Sport

Sot, beteja për Superkupën e Europës

Manchester City, kampion në fuqi i Champions League, përballë Sevilla-s, ekipit fitues të Europa League. Mbrëmjen e sotme në Athinë, do të zhvillohet beteja për Superkupën e Europës. Sitizëns kërkojnë të harrojnë disfatën në Superkupën e Anglisë dhe paraqiten si favoritë, pavarësisht dëmtimit të De Brujn, që do ta mbajë yllin e skuadrës katër muaj jashtë fushave.

“Dëmtimi i Kevin është një humbje e madhe për ne. Mungesa e tij ndihet kur nuk luan në një apo dy ndeshje, imagjinoni për një kohë kaq të gjatë. Pavarësisht kësaj, duhet të jemi të përqendruar te finalja. Pas triumfit në Champions, kemi shansin të marrim edhe trofeun e Superkupës. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, pasi nuk e dimë kur mund ta luajmë sërish një ndeshje të tillë”, tha Pep.

Te Sevilla e kanë të qartë se luajnë kundër të gjitha parashikimeve. Megjithatë, spanjollët nuk tërhiqen dhe synojnë të shfrytëzojnë mundësinë e dhënë.

“Është një finale, 90 minuta lojë ku gjithçka mund të ndodhë. Para një jave u thyen nga Arsenali në Superkupën e Anglisë. Kjo na bën të mendojmë që Siti mund ta humbasë edhe këtë ndeshje. Fitoren nga humbja i ndan fare pak. Nëse kemi fat, apo kundërshtarët do të jenë në ditë të keqe, Sevilla mund të fitojë”, u shpreh trajneri i Sevilla-s.

Sfida e sotme që nis prej orës 21:00 do të jetë finalja e parë e Superkupës së Europës për Manchester City. Ndërkohë, Sevija ka humbur pesë nga gjashtë finalet e zhvilluara.

Rruga Press

YouTube player