Art & Kulturë

Rexhep Ismajli: Peter Bartl – albanolog i dorës së parë, studiues i autoritetshëm

Kur flitet për studimet që kanë bërë në albanologji shkencëtarët e botës gjermanofolëse, akademik Rexhep Ismajli shpesh përmend historianin Peter Bartl.

Vdekja e Bartl-it për anëtarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, është një prej lajmeve më të rënda për albanologjinë.

Të enjten në mbrëmje akademik Ismajli ka thënë se kumti për shuarjen e “historianit të shquar, albanologut të dorës së parë Peter Bartl, profesor i Universitetit të Mynihut, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, specialist i historisë së Europës Lindore dhe Juglindore me vështrime krejtësisht të veçanta për Ballkanin dhe për shqiptarët dhe hapësirat shqiptare”, ishte një kumt vërtet i zi. Akademik Ismajli ka thënë se profesor Peter Bartl njihet me dekada tashmë si një nga autoritetet e rëndësishme në studimet historiografike për Ballkanin. Sipas tij, për historinë shqiptare studimet dhe puna e tij kanë rëndësi të dorës së parë në disa drejtime.

“Më herët ai ishte marrë me periudhën e Lëvizjes Kombëtare (1878-1912), konkretisht me myslimanët shqiptarë të asaj kohe, për çka kishte botuar një monografi me vlerë qysh më 1968, pastaj studimet e tij i kishte zgjeruar në hapësirën e Ballkanit Perëndimor në gjendjen midis Monarkisë Spanjolle dhe Perandorisë Osmane në kapërcyell të shekujve 16 e 17, për t’u kthyer pastaj te lëvizjet e tjera ndër arbër/shqiptarë, si për shembull historia e periudhës së Skënderbeut, historia e fiseve të veçanta shqiptare të veriut, gjendja kulturore e fetare ndër shqiptarët e veriut, zhvillimet kulturore ndër shqiptarë në shekullin 19, etj”, ka thënë Ismajli. Ka treguar se i duket me rëndësi të dorës së parë puna e gjerë e profesor Peter Bartlit për botimin e dokumenteve dhe të materialeve arkivore nga shekulli 17 e më vonë nga burimet e Vatikanit dhe të Romës, “ku përfshihen burime dhe materiale për historinë shqiptare në shekujt 17 e 18 I dhe II 1975/ 1980 dhe sidomos 5 vëllimet e mëdha me dokumentet për të gjitha dioqezat shqiptare nga Vatikani e Roma me titullin e përbashkët “Albania Sacra”.

Sipas akademik Ismajlit, përgatitja dhe botimi i dokumenteve nga Peter Bartl mbetet gjithnjë shembullore dhe tërësisht e përshkuar nga historiani që tërë punën e tij “e mbështet në dëshmi, fakte dhe dokumente, kuptohet, duke bërë dhe interpretimet e nevojshme”. Ka përmendur se Bartl ka botuar dhe një histori të Shqipërisë, po edhe shumë ndihmesa të tjera në këto fusha.

Lexo më shumë  Kartolina, dritarja prej ku bota u njoh dhe u magjeps me bukurinë e gruas dhe veshjen tradicionale shqiptare

“Me shuarjen e tij, historiografia gjermanishtfolëse për Ballkanin dhe për Europën Juglindore humbet një nga punonjësit më të përkushtuar me synime për vrojtime objektive dhe me rezultate të shënuara. Historiografia shqiptare në përgjithësi humbet një nga studiuesit më të autoritetshëm, një kontribuues të jashtëzakonshëm për ndriçimin e fazave të caktuara të historisë shqiptare, një nga botuesit më skrupulozë të materialeve arkivore dhe të burimeve për këtë histori”, ka thënë ai.

E ka përshkruar si person gjithnjë të heshtur dhe veprues në prapavijë që i ka ndihmuar këto studime me ndihmesa, të cilave me kohë vjen e u rritet vlera. Ka thënë se Peter Bartl hyn ndër autoritetet midis studiuesve të Europës Qendrore për Ballkanin dhe Europën Juglindore.

“Për studimet shqiptare në Mynih veprimtaria dhe angazhimi i tij nga pozita e departamentit të historisë kanë qenë të rëndësishme edhe për punën dhe bashkëpunimin me departamentin e gjuhës shqipe në kuadër të studimeve krahasuese. Nga ky bashkëpunim kanë dalë dhe studiues të njohur me përgatitje jo vetëm shkencore historiografike, po edhe me njohje të gjuhës shqipe”, ka thënë akademik Ismajli, i cili ka shprehur ngushëllime të përzemërta për familjen dhe të gjithë kolegët me të cilët Bartl bashkëpunonte ngushtë.

Si personalitet me vlera të larta shkencore Bartlin e ka vlerësuar edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti. Ai ka shkruar se me keqardhje mësoi për vdekjen e historianit dhe studiuesit gjerman, Peter Bartl, i cili mbetet padyshim një nga njohësit më të mirë të studimeve shqiptare në botën gjermanofone.

“Me hulumtimet e tij për çështjen shqiptare dhe Kosovën, profesor Bartl ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme shkencore. Duke punuar për dekada si profesor i historisë së Evropës Lindore dhe Juglindore në Ludwig-Maximilians-Universität München, ai ka krijuar edhe ‘Albanien-Institut’ dhe bibliotekën me botime të historisë shqiptare, e cila konsiderohet një prej bibliotekave më të mëdha të studimeve shqiptare jashtë Kosovës dhe Shqipërisë”, ka shkruar në Facebook studiuesi dhe ambasadori Ajeti. Duke e vlerësuar si një specialist të historisë shqiptare, Ajeti ka renditur disa vepra të Bartlit, si “Der Westbalkan zwischen spanischer Monarchie und osmanischem Reich. Zur Türkenkriegsproblematik an der Wende vom 16. zum 17 Jahrhundert”, Wiesbaden 1974, “Grundzüge der jugoslawischen Geschichte”, Darmstadt 1985, “Albanien. Vom Mittelalter bis zur Gegenëart”, Regensburg 1995, “Die Albaner in der europäischen Geschichte. Ausgeëählte Aufsätze”, Londër 2016”. “Përjetësisht mirënjohës angazhimit të madh të profesor Bartl-it për çështjen shqiptare”, ka shkruar Ajeti.

Lexo më shumë  Kartolina, dritarja prej ku bota u njoh dhe u magjeps me bukurinë e gruas dhe veshjen tradicionale shqiptare

Peter Bartl u lind më 26 nëntor 1938 në Cottbus në ish-Gjermaninë Lindore. Në vitet 1957-1965 studioi në degët Histori e Europës Lindore, Sllavistikë dhe Turkologji në universitetet e Göttingenit dhe të Mynihut. Në vitin 1974 kreu shkallën e dytë të doktoratës në Universitetin e Mynihut pranë historianit të mirënjohur Georg Stadtmüller. Në vitin 1980 fitoi vendin e profesorit ordinar për Histori të Europës Lindore dhe Juglindore. Këtë post e mbajti deri në vitin 2005, kur doli në pension. Menjëherë pas vdekjes së Georg Stadtmüllerit (1975), Peter Bartl mori postin e drejtuesit të Institutit të Shqipërisë (1976), post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.

Më 2012, asokohe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, do ta dekoronte albanologun e shquar me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Mikut të Shqiptarëve, personalitetit të shquar të shkencave albanologjike, një nga studiuesit dhe njohësit më kompetentë në Evropë lidhur me historinë e shqiptarëve, në të gjithë trojet ku jetojnë në Ballkan, si dhe të diasporës historike shqiptare në Greqi e Itali, vazhduesit të traditës së shkëlqyer të Shkollës Albanologjike të Mynihut, mbi studimet shqiptare”.
Në mungesë të Bartl-it, “Medaljen e Mirënjohjes” do ta marrte kolegu i tij Bardhyl Demiraj, i cili përcolli edhe mesazhin e Bartl-it, i njohur në shkencat humane si “Historicus Albaniae” (Historiani i Shqipërisë): “Janë mbushur ndërkohë thuajse 50 vjet që jam i angazhuar me Historinë e Shqipërisë dhe nuk jam penduar ndonjëherë që fillova të merrem me të. Në Historinë e Shqipërisë ka aq shumë fusha dhe periudha, të cilat nuk janë hetuar ende në mënyrë shteruese. Kështu që Historia e Shqipërisë është për historianin një lëmë, që ia vlen vërtet të përpunohet”, kishte shkruar ai. Dekorimin nga Shqipëria do ta cilësonte si një tjetër nxitje, që të vijonte më tej punën e tij.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *