Kraki ‘godet’ PDK-në: Hallin e kanë te vetja, jo te Haga
Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Nezir Kraki, thotë se ata që e kanë seriozisht mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës për liri duhet ta kuptojnë rëndësinë e funksionimit të institucioneve.
“Po del që hallin e paskan te vetja, jo te Haga”, ka shkruar Kraki.
Sipas tij, nëse Kosova nuk arrin ta zgjedhë presidentin, vendi rrezikon të mbetet pa institucione me mandat të plotë, çka, sipas tij, do ta dëmtonte edhe përpjekjen për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë.
“Sepse… Kush e ka seriozisht mbrojtjen e atyre në Hagë dhe mbrojtjen e luftës sonë për liri e kupton që nëse s’ka sonte President, nesër s’ka as Kuvend”, ka deklaruar ai.
Kraki ka paralajmëruar se mungesa e institucioneve me mandat të plotë mund ta zbehë shpresën për një rezultat pozitiv në procesin e apelit, ndërsa vendi mund të futet sërish në një proces zgjedhor.
“Shkurt e shqip, pa institucione me mandat të plotë zbehet shpresa për fitore në apel, por gjithashtu futemi në garë zgjedhore e kur të kryhen zgjedhjet e reja, dënimet në Hagë bëhen definitive”, ka shkruar deputeti i Guxo-s.
Në fund, Kraki u ka bërë thirrje subjekteve politike që, sipas tij, të ndalin përplasjet dhe të punojnë për funksionalizimin e institucioneve.
“Atëherë, a po i ndalni filmat e hajdeni me kry punë. Tani me institucione e me ligj e me krejt çka mundemi ia msyjmë Hagës bashkë. Bile edhe juve që e keni veten hall ju mbrojmë”, ka përfunduar Kraki.
Rruga Press

