Gjeopolitikë

Tani jemi në një Luftë të Ftohtë Globale

Nga Foreign Policy

Kur ish-kryeministri britanik, Uinston Çërçill, foli për konturet dhe rreziqet e Luftës së parë të Ftohtë gjatë fjalimit që mbajti në Kolegjin Uestminster në Misuri të SHBA-së në vitin 1946, ai nuk e kishte fjalën vetëm për Europën.

Sigurisht ajo që kujtojnë më shumë njerëzit është fjalia e famshme: “Nga Stettin në Baltik, në Trieste në Adriatik, një Perde e Hekurt ka rënë mbi gjithë kontinentin!” Por pak më tej, Çërçill paralajmëroi mbërritjen e “hijes” së tiranisë “si në Perëndim ashtu edhe në Lindje”.

Pra, Lufta e Ftohtë e sapolindur, po bëhej tashmë globale. Ajo luftë mund të ketë përfunduar 3 dekada më parë, por tani po nis një tjetër lloj lufte e ftohtë. Edhe kjo është gati të bëhet globale. Në dallim nga përballja 40-vjeçare SHBA-Bashkimi Sovjetik, që vendosi përballë 2 fuqi të mëdha të izoluara krejtësisht nga njëra-tjetra në sfera të veçanta, lufta aktuale karakterizohet nga një marrëdhënie shumëdimensionale, ku Kina dhe Perëndimi bëjnë tregti dhe investojnë te njëra-tjetra, edhe pse në të njëjtën kohë konkurrojnë.

Dhe ndërsa Rusia, partnerja e Kinës me qasje autoritariste dhe anti-amerikanizëm, ndodhet nën sanksionet e Perëndimit, vazhdon që ta furnizojë këtë të fundit me naftë, gaz dhe drithë. Por ne nuk duhet ta gënjejmë veten se nuk po shfaqen konturet e një përballjeje afatgjatë.

Një Luftë e Ftohtë është thjesht një luftë e egër për pushtet dhe për të drejtën për të vendosur rregullat për sjelljen globale. Ajo zhvillohet kryesisht në prapaskenë, përmes marrëveshjeve dhe veprimeve të fshehta dhe jo në fushën e betejës. Dhe me këtë duhet të përballemi tani.

Po çfarë e shkaktoi këtë luftë të re? Së pari, Uashingtoni i është nënshtruar një transformimi prej të paktën një brezi, nga një politikë dypartiake e fiksuar pas Kinës, duke synuar që ta shndërronte Pekinin në një “palë të interesuar” ndaj sistemit global, siç tha në një rast zëvendëssekretari i Shtetit i ish-presidentit Xhorxh W.Bush, Robert Zolik.

Dhe i ndihmuar nga tronditja që shkaktoi pushtimi i Ukrainës nga Rusia, Uashingtoni duket se ka me vete në këtë luftë një Europë dikur ngurruese. Koncepti i ri Strategjik për Uashingtonin, doli nga një komunikatë e publikuar një vit më parë pas samitit të fundit të NATO-s, që paralajmëroi për herë të parë mbi “sfidat sistematike të Kinës ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, dhe ndaj fushave të rëndësishme për sigurinë e aleancës”.

Lexo më shumë  Ministrja gjermane në vizitë të paparalajmëruar në Kiev

Të dielën e kaluar, kancelari gjerman Olaf Sholc, së bashku me presidentin e SHBA-së Xho Bajden dhe udhëheqës të tjerë të G7, njoftuan një nismë të re globale të infrastrukturës prej 600 miliardë dollarësh, që synon të kundërshtojë nismën kineze “Një brez, një rrugë”.

Dhe këtë javë, NATO do të shpallë një “Koncept të ri Strategjik”, një plan 10-vjeçar që do të adresojë për herë të parë kërcënimin që vjen nga Kina.

Ndryshimi filloi të përshpejtohej në muajt e fundit, kur Bajden dhe aleatët e tij në NATO, e zgjeruan politikën e tyre për të ndihmuar mbrojtjen e Ukrainës kundër agresionit rus. Në një fjalim ta mbajtur në fund të prillit, Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe Liz Trus, ngriti më tej aksionet kur deklaroi se “NATO duhet të ketë një pikëpamje globale” dhe “të parandalojë kërcënimet në Indo-Paqësor”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e bëri të qartë javën e kaluar: “Për herë të parë, ne do ta trajtojmë Kinën dhe sfidat që ajo paraqet për interesat, sigurinë dhe vlerat tona”. Ndërkohë, Uashingtoni ka armatosur Japoninë dhe Korenë e Jugut (së bashku me Australinë), edhe pse ftoi Tokion dhe Seulin t’i bashkohen samitit të NATO-s si “vëzhgues”.

