GjeopolitikëKryesore

Skenari gjerman: Si do ta shkaktojë Putini një luftë të madhe në Evropë

Hendeku Suwalki, i njohur ndryshe edhe si korridor, shtrihet pranë fushave, pyjeve dhe liqeneve në buzë të kufirit lindor të NATO-s. Ai shkon gati 100 kilometra përgjatë kufirit mes Polonisë e Lituanisë, duke lidhur Bjellorusinë dhe enklavën ushtarake ruse të Kaliningradit.

Edhe pse pak i njohur sot për botën e gjerë, pikërisht në këtë vend, gjeneralët e NATO-s kanë frikë se mund të nisë një konflikt i plotë me Moskën.

Sipas një skenari të përgatitur nga ushtria gjermane, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do t’i zhvendoste forcat e tij në Bjellorusi, përtej hendekut në Kaliningrad, në një shtytje të papritur, ai mund të shkëpusë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë nga aleatët e tyre në Evropën Qendrore dhe Perëndimore.

Ky veprim, sipas mediumit “TheTelegraph”, do të shkëpuste linjat e furnizimit dhe do t’i jepte fund çdo shprese të menjëhershme për përforcime për ushtritë e tyre relativisht të vogla. Nga ky kërcënim korridori është bërë i njohur për planifikuesit ushtarakë perëndimorë si thembra e Akilit e NATO-s, por thjesht si vendi më i rrezikshëm në botë.

Ndonëse Rusia ka pësuar humbje masive në Ukrainë dhe lufta atje po vazhdon, Evropa është paralajmëruar të përgatitet që Kremlini të kthehet si një kërcënim serioz ushtarak për krahun lindor të Aleancës.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka thënë ditë më parë se Putini mund t’i shpallë luftë NATO-s “prej pesë deri në tetë vjet”.

Reagimi i tij u bë një ditë pasi admirali Rob Bauer, njëherësh kryetar i Komitetit ushtarak të NATO-s, ka deklaruar se duhet të jenë gati për një luftë me Rusinë brenda 20 vjetëve.

Por, pas paralajmërimeve publike janë një sërë planesh të detajuara ushtarake që janë skicuar për t’i përgatitur ushtritë perëndimore për atë që mund të ndodhë. Skenari Suwalki, i hartuar me qëllim që të ndihmohet në përgatitjen e një stërvitjeje ushtarake në masë të gjerë, thekson faktin se Moska mund t’i mobilizojë edhe 200.000 trupa të tjera shkurtin e 2024-s për një ofensivë pranverore në Ukrainë. Deri në qershor forcat ruse mund të bëjnë përparime të rëndësishme derisa Kievi po pengohet nga lëkundjet e mbështetjes dhe interesit perëndimor në përpjekjet e tij për luftë.

“TheTelegraph” ka shkruar se Putini po kërkon të shënojë sukseset e tij duke iniciuar një seri sulmesh kibernetike mbi Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, në të njëjtën kohë, duke rritur tensionet mes pakicave etnike ruse që jetojnë ende në shtetet baltike. Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë, u bë liderja e parë e NATO-s që sugjeroi se Rusia është pas ndërprerjes së gjerë të navigimit GPS në jug të Detit Baltik.

Lexo më shumë  KFOR, EULEX dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët për testim force

Bazuar në skenarin gjerman, sulmet hibride të Moskës në Baltik do të shkaktonin përleshje që më pas Putini t’i përdorte si pretekst për të mbajtur stërvitje manovre në shkallë të gjerë në Rusinë perëndimore dhe në Bjellorusi, në shtatorin e këtij viti.

Rreth 50.000 trupa do të stërviteshin për mënyrën e zhvillimit të një lufte kundër NATO-s duke përfshirë pushtimin e Estonisë, Letonisë dhe të Lituanisë e ndoshta edhe nëpërmjet fushatave bombarduese në Evropën Perëndimore.

Stërvitja ruse, sipas Gjermanisë, ka të bëjë me stërvitjet e kryera në 2023 në Bjellorusi e nëpërmjet saj Putini synon të tregojë se Moska ende ka forcë të mjaftueshme për të ushtruar ndikim ushtarak. Një muaj pas nisjes së manovrave, Kremlini do të pretendonte se Kaliningradi ishte nën kërcënim të menjëhershëm të sulmit të NATO-s, duke lëvizur raketa me rreze të mesme veprimi dhe më shumë trupa në enklavë. Grumbullimet e rusëve në këtë zonë, siç transmeton mediumi britanik, do të përshkallëzoheshin gradualisht në një konflikt kufitar të nxitur artificialisht e, sipas skenarit gjerman, do të shkaktonte trazira me vdekje me të shumta, duke ndezur më tej tensionet.

Trupat gjermane u thanë se po presin një përpjekje diplomatike të NATO-s që të marrin një vendim, menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku një humbje potenciale e Joe Bidenit do ta linte Uashingtonin pa timon.

Një takim special i liderëve të NATO-s do të mbahej në janar të 2025-s me 30.000 ushtarë gjermanë të dërguar pranë hendekut Suwalki, si masë parandaluese për tensionim. Moska, në anën tjetër, do të përdorte mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit në OKB për të akuzuar Perëndimin për komplotim të një sulmi në tokën ruse.

Vetëm në maj të 2025-s, sipas skenarit gjerman, NATO-ja do të kërkonte aktivizimin e masave për parandalimin, me qëllim që të ndalohet një goditje në kufirin lindor të NATO-s, nga drejtimi Bjellorusi-Kaliningrad.

Një diskolim prej 300.000 trupave do të dërgohej në krahët lindore të Aleancës, ku Polonia e Estonia kanë paralajmëruar shtim të kërcënimeve nga Rusia. Në rast se forcat ruse do ta pushtonin Suwalkin, përpara se trupat e NATO-s të mbërrinin, nuk do të kishte gjasa të përfshihej në një luftë të zgjatur tokësore me Aleancën.

Lexo më shumë  “Golden Sabre 2024” – fotografi nga stërvitja e përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it

“Doktrina ruse sugjeron që Rusia do të përpiqej të detyronte NATO-n t’i nënshtrohej duke sinjalizuar aftësinë për të shkaktuar në mënyrë progresive sasi më të mëdha të dëmeve”, ka thënë Fabian Hoffmann, një studiues në Projektin Bërthamor të Oslos.

Pushtimi i Suwalkit do të shkaktonte diskutime të mëdha në politike, në rast se trupat ruse do të goditeshin. E sipas nenit 5 të NATO-s, ku thuhet se të gjithë anëtarët duhet të përgjigjen kolektivisht ndaj një sulmi në secilën pjesë të territorit të NATO-s, një dështim për t’iu përgjigjur kolektivisht agresionit rus do të dëmtonte efektivisht besueshmërinë e NATO-s dhe do t’i jepte fund reputacionit të Aleancës mbrojtëse.

Disa liderë të Evropës Perëndimore dhe një SHBA e udhëhequr nga Donald Trumpi do të mendonin se kërcënimi nga Rusia e armatosur me armë bërthamore nuk do të ndodhte.

Putini, në anën tjetër, mund të fuqizohej duke goditur infrastrukturën civile në Evropë për të treguar se nuk do të tërhiqet.

“Mesazhi për vendet e NATO-s: Mos dilni në mbështetje të aleatëve tuaj të Evropës Lindore nëse nuk dëshironi të shihni popullsinë duke vuajtur””, ka thënë Hoffman.

Në të njëjtën kohë, Moska mund të shtrijë ndikimin e saj bërthamor mbi çdo zonë të territorit të NATO-s që e kishte kapur në goditjen fillestare tokësore.

Doktrina bërthamore ruse lejon përdorimin e armëve të shkatërrimit të masë, në rast se vendi përballet me një kërcënim për ekzistencë. Kjo është projektuar veçanërisht për të testuar vendosmërinë e SHBA-së, me secilën përpjekje për të rimarrë territorin e NATO-s, të përballur me përshkallëzim të mundshëm bërthamor.

Çështje të brendshme

“Ne flasim për aleanca, por kush e di se cili do të jetë kursi i SHBA-së dhe prioriteti i saj”, ka thënë Justin Crump, shef ekzekutiv i kompanisë së inteligjencës strategjike, Sibylline.

Sipas tij, SHBA-ja do ta kishte prioritet veten duke shtuar se çdo pushtim nismëtar rus në Baltik do të përballej me një forcë të krijuar me qëllim të ngadalësimit të përparimit.

Britania e Madhe, në anën tjetër, sipas analizës, tashmë ka trupa dhe tanke “Challenger 2” në Estoni për të mbrojtur secilën zonë.

Rruga Press

YouTube player