KryesoreLajme

Sulmi terrorist në veri, Biserko: Kishte skenar të ndërhyrjes së ushtrisë serbe dhe ndarje të Kosovës

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Serbisë, Sonja Biserko, thotë se dalja në skenë e grupit të armatosur në Banjskë në veri të Kosovës mund të pritej duke pasur parasysh sjelljen e Beogradit në muajt e fundit.

“Grafiti ‘Kur ushtria kthehet në Kosovë’ si paralajmërim kishin vërshuar jo vetëm Beogradin, por edhe brendësinë e Serbisë. Pastaj fjalimi i presidentit Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme, toni dhe mesazhi i tij – e gjithë kjo tregonte se diçka është duke u përgatitur. Beogradi ka qenë gjithmonë transparent në synimet e tij, si në vitet e 90-ta kur u nis për të shkatërruar Jugosllavinë, çdo veprim dhe synim ishte më i paralajmëruar në media”, shpjegoi qartë Biserko, për median malazeze CdM.

Ajo nënvizon se me marrjen e informacioneve, po bëhet gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt që më pas ushtria serbe të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe në këtë mënyrë të realizojë ndarjen e Kosovës.

Vija e kuqe u kalua

Në fund të fundit, shton ajo, ky është një opsion që mbështetet pothuajse nga e gjithë elita politike dhe akademike, shërbimet, ushtria, një pjesë e madhe e sektorit civil dhe sipas raportimeve edhe mediat [në Serbi].

“Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që Perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, thotë Biserko.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Ndonëse, siç shton ajo, Vuçiq po përpiqet të mbrohet dhe t’ia kalojë përgjegjësinë serbëve të Kosovës, të cilët gjithsesi janë pengjet e tij, duke pretenduar se ai nuk e kontrollon Kosovën – të gjitha informacionet tregojnë se Beogradi ishte i implikuar.

“Nëse Vuçiqi jo, i cili pretendon se nuk e dinte se çfarë po ndodhte, atëherë shtrohet pyetja se kush është figura kryesore në Beograd. Hetimi konfirmon se bëhet fjalë për një grup të mirë-pajisur (automjetet luftarake i përkasin Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe një arsenal armësh, sipas vlerësimeve, për 200 persona) dhe të stërvitur mirë të drejtuar nga Radoiçiq, i cili përndryshe është nën sanksione amerikane. Mësohet se ai është i plagosur dhe ndodhet në VMA [Spitalin Ushtarak]. Identiteti i të arrestuarve ende nuk është bërë i ditur, por ka të ngjarë, siç bëjnë me dije disa analistë, që shumë prej tyre të kenë qenë edhe në fushën e betejës ukrainase në anën ruse”, potencon Biserko.

Rusia po e shpon Ballkanin

Sipas saj, Rusia sigurisht që ka një interes për të shpuar Ballkanin dhe për të krijuar tensione dhe të hapë pika kritike në mënyrë që të shpërqendrojë ose të largojë një pjesë të vëmendjes nga Ukraina. Është indikative, thekson ajo, se të nesërmen Vuçiq ka pritur ambasadorin rus për t’u ankuar se Kurti po përgatiste “spastrimin etnik të serbëve”.

“Kisha Ortodokse Serbe  ka reaguar me shpejtësi me njoftimin e Dioqezës së Rashko-Prizrenit dhe ka qenë e para që ka treguar publikisht se një grup i panjohur dhe i maskuar hynë në oborrin e kishës në Banjskë”, thotë Biserko, transmeton Telegrafi.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

Ajo nënvizon se komuniteti ndërkombëtar është gjithashtu përgjegjës për tolerimin e sjelljes së presidentit Vuçiq dhe kërcënimet e tij të përditshme ndaj fqinjëve të tij, të cilat pashmangshëm çuan në konflikt për një kohë të gjatë.

“Beogradi e kuptonte shumë mirë politikën perëndimore të zbutjes, e cila në thelb favorizon Serbinë si një lojtar rajonal në dëm të fqinjëve të saj më të vegjël dhe përfaqëson një burim afatgjatë tensioni në rajon për shkak të aspiratave të Beogradit. Mirëpo, kjo politikë nuk e ka motivuar dhe ndoshta nuk do ta motivojë Serbinë që të kthehet drejt Perëndimit. Sepse Serbia nuk e ka pranuar realitetin e ri në rajon, as kufijtë e njohur ndërkombëtarisht dhe po tentohet të rishikohet disfata”, thotë ajo.

Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të njohë Kosovën

Biserko paralajmëron se paraqitja e grupit të Banjskës në veri të Kosovës është një tregues serioz se në cilin drejtim mund të shkojnë gjërat dhe që mund të përsëriten nëse nuk resetohet politika perëndimore në Ballkan.

“SHBA-ja dhe BE-ja duhet ta detyrojnë Serbinë të sqarohet për të ardhmen e saj dhe në këtë aspekt të kërkojnë me vendosmëri zbatimin e kërkesave tashmë të parashtruara – sanksionet ndaj Rusisë dhe njohja e Kosovës”, ka përfunduar Biserko.

Rruga Press

YouTube player