. Në vendet e zhvilluara, ndërhyrje të tilla në zbutje të çmimit bëhen përmes mekanizmit të rezervave të naftës. Janë sasi nafte të cilat shtetet i blejnë dhe i rinovojnë rregullisht me qëllim që, në rast krize, t’i hedhin në treg për të zbutur pasojat e krizës. Shqipëria nuk ka rezerva nafte sepse shteti i ndërtuar nga Rama dhe paraardhësit e tij nuk ka parë si të leverdisshme pasjen e një shteti normal. Dhe në mungesë të kësaj, ndërhyrja te barra e taksës së karburanteve është politika e vetme në dispozicion.

Natyrisht që të mos bërit gjë është më kollaj. Në skenarin më të keq, deficiti i OSHEE dhe i buxhetit të shtetit për import energjie elektrike do të rritet ndërsa të ardhurat e qeverisë nga taksimi i karburanteve do të bien, pavarësisht se qytetarët do të vijojnë të paguajnë 240 lekë për litër. Në një skenar të mesëm, deficiti nga importet e shtrenjta të dritave do të mbulohet nga rritja e të ardhurave të buxhetit nga çmimi më i lartë i naftës. Ndërsa në një version optimist, të ardhurat e buxhetit nga rritja e çmimit të naftës do të mbulojnë njëkohësisht kostot e energjisë së shitur me subvencionim duke i lënë qeverisë edhe ca para shtesë për të kontraktuar rrugë që nuk të shpien asgjëkundi apo tunele që shemben vazhdimisht./birn/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *