Shqiprim Pula: Asosacioni e betonizon Serbinë në Kosovë
Situata në Kosovë vijon të jetë e tensionuar si pasojë e ngjarjeve të fundit në veriun e vendit.
Serbia kërkon me insistim formimin e Asosacionit, ndërsa Kosova kërkon normalizim të situatës si parakusht për bisedime.
Lidhur me zhvillimet e tensionuara në Kosovë, Kumti.net intervistoi njohësin e Marrërdhënieve Ndërkombëtare, Shqiprim Pula.
Si e vlerësoni vendimin e qeverisê së Kosovës për uljen e pranisë policore nê veri dhe miratimin për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe?
Përmbushja e kërkesave nga ana e qeverisë qendrore, duhet parë dhe vlerësuar nga disa dimensione, si p.sh., kërkesat me insistim janë kundrejt vetëm njërës palë dhe jo edhe palës serbe e cila krijoi situatën pas 26 Majit, në veriun e Kosovës, për të krijuar alibi për prolongim të proçesit të dialogimit. Pala serbe e shfrytëzon si instrument formacionin politik ‘Srpska lista’ për të krijuar agresion politik e institucional brenda territorit dhe shtetit të Kosovës, duke rënë ndesh me aspektet kushtetuese dhe ligjore të funksionimit të organeve shtetërore në veri. Formacioni politik ‘Srpska lista’ duke protestuar në barikadime me struktura parashtetërore serbe brenda territorit të Kosovës, ka shprehur mosbindje civile për shtrirje të autoritetit shtetëror dhe sovranitetit territorial në pjesën veriore të Kosovës, duke shkelur rëndë nenin 2 të Kushtetutës. Vendosja e njësive policore si organ kushtetues i Republikës në katër Komunat veriore kishte vetëm një qëllim, t’u mundësohet kryetarëve të Komunave të ushtrojnë funksionin dhe drejtojnë administratën lokale, që të mundësojnë sundimin e ligjit në veri. Por, çuditërisht, Brukseli zyrtar, respektivisht Borell e Lajčak, të mbështetur nga figura të tjera ndërkombëtare kontestuan rezultatin e zgjedhjeve (përkundër se QUINT-i dhe organizatat e tjera i pranuan rezultatet) dhe dënuan vendimin e qeverisë për operacionin e policisë së Kosovës, duke kërkuar tërheqjen e policisë dhe koordinimin ndërkombëtar. Ndërkaq, spektri politik opozitar, mori anë kah faktori ndërkombëtar dhe kërkesat e tyre. Fatkeqësisht, vazhdon të mos jetësohet kushtetuta e Kosovës në tërësinë e saj edhe në atë pjesë të territorit. E për dobësi, partitë politike, pozitë e opozitë, nuk janë duke lundruar me të njejtën anije, kur kanë përballë të njejtën stuhi, që quhet Serbi.
A duhet të lejojë Kosova formimin e njê Asosacioni për serbêt e veriut?
Pakoja gjithëpërfshirëse e Ahtisarit ka paraparë krijimin e 10 Komunave me shumicë serbe, ku vet pakica serbe do të kishte mundësi të vetpërfaqësohet në nivel lokal e qëndror, në mënyrë që t’u krijohet garanci për realizimin e të drejtave civile e politike, duke u garantuar edhe 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Këto kërkesa të faktorit ndërkombëtar për pakicën Serbe u pranuan nga shqiptarët shumicë, por pas fillimit të procesit të bisedimeve në mars 2011, pala serbe arriti të bindë faktorin ndërkombëtar dhe atë shqiptarë që në dokumentin e 19 Prillit 2013 ,të fuste si pikë-kërkesë për shtetin e Kosovës krijimin e një “krijese” të quajtur “Bashkësia e Komunave me shumicë Serbe”. Përtej kësaj, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë të transpozuara të gjitha instrumentet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat fundamentale të njeriut dhe pakicave. Andaj, në këtë kuptim, pakica serbe i ka të gjitha të drejtat, të realizueshme dhe të garantuara, prandaj nuk ka asnjë arsye që të krijohen entitete për një pakicë në Kosovë. E për më tepër, kërkesa për “Bashkësinë …apo Asociacionin” është edhe kundërkushtetuese sepse bie ndesh me neni 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Prandaj, Prishtina zyrtare duhet të gjejë modusin e refuzimit të Asociacionit, për të mos lejuar betonizimin institucional të Serbisë në Kosovë.
Si e vlerësoni vendimin e kryeministrit të Shqipërisê Edi Rama për hartimin e një drafti për Asosacionin e komunave serbe në veri të Kosovës?
Veprimi i kryeministrit Rama, lidhur me draft-statutin për “Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe”, ishte befasues dhe me plot të panjohura. Por, natyrisht, mbeten të panjohur të angazhuarit? Pse për një draft të tillë nuk është konsultuar Prishtina zyrtare? A ishte vetiniciativë apo ia kërkuan dhe kush ia kërkoi draftin? E të tjera të panjohura! Por, druaj që në një të ardhme, Shqipërisë politike mbase do t’i kthehet boomerang, se do t’i kërkohet për zbatim (si ‘model’) nga qeveria Helene për Jugun e Shqipërisë sipas apetiteve Helene për territorin që ata e quajnë me emrin fashist “Vorio Epiri” e që do të kushtëzonte Tiranën zyrtare për anëtarësime siç është kushtëzuar në disa etapa politike, në të kaluarën, lidhur me kushtëzimet për varrezat Greke apo kufirin detar.
Si e komentoni qasjen e opozitës së Kosovês gjatê kësaj periudhe tensionesh mes Kosovës dhe Serbisê?
Në mesin e politikbërësve, fatkqeqësisht, kemi një mendësi akoma të pamaturuar për t’u përbashkuar e unifikuar qëndrimet politike për t’i bërë ballë Serbisë. Prandaj, në këtë periudhë kohore të tenisonuar Kosova politike do duhej të jetë e bashkuar, pozitë e opozitë, për një dhe të vetmin qëllim zbrapsjen e kundërshtimin e kërkesave të Serbisë.
Sipas jush, cili iahte mesazhi që SHBA-të përcollën me shpalljen non-grata të Aleksandër Vulin?
Departamenti i Thesarit Amerikan prej vitesh tashmë ka intensifikuar shpalljen e figurave të caktuar non-grata apo vendosjen e sanksionimit për gjithë ata që konsiderohen me rrezikshmëri dhe mospërfillës të normave brenda rendit liberal ndërkombëtar e nuk ka përjashtim as rajoni ynë. Padyshim, ky është edhe presion anësor ndaj shtetit të të sanksionuarve./kumti.net
Rruga Press