Sa i ka kushtuar botës pandemia?
Nga Andrew Sheng & Xiao Geng
“Project Syndicate”
Ndërsa pandemia e Covid-19 hyri në vitin e saj të tretë, Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një bum vazhdueshëm të bursave, ndërsa suficiti tregtar global i Kinës shënoi nivele rekord. Ka arsye të besohet se këto tendenca nuk do të zgjasin shumë.
Dhe kjo sepse Rezerva Federale e SHBA-së, është e vendosur ta shtrëngojë politikën monetare përballë inflacionit në rritje, ndërsa tregu i aksioneve të SHBA-së ka filluar të bjerë. Por edhe nëse rritja tregtare apo eksportet e fuqishme në ekonomitë më të mëdha të botës do të vazhdonin, shumica e njerëzve po përjetojnë vështirësi dhe ankth. Ne nuk duhet ta harrojmë këtë, e lëre më imperativin e ndryshimit sistematik.
Gjatë reagimit ndaj pandemisë, politikë-bërësit janë përballur me një dilemë të tmerrshme:ta mbajnë ekonominë të hapur, dhe të rrezikojnë më shumë vdekje nga COVID-19, ose të vendosin bllokime dhe të shkatërrojnë mjetet e jetesës.
Siç e thekson ekonomisti i Universitetit Vanderbilt, W.Kip Viscusi, një mënyrë për të thjeshtuar shkëmbimin midis përfitimeve të reduktimit të rreziqeve shëndetësore dhe kostove në ekonomi, është të “monetarizosh” vdekjet nga Covid-19.
Duke përdorur si njësi matëse Vlerën e një Jete Statistikore (VSL), Viscusi zbuloi se kostoja e vdekjeve nga Covid-19 në gjysmën e parë të 2020-ës, arriti në 1.4 trilion dollarë në SHBA dhe 3.5 trilion dollarë në nivel global. Edhe pse SHBA-ja përbënte 25 për qind të numrit të vdekjeve, pjesa e saj në koston globale të vdekshmërisë ishte 41 për qind, pasi vendet më të pasura kanë një VSL më të lartë.
Jeta e një amerikani vlerësohet në aspektin e produktivitetit që i jep ekonomisë në11 milionë dollarë, dhe e një afgani vetëm 370.700 dollarë. Nëse dikush bën të njëjtën llogari për vdekjet e raportuara zyrtarisht deri në fundin e vitit 2021 – që janë gjithsej rreth 5.6 milionë – kostoja e vdekshmërisë do të ishte 38 trilionë dollarë, ose 40 për qind e PBB-së globale.
Nga ana tjetër, nëse bazohemi në vlerësimet e“The Economist” për shifrën e vërtetë të vdekjeve nga pandemia – afër 17 milionë -atëherë dëmi rritet në 114 trilionë dollarë, ose 120 për qind e PBB-së. Kina iu qas shumë ndryshe nga SHBA-ja dilemës që solli pandemia, duke zgjedhur të mbronte jetët e njerëzve nëpërmjet bllokimeve të rrepta, madje edhe në kurriz të zhvendosjeve më të mëdha ekonomike.
Në rast se Kina do të kishte të njëjtën shkallë infektimesh si SHBA-ja, dhe të njëjtën shkallë vdekshmërie (pak më shumë se 2.9 për qind), vdekjet totale të saj nga Covid-19 do të kishin arritur në 4.1 milion, në vend të 4.849 që ka regjistruar zyrtarisht.
Një VSL e Kinës prej 2.75 milionë dollarësh për person, nënkupton se kjo do të kishte nënkuptuar një humbje shtesë prej 11.3 trilionë dollarësh, ose 67 për qind të PBB-së deri në vitin 2021. Duke pasur parasysh faktin që ekonomia e Kinës ka ecur relativisht mirë gjatë pandemisë, pavarësisht bllokimeve, duket e drejtë të arrihet në përfundimin se qasja e Kinës çoi në kosto më të ulëta të përgjithshme.
Në çdo rast, kostot aktuale të pandemisë së Covid-19 janë më të larta se sa tregojnë rezultatet e VSL. Duke bërë bashkë vdekshmërinë, sëmundshmërinë, problemet e shëndetit mendor dhe humbjet e drejtpërdrejta ekonomike, ish-Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Larry Summers dhe ekonomisti i Universitetit të Harvardit, David M.Cutler vlerësojnë se SHBA-ja pësoi një humbje prej 16 trilionë dollarësh, ose sa 90 për qind e PBB-së, vetëm në vitin 2020.
Pavarësisht këtyre kostove të larta, dilema me të cilën përballet një vend si SHBA apo Kina, është më pak e vështirë sesa ajo me të cilën përballen ekonomitë më të varfra në zhvillim. Me borxhe të mëdha dhe me një aftësi të kufizuar për të marrë hua, qeveritë e këtyre vendeve kanë pasur pak mundësi për të rimëkëmbur ekonomitë e tyre. Mungesa e vaksinave dhe sistemet e dobëta shëndetësore, i kanë bërë ato edhe më të prekshme.
Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi kohët e fundit se për shkak të pandemisë, të ardhurat në 40 shtete të brishta dhe të prekura nga konflikti, po bien edhe më tej. Dhe nuk është e vështirë të kuptosh arsyet:këtyre vendeve u mungojnë kapacitetet apo burimet institucionale për të menaxhuar apo zbutur në mënyrë efektive rreziqet sociale, ekonomike, politike, të sigurisë dhe ato mjedisore.
Tashmë, dhuna është në nivelin më të lartë të 30 viteve të fundit në nivel global. Shtetet e brishta – ku banojnë gati 1 miliardë njerëz – mund të përbëjnë 60 për qind të të varfërve në botë deri në vitin 2030. E gjithë kjo po e dëmton ekonominë globale.
Raporti i fundit i raportit të Bankës Botërore për Perspektivat Ekonomike Globale, parashikon se rritja globale do të ngadalësohet nga 5.5 për qind në vitin 2021 në 4.1 për qind në vitin 2022 dhe 3.2 për qind në vitin 2023.
Pas këtij parashikimi janë kërcënimet që vijnë nga variantet e reja të Covid-19, rritja e inflacionit, borxhi në rritje, pabarazia në rritje dhe sfida shqetësuese të sigurisë. Ekonomistët si Viscusi, Summers dhe stafi i FMN-së dhe Bankës Botërore, analizojnë opsionet e politikave dhe pasojat e tyre në terma të kostove monetare ose PBB-së.
Por dilema me të cilën ballafaqohen politikë-bërësit është në thelb morale, e rrënjosur jo vetëm tek pyetja se kur preferencat individuale duhet të mbizotërojnë mbi interesat kolektive. Pavarësisht nga saktësia e dukshme e llogaritjeve kosto-përfitim, pandemia është tek e fundit një sfidë sistematike që është e ndërlidhur me të tjerat, nga pabarazia te ndryshimet klimatike.
Dhe nuk ka zgjidhje të thjeshta. Siç argumentoi së fundmi Minouche Shafik, drejtori i Shkollës së Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër, pandemia e ka bërë të qartë nevojën për një kontratë të re sociale të përshtatshme për sfidat bashkëkohore.
Kontrata e vjetër shoqërore i kishte rrënjët në Kodin e Dominimit, i mishëruar në Zanafillën 1:26, kur Zoti tha:“Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës tonë, sipas ngjashmërisë tonë, për të sunduar mbi peshqit e detit dhe zogjtë e qiellit, mbi bagëtinë dhe mbi të gjithë Tokën dhe çdo krijesë që zvarritet mbi të”.
E megjithatë, jo të gjithë njerëzve iu dha i njëjti autoritet. Në vitin 1493, Doktrina e Zbulesës e Kishës Katolike u dha të krishterëve të drejtën për të skllavëruar jo të krishterët, dhe për të marrë pronën e tyre. Kjo doktrinë pati jehonë në SHBA edhe në vitin 1823, kur Gjykata e Lartë vendosi se shteti kishte më shumë të drejta sesa njerëzit indigjenë.
Siç tregojnë antropologu i ndjerë David Graeber dhe kolegu i tij David Wengrow, idetë e lirisë dhe barazisë që udhëhoqën Iluminizmin Evropian, u formësuan nga kontakti i parë i evropianëve me indianët e Amerikës së Veriut.
Kontrata sociale që na nevojitet, duhet të pasqyrojë forcat dhe vlerat që i japin formë botës në të cilën jetojmë sot, përfshirë ndërlidhjet e thella midis ekonomive dhe shoqërive tona, vlerën e qenësishme të të gjithë njerëzve, dhe sfidën e përbashkët ekzistenciale të ndryshimit të klimës. Sot, zgjedhja nuk është të dominosh apo të dominohesh; por të punojmë së bashku ose të shfarosemi së bashku./bota.al/
Shënim: Andrew Sheng, anëtar i Institutit Global të Azisë në Universitetin e Hong Kongut.
Xiao Geng, kreu i Institucionit të Hong Kongut për Financat Ndërkombëtare.
Rruga Press