Lajme

Shqipëria me “Duje” shkon në finalen e “Eurovisionit”

Albina Kelmendi me familje e kanë çuar Shqipërinë në finalen e edicionit të 67-të të Garës Evropiane të Këngës, që sivjet po mbahet në Liverpool. Është pjesëmarrja e 19-të e shtetit shqiptar në “Eurovision” dhe e 11-ta që shkon në finale

Shqipëria është kualifikuar në finalen e madhe të “Eurovisionit”. Kënga “Duje” e interpretuar nga këngëtarja nga Kosova, Albina Kelmendi me familje, mori votat e publikut për dhjetëshen e dytë të finalistëve nga 16 konkurrentët e së enjtes mbrëma.

“Duje” vjen në një formacion ku përfshihet e gjithë familja Kelmendi, teksa muzikalisht e si performancë skenike jep mesazhin e ruajtjes së familjes. Teksti është shkruar nga Erjona Rushiti, ndërsa është kompozuar nga Enis Mullaj. Kënga nis me zërin e fuqishëm të Albina Kelmendit, për të vazhduar me inkuadrim të zërave përcjellës. Nga mesi i këngës në skenë mbizotërojnë zërat e dy prindërve. Gjatë interpretimit dëgjohen edhe ca dridhje zëri, të cilat ia japin frymën popullore. E fuqishme ka qenë performanca e Shqipërisë në arenën gjigante të Liverpoolit. Gjashtëshja u shfaq e veshur me të zeza, me elemente ento, teksa nga mesi i këngës nxjerrin edhe shamitë e kuqe. Veshja e Kelmendit veçohet me më shumë ornamente që krijojnë lidhje me mjeshtërinë artizanale të punimeve tradicionale shqipe. Në tërësi, është një kombinim kontrastesh midis tradicionales e bashkëkohores, bash sikurse kënga. Albina në fund të performancës ka falënderuar edhe në shqip.

Lexo më shumë  Kryeministri në ardhje i Serbisë: Do të mbajmë miqësinë me Kinën e Rusinë, nuk vendosim sanksione për luftën ruse në Ukrainë

Përveç Shqipërisë, në natën e dytëfinalen e siguruan edhe Qiproja, Estonia, Belgjika, Lituania, Austria, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia. Ato iu bashkuan dhjetëshes së gjysmëfinales së parë: Kroacisë, Moldavisë, Zvicrës, Finlandës, Republikës Çeke, Izraelit, Portugalisë, Suedisë, Serbisë dhe Norvegjisë.

Njëzet shteteve në finale do t’u bashkohen edhe pesë shtetet finaliste të përhershme, si themeluese të festivalit: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja.

Nata e dytë u zhvillua nën emocione të forta dhe përplot spektakël. Gjatë tërë kohës u përçuan mesazhe solidarizmi, paqeje e harmonie, teksa ngjarja u zhvillua nën moton “Të bashkuar nga muzika”. Në shenjë solidarizimi me Ukrainën pati edhe një performancënë gjuhën ukrainase nga Maria Yaremchuk, Zlata Dziunka dhe OTOY. Përveç këngëtares britanike Alesha Dixon dhe aktores britanike Hannah Waddingham, mbrëmja pati për prezantuese edhe këngëtaren ukrainase Julia Sanina. Liverpooli ishte zgjidhja për mbajtjen e edicionit të 67-të të “Eurovisionit” në të cilin vitin e triumfoi Ukraina në Torino.

“Duje” në fakt kishte ngjallur jo pak polemika në mesin e komunitetit artistik, lidhur me atë nëse kjo ka qenë kënga e duhur për përfaqësim të Shqipërisë në edicionin e 67-të të “Eurovisionit”. Edhe prestigjiozja britanike “BBC” ka parashikuar se kënga do të përfundojë “në fund të tabelës”, megjithatë një gjë e tillë pritet të shihet në finalen e 13 majit.

Shqipëria në “Eurovision” debutoi më 2004 me Anjeza Shahinin. Nga nëntëmbëdhjetë herë sa ka marrë pjesë, kjo është hera e njëmbëdhjetë që ajo arrin të hyjë në finale. Suksesi më i madh mbetet me “Suus” nga Rona Nishliu, e cila u rendit e pesta në vitin 2011.

Vitin e kaluar Ukraina fitoi me “Stefania” të grupit “Kalush Orchestra”, por për shkak të gjendjes së luftës “Eurovision 2023” ishte vendosur të mbahej në Britaninë e Madhe, që me “Space Man” të Sam Ryder kishte zënë vendin e dytë.

Për të dytin vit me radhë e drejta e pjesëmarrjes i është mohuar Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Unioni i Transmetuesve Evropianë, që e organizon “Eurovisionin”, ka vendosur sanksione kundër shtetit rus për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Vendimi i EBU-së ishte marrë vitin e kaluar, dy ditë pasi kishte nisur invazioni ushtarak, më 24 shkurt.

Në gjysmëfinalen e parë, pas përfundimit të paraqitjeve të shteteve konkurrente, kishte performuar këngëtarja Rita Ora, që elektrizoi publikun në Liverpool.

Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria kanë hequr dorë nga pjesëmarrja e këtij viti, e kjo për shkak të rritjes së tarifave.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *