Lajme

“Sistemi i Vuçiqit”: Përse Serbia po investon miliona në armatime të reja?

Armatimi i ri i Serbisë dhe rritja e frikës në mesin e qytetarëve serbë përfaqëson sistemin e ri të qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit, sipas analistëve në këtë vend, që kanë reaguar për deklarimet e fundit të presidentit të Serbisë se do të investohen shumë të majme në industrinë e mbrojtjes dhe në ushtri.

Ata po ashtu kanë thënë se në vend se të shpenzohen miliona në armatim, do të ishte më e leverdishme për Serbinë që ai të punojë në përmirësim të raporteve me fqinjët e Serbisë në rajon. Gjithsesi, sipas tyre, Vuçiqi tashmë e ka dëshmuar se s’mund të notojë në ujëra të qetë.

Nga panairi ndërkombëtar i armëve në Abu Dhabi, një ditë më parë, Vuçiq u shpreh se “Ushtria e Serbisë duhet të jetë më e fuqishme” se që është sot, edhe pse “është pakrahasimisht më e fortë se që ishte”.

“Duhet të investojmë para të majme në industrinë e mbrojtjes dhe ushtri. Kam pasur bisedë me kryeministren Ana Bërnabiq dhe ministrin e Financave, Sinisha Mali. Po përpiqemi të mos e dëmtojmë asgjë e askënd në shtet, dhe të rrisim dukshëm kapacitetet tona operacionale e funksionale, që nënkuptojnë gatishmërinë ushtarake”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se plani i Serbisë është që të shtojë 200 armë të rënda të prodhuara brenda shtetit më 2023 dhe 2024. Sipas raportimit, vlera kap rreth 300 milionë euro dhe “ka interesim të madh të blerësve të jashtëm për këto armë”.

Miroslav Paroviq nga Lëvizja e Lirë e Popullit beson se Vuçiqi ka siguruar poenë ndërkombëtarë për veten duke blerë armë – “pak nga rusët, pak nga kinezët, pak nga francezët, pak nga amerikanët”. Në fund, sipas tij, në ushtri s’ka pasur as staf që i servison.

“Njoftimet e reja nga Vuçiqi nënkuptojnë se ai do të shkojë në drejtim të marrëveshjeve strategjike me një nga shtetet e NATO-s dhe më pas, bazuar në atë marrëveshje, blerja e armëve do të shkojë sipas standardeve perëndimore, që do t’i ndryshojë aktualet, shumica ruse (ish-sovjetike)”, ka thënë Paroviq.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Sipas tij, në gjithë këto veprime, Vuçiqi po e prish pozicionin neutral të Serbisë kundër dëshirës së popullit dhe kundër interesave kombëtare serbe.

“Për këtë, ai duhet të largohet nga pushteti dhe më pas të tjerët duhet të negociojnë me komunitetin ndërkombëtar, ashtu që rajoni, me Serbinë në qendër, të luajë rolin e Austrisë pas Luftës së Dytë Botërore, që është shtet neutral brenda Perëndimit. Vuçiqi i shantazhuar nuk po e kërkon këtë, por po synon të vazhdojë regjimin personal nëpërmjet korrupsionit dhe përgjatë kohës po bëhet gjithnjë e më agresiv dhe, siç po e shihni, po arreston gazetarë për fyerje verbale dhe së shpejti do të kalojë në represion më të keq”, ka thënë tutje ai për një nga mediumet e pakta që s’dirigjohen nga pushteti në Serbi, “Danas”.

Biljana Stojkoviq, bashkëpresidente e “Zajednos”, ka shprehur besimin se armatosja dhe rritja e frikës te populli përfaqëson sistemin e udhëheqjes nga Vuçiqi. Sipas saj, ai është i dëshpëruar që të gjejë rrugë për të devijuar diskutimet nga Kosova dhe në të njëjtën kohë të frikësojë sa më shumë njerëz që mundet në Serbi.

“Sigurisht, nevojat e përditshme të qytetarëve të varfër janë diçka krejtësisht ndryshe, por të marrit me këto probleme s’mund të çojë në mbijetesën e Vuçiqit në pushtet, për të vetmen gjë të cilën ai mendon. Në këtë kontekst, ai s’mund të pritet të mbajë dialog, të bashkojë vendet e Ballkanit Perëndimor rreth një politike paqësore e bashkëpunimi, sepse ai nuk mund të notojë në ujëra të qetë, si çdo autokrat. Për këtë arsye, është e qartë se Vuçiqi është pjesë e problemit për paqen në Ballkan dhe kjo dëshmohet nga armatimi intensiv”, ka thënë Stojkoviq.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Për Aleksandar Olenik, deputet i pavarur në Serbi, në vend të shpenzimit të milionave në armatim, do të ishte më e thjeshtë nëse Serbia do të bëhej anëtare e NATO-s. Sepse, siç ka thënë ai, vetëm si anëtare e NATO-s, Serbia mund të ofrojë në të vërtetë paqe, stabilitet dhe siguri për të gjithë qytetarët e vet.

“Sa i përket prioriteteve, këto miliona duhet të investohen në edukim e kujdes shëndetësor”, ka thënë Olenik, ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Serbisë, Sërgjan Milivojeviq, ka thënë se Vuçiqi më mirë e ka të investojë në modernizim të burgjeve se në armatim.

Aktivisti e politikani Radomir Lazoviq ka thënë se Serbia është shteti me pabarazitë më të mëdha në Evropë. Sipas tij, pak njerëz në vend, kryesisht të afërmit e partisë në pushtet, SNS, kanë shumë para, posedojnë pasuri të mëdha, ndërsa shumica e qytetarëve nuk mund t’i ushqejnë familjet.

“Në vend se t’i zgjidhë me masa të ndryshme, gjatë qeverisjes së SNS-së fokusi në ushtri dhe polici është dyfishuar që nga viti 2012. Tani janë 2 miliardë euro, gati 14 për qind e buxhetit. Investime të tjera shtesë në ushtri janë tërësisht të papranueshme”, ka thënë Lazoviq, duke shtuar se Serbia duhet të fokusohet në përmirësim të raporteve me fqinjë me investime “në bashkëpunim, infrastrukturë e mirëqenien e qytetarëve”.

Vuçiqi s’ka treguar se nga do të vijnë mjetet për armët shtesë, por ka thënë se ka marrëveshje për shkak të “kalkulimeve financiare”.

Ai ka njoftuar të martën se Serbia brenda dy ditësh do të nënshkruajë kontratën e parë me Emiratet e Bashkuara Arabe për blerjen e dronëve kamikazë. Ka thënë se shpreson që për 5-6 muaj Serbia do të marrë dronët e parë të tillë. E ka arsyetuar furnizimin e ri me “vështirësimin e pozicionit të Serbisë”, duke paralajmëruar edhe “përshkallëzim të konfliktit në Ukrainë”. /koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *