KryesoreLajme

SHBA njeh AKA-në si autoritet akreditues, Haxhiu e cilëson këtë një arritje të madhe për arsimin e lartë

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar njohjen e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë (CHEA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si një arritje të jashtëzakonshme për Kosovën dhe sistemin e arsimit të lartë.

Sipas Haxhiut, kjo njohje ndërkombëtare e forcon besimin në cilësinë e diplomave kosovare dhe rrit mundësitë për studentët në tregun global të punës dhe dijes.

Lexo më shumë  Ftesë speciale dhe takime kyçe – Ministri Ejup Maqedonci merr pjesë në SAHA EXPO 2026 në Turqi

Ajo ka theksuar se statusi i “autoritetit akreditues” për një periudhë shtatëvjeçare nga CHEA është rezultat i reformave, profesionalizmit dhe punës së vazhdueshme për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.

“Kjo është një arritje e rëndësishme edhe për diasporën tonë, sepse ata tani mund të zgjedhin të studiojnë në Kosovë, me sigurinë se diplomat e tyre do të njihen dhe vlerësohen në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo shtoi se kjo arritje përbën edhe përgjegjësi për institucionet vendore, duke theksuar se standardet e arritura duhet të ruhen dhe të forcohen vazhdimisht.

Në fund të reagimit të saj, Haxhiu ka uruar Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe të gjithë kontribuuesit në këtë proces, duke shprehur urime të veçanta për studentët e Kosovës.

YouTube player