Opinion/Aktualitet

Të barabartë në pabarazi

Nga Veton Surroi

Mirë se vini në “Open Balkan”, por ndërroni targat e veturës suaj

1.

E kam të qartë se çka heqin në këtë moment shoferët nga Serbia që hyjnë në Kosovë me veturat e tyre. Sado ta kenë matur rrugën në Google maps, do t’ju dalë së paku gjysmë ore ose më shumë më e gjatë. Do të ndalen në kufi – pas njëzet e dy vjetësh përsëritjeje propagandistike se është një “vijë administrative”, emër gjenerik për “kufi”- dhe do të detyrohen që targat e veta t’i heqin e në xham të veturës të vendosin targa të përkohshme, pasi të kenë paguar për to pesë euro.

E kam të qartë, sepse herën e parë që isha në Serbi pas luftës e njëjta gjë ndodhi me veturën e Ministrisë së Kulturës, e cila më çonte në një manifestim kulturor që kishte lejen edhe të pushtetit në Beograd. Shoferi u detyrua t’i hiqte targat e Kosovës, t’i vendoste ato të përkohshme të Serbisë dhe me këtë akt të dukej sikur pranonte një porosi ceremoniale të cilën e kishte vendosur Serbia ndaj Kosovës që pas çlirimit të vendit e pastaj edhe pavarësimit të tij: ju mund të hyni, por nuk jeni të barabartë.

E pashë të hënën një incizim në TV që duhej t’ua kishte hapur sytë qytetarëve të Serbisë. Në të, një pronar i një veture të Beogradit i heq targat e tij dhe i vendos në xham ato të përkohshme të Kosovës, ndërsa afër tij pa fije problemi kalon një veturë me targa të Ukrainës, ma merr mendja rrugës për në Shqipëri. Porosia për pronarin e veturës së Beogradit është e njëjtë me atë të veturës me të cilën hyra unë në Serbi para disa vjetësh: mund të hysh, por nuk je i barabartë, siç shihet edhe me veturën ukrainase.

2.

Prej të hënës së kësaj jave jemi të barabartë; ne shoferët e të dy anëve të kufirit do të duhet t’i heqim targat e veturave tona dhe t’i ndërrojmë me disa të shtypura në përkohësinë e letrës për të treguar edhe kështu se janë të përkohshme. Do të vonohemi në të dyja anët e kufirit në procedura kafkiane të regjistrimit të të dhënave tona personale, sikur ato të mos ishin të futura tashmë në dokumentet tona biometrike. Krahasuar me ukrainasin, holandezin dhe polakun që do ta bëjnë aktin e kalimit pa ua prekur targat, ne do të jemi të pabarabartë. Por, ne qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë do të jemi të barabartë në pabarazinë tonë. Do të jemi njësoj të pabarabartë, shtetas të Kosovës e Serbisë, ndaj shtetasve të tjerë.

Lexo më shumë  Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!

Dhe ndoshta kështu mund ta kuptoj derdhjen emocionale të presidentit Vuçiq ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për zbatim të reciprocitetit në qarkullimin e targave automobilistike. Në një moment sinqeriteti ndaj vetes ai tha se Serbia mund t’ua heqë targat kosovarëve sepse është shtet anëtar i OKB-së, ndërsa Kosova nuk mund ta bëjë këtë me veturat e Serbisë, sepse nuk është anëtare e OKB-së.

Në fakt, targat nuk kanë të bëjnë asgjë me OKB-në. Në Serbi hyjnë vetura me targa të KFOR-it e të BE-së, që nuk janë anëtare të OKB-së e as që aspirojnë të jenë. Autoritetet që lëshojnë targa si Hong-Kongu, Tajvani e Autoriteti Palestinez nuk janë anëtare të OKB-së, por me to mund të udhëtohet gjithandej. Targat janë dëshmi e një autoriteti për validitetin juridik të automjetit e të pronarit të tij – kaq.

Por problemi i presidentit Vuçiq nuk është validiteti juridik i veturës dhe i pronarit, problemi është që, sipas tij, autoriteti i Kosovës nuk është i barabartë me atë të Serbisë për ta bërë emetimin e targave, rrjedhimisht për aftësinë për të qenë garantues juridik.

Dhe argumenti i tij has në kundërshtim me një argument tjetër të tij. Ai thotë se targat “KS” janë në rregull, por jo ato ”RKS”, me çka tash nuk e kontestuaka autoritetin juridik (pra Kosova ka të drejtë të emetojë targa), por i kontestuaka formën dhe përmbajtjen e targës.

E tëra për të thënë një gjë të thjeshtë: ju nuk jeni të barabartë me mua. Në kufi, sipas presidentit Vuçiq, është normale që të keqtrajtohet qytetari i Kosovës me veturën e tij, por nuk është aspak normale që kjo t’i ndodhë qytetarit serb, i cili duhet të jetë sipëror.

3.

Dhe, ndonëse argumenti i presidentit Vuçiq, se nuk jemi të barabartë, nuk e fsheh realitetin e pabarazisë së përbashkët nga kjo e hënë, kur në të dyja anët e kufirit duhet t’i heqim targat, ky argument ia vlen edhe për të shpjeguar se si një projekt madhor e ka të vështirë të sendërtohet nëse premisa themelore e tij është pabarazia.

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

Presidenti Vuçiq është shndërruar tashmë në kampionin më të madh të “Open Balkan”, Ballkanit të hapur, që dikur quhej Mini-Shengen dhe që duhej të siguronte që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jetonin në një hapësirë të katër lirive evropiane. Sipas synimeve të “Open Balkan”, shtetet e regjionit duhet të anulojnë kalimet e veta kufitare më 2023, pa marrë parasysh se çfarë ndodh me integrimet evropiane. Në fjalët e presidentit Vuçiq, qytetarët e Serbisë më 2023 mund të shkojnë në Shqipëri pa u ndalur në çfarëdo kufiri. Dhe, ndonëse kjo mund të bëhet e mundur nëse Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia heqin kalimet kufitare mes tyre, kjo nuk do të vlente për një qytetar të Serbisë që do të hyjë në Shqipëri nga Mali i Zi apo Kosova.

Politika e presidentit të Serbisë në këtë aspekt është ajo e mbajtjes së dy besimeve të kundërta: se është i mundshëm Ballkani i hapur dhe se është e mundshme marrëdhënia e pabarazisë mes Kosovës e Serbisë.

Dhe, me këtë besim ka manovruar e po manovron, së fundi edhe në Procesin e Berlinit, një projekt tashmë zyrtar i BE-së i cili synon që të krijojë një treg të përbashkët regjional nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Serbia ka një përgjigje konsistente: bën, por Kosova nuk mund të jetë e barabartë në të, me çka thyen premisën themeltare të idesë së përbashkësisë komunitare, barazinë.

4.

Kjo gjendje, që në psikologji quhet disonancë kognitive, shkakton fërkim emocional, stres dhe nxitje për forma të ndryshme manifestimi paranoje. Diçka ngjashëm, në nivel kolektiv, pra me atë që ndodh në diskursin e Serbisë.

Prej vitit 2011, BE-ja ka ndërmjetësuar një proces negociator i cili është quajtur sukses pas suksesi, siç po shihet në mënyrë evidente me “krizën” rreth targave. Me këtë ritëm janë vështirë të përllogaritshme vitet që të zgjidhen çështjet e hapura një nga një e që duhen rregulluar sipas modelit të Serbisë, se duhet marrëveshje, por një ku Kosova nuk është e barabartë me Serbinë./Koha Ditore/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *