KryesoreLajme

Kurti në Davos: Ekonomia e Kosovës për herë të parë ka kaluar 10 miliardë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar si të arritur të madhe marrëveshjen për tregti të lirë, të cilën Kosova do ta nënshkruajë me EFTA-n, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, teksa ka vlerësuar se vendi ynë ka shënuar rritje ekonomike gjatë vitit që e lamë pas..

Në një panel me ekonomistin Ricardo Hausmann nga universiteti i Harvardit, në Shtëpinë e Kosovës në Davos, Kurti ka thënë se marrëveshja do të nënshkruhet me përfaqësuesit ekzekutiv të Zvicrës, Islandës, Norvegjisë dhe Lihtenshtajnit, të cilat e përbëjnë Asociacionin Evropian për Tregti të Lirë (EFTA).

“Kjo është një arritje e madhe, pas negociatave të mençura dhe të rënda nga ministrja Rozeta Hajdari, kemi arritur marrëveshje edhe për eksport të shërbimeve dhe jo vetëm të mallrave. Këtu qëndron pjesa e vështirë e negociatave. Kemi rreth 300 mijë shqipfolës, shtetas të Zvicrës dhe mbi dy të tretat e tyre janë nga Kosova. Në Davos mund ta dëgjosh shqipen në shitore dhe kudo, janë tejet mirë të integruar”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  QSUT kërkon lëmoshë për respiratorë, qeveria shpenzon miliona për spektakle

Tutje duke folur për temën “Demokracitë e qëndrueshme në një epokë të ndryshimit”, Kurti ka folur për sfidat e menaxhimit shtetëror, duke përfshirë pandeminë, inflacionin, krizën energjetike pas agresionit rus në Ukrainë, teksa ka theksuar se Kosova ka pasur rritje ekonomike.

“Buxheti shtetëror vjetor është 50% më i madh sesa në vitin 2021. Kjo del nga një rritje impresive ekonomike, që mesatarisht ka qenë 6% e bruto produktit vendor, asnjëherë nuk ka rënë nën 4%. Ekonomia e Kosovës vitin e kaluar për herë të parë ka kaluar 10 miliardë euro, eksportet kanë kaluar 1 miliardë euro dhe të ardhurat tatimore kanë kaluar 3 miliardë euro”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Të hyrat tatimore në Kosovës shënojnë rritje 14%, ATK mbledh mbi 595 milionë euro

Kryeministri i Kosovës ka thënë se është dyfishuar punësimi te të rinjtë, derisa si ekzekutiv kanë shënjestruar punësimin e grave me 14 mijë vende pune.

YouTube player