Bota

Shefi i inteligjencës gjermane paralajmëron: Gjermania rrezikon të përfshihet në konflikt të armatosur me Rusinë

Gjermania rrezikon të përfshihet në një konflikt të armatosur me Rusinë, ndërsa Moska po intensifikon atë që autoritetet gjermane e cilësojnë si “luftë në hije” kundër demokracive evropiane, raporton Reuters.

Paralajmërimi është bërë nga kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë, Martin Jaeger, gjatë një seance publike në parlament, ku drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës raportuan për kërcënimet ndaj sigurisë së vendit.

Jaeger tha se përballja me Rusinë ka hyrë në një fazë të re dhe më të rrezikshme. Sipas tij, Gjermania mund të përfshihet në një konflikt të armatosur me Moskën.

Lexo më shumë  Kallas: Rusia po rrezikon jetët në Evropë me sulmet hibride

Si shembull të kërcënimeve të reja, ai përmendi edhe përpjekjen për një sulm me dron në aeroportin e Leipzigut.

Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar vazhdimisht për një fushatë hibride ruse, e cila, sipas tyre, përfshin sulme me dronë, aktivitete kibernetike dhe forma të tjera presioni ndaj vendeve evropiane.

Berlini e ka akuzuar Moskën se qëndron pas përpjekjes për sulm me dron në aeroportin e Leipzigut në gusht. Rusia i ka mohuar vazhdimisht akuzat se synon të sulmojë Gjermaninë apo vendet e tjera anëtare të NATO-s.

Edhe presidenti rus, Vladimir Putin, tha të enjten se Moska nuk kërcënon askënd dhe nuk ka ndërmend të sulmojë asnjë shtet, qoftë në vitin 2029, 2030 apo 2050.

Lexo më shumë  Anija turke fundoset pas sulmit me dron në Detin e Zi, dy marinarë të vrarë

Megjithatë, Putin paralajmëroi se Rusia do të përgjigjej në rast të një agresioni ndaj saj.

Paralajmërimet gjermane vijnë në një kohë kur vendet evropiane po rrisin vëmendjen ndaj aktiviteteve që i konsiderojnë pjesë të luftës hibride ruse, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në vlerësimet e sigurisë së Evropës.

YouTube player