Javën e kaluar, duke iu kundërvënë sërish Pekinit në një mënyrë që të kujton Luftën e Ftohtë, administrata Bajden reagoi ndaj angazhimit të ri ushtarak të Kinës në Ishujt Solomon, duke shpallur nismën “Partnerët në Paqësorin Blu”. Ky grupim jozyrtar i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia, Japonia dhe Zelanda e Re, synon rigjallërimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike me kombet e ishullit të Paqësorit, tha Shtëpia e Bardhë.

Ose për ta thënë më troç, duke u kushtuar vëmendje atyre vendeve të vogla të cilat po joshen aktualisht nga Pekini.

Nga ana e saj Kina ka shpallur kohët e fundit Nismën Globale të Sigurisë (GSI) për të kundërshtuar Dialogun Katërpalësh të Sigurisë (QUAD), ku bën pjesë SHBA, India, Japonia dhe Australia, e krijuar nga Uashingtoni. “GSI do të kundërshtojë përdorimin e qëllimshëm të sanksioneve të njëanshme, si dhe hegjemonizmin, politikën e pushtetit dhe konfrontimin e bllokut”- tha presidenti kinez Xi Jinping.

Çfarë do të ndodhë më tej? Është po aq e pamundur të thuhet tani për tani. Çërçill foli në një kohë kur Moska nuk e kishte ende bombën bërthamore, kur komunistët kinezë nuk e kishin marrë ende kontrollin e vendit, dhe kur ai kishte ende shpresë se OKB-ja e re, mund të ishte ende “një tempull i vërtetë paqeje, në të cilin mund të varen një ditë mburojat e shumë kombeve, dhe jo thjesht një kabinë në Kullën e Babelit”.

Lexo më shumë  Rusia mban stërvitje bërthamore afër kufirit me Ukrainën

Por fuqitë e mëdha perëndimore besojnë tani se nga Mariupoli në Ukrainë, deri në Taipei në Ngushticën e Tajvanit dhe ndoshta deri në Honiara, Ishujt Solomon, në Paqësorin Jugor, po bie një lloj “Perdeje e Hekurt” e re.

Përballë kësaj vije të re ndarëse në kontinentin europian, shtrihen vendet e reja të Europës Perëndimore dhe të NATO-s, të fuqizuara rishtazi, si dhe shtetet e ish-bllokut sovjetik, të cilat janë anëtarësuar në NATO ose duan ta bëjnë këtë, duke përfshirë vendet baltike dhe tani Ukrainën.

“NATO po rikthehet në thelb në pozitat e Luftës së Ftohtë”- thotë Maks Bergman, drejtor i Programit të Europës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, mund të përballen tani me kombinimin e frikshëm të dy fuqive bërthamore: një Rusie të pasur me burime natyrore, në partneritet me një Kinë të fuqishme teknologjikisht dhe ekonomikisht.

Sërish, konturet dhe rreziqet nuk janë aq të drejtpërdrejta sa ishin gjatë Luftës së Parë të Ftohtë, edhe pse bota ka parë shfaqjen e një blloku të ri vendesh të paangazhuara. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përplasja e ashpër ideologjike midis komunizmit dhe demokracisë/kapitalizmit ishte e qartë.

Ndërkohë, sot shumica e kombeve të botës, nga Lindja e Mesme dhe Azia Jugore e deri tek Amerika Latine dhe Afrika, nuk po e pranojnë përpjekjen e Bajdenit për ta cilësuar konfliktin si një luftë globale për liri. Një ekonomi ende e globalizuar, e cila nuk ishte faktor gjatë Luftës së Ftohtë – ka një rol kyç, veçanërisht qëkurse një Kinë në rritje, varet shumë prejsaj për shkak të prosperitetit, ndërsa një Rusi e dobësuar varet aq shumë nga Kina për mbarëvajtjen e ekonomisë së saj.

Asnjë luftë, qoftë edhe e ftohtë, nuk është e pashmangshme. Po, Kina dhe Rusia do ta gjenin ndoshta gjithmonë një mënyrë për t’i rezistuar dominimit të SHBA-së dhe Perëndimit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *