Bota

Rënia dhe ngritja e superfuqive më të mëdha

Nga Michael J. Mazarr, Foreign Affairs

Pushtimi i Rusisë në Ukrainë, dhe mbështetja e nënkuptuar e Kinës ndaj kësaj përpjekje të dhunshme për ta përmbysur rendin aktual ndërkombëtar, e ka rritur konkurrencën strategjike që dikton tani politikën e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Ajo që deri më sot mund të dukej si një sfidë abstrakte dhe e çuditshme, është bërë befas reale, emergjente dhe e rrezikshme. Në kundërpërgjigje, shumë zyrtarë dhe analistë amerikanë kanë bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të përmirësojnë aftësitë e tyre ushtarake, të forcojnë mbrojtjen e tyre dhe të investojnë në teknologjitë kryesore.

Sipas pikëpamjes së tyre, suksesi në garën midis fuqive të mëdha, varet nga grumbullimi i fitoreve në një seri garash individuale për epërsi.

Por historia na jap një leksion tjetër.

Kombet nuk dominojnë përmes përvetësimit të aftësive teknologjike apo ushtarake, apo edhe duke imponuar vullnetin e tyre në çdo krizë apo luftë. Fuqitë e mëdha mund të bëjnë shumë gabime – të humbasin luftëra, aleatë, madje edhe avantazhin e tyre ushtarake  dhe të triumfojnë sërish në garat afatgjata.

Në luftën për avantazh midis fuqive botërore, nuk është fuqia ushtarake apo ekonomike, ajo që bën diferencën vendimtare, por cilësitë themelore të një shoqërie: karakteristikat e një kombi që gjenerojnë produktivitet ekonomik, inovacion teknologjik, kohezion social dhe vullnet kombëtar.

Këto pika të forta të brendshme, janë në fakt blloqet ndërtuese të fuqisë ndërkombëtare. Por që të bëjnë të mundur suksesin e një vendi, ato duhet të përforcojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin. Dhe nuk duhet të dalin jashtë ekuilibrit. Pasi ambiciet e tepërta kombëtare, mund të çojnë në sforcim, duke rrezikuar vendin.

Nga ana tjetër, vendet me shumë pak ambicie, diversitet apo vullnet për të mësuar dhe u përshtatur, rrezikojnë të fillojnë një cikël negativ që mund të çojë në rënie kombëtare.

Sot, Shtetet e Bashkuara kanë mangësi në shumë nga cilësitë që e nxitën ngritjen e saj gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të.

Nëse dëshiron të rifitojë avantazhin e saj konkurrues  dhe të dominojë në garat e saj aktuale me Kinën dhe Rusinë, SHBA duhet të bëjë më shumë sesa thjesht të shpenzojë më shumë sesa rivalët e saj për mbrojtjen apo teknologjitë e avancuara ushtarake.

Ajo do të duhet të ushqejë cilësitë që i bëjnë fuqitë e mëdha dinamike, novatore dhe adaptive. Dhe studimet tregojnë se janë 7 tipare thelbësore që duhen pasur parasysh.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Karakteristika e parë thelbësore, është një version i nxitjes së ambicieve kombëtare. Drejtimi i ambicies kombëtare kërkon përkushtimin e një populli të tërë për të fituar njohuri dhe ndikim mbi botën e tyre: për të eksploruar dhe kontrolluar, për të kuptuar dhe drejtuar.

Përveçse kanë një ambicie kombëtare të fortë, shoqëritë shumë konkurruese priren t’i ndajnë mundësitë midis qytetarëve të tyre. Ato ofrojnë shumë rrugë drejt suksesit dhe përjashtojnë relativisht pak segmente të popullsisë së tyre nga rolet prodhuese, kjo të paktën në krahasim me rivalët e tyre kryesorë.

Në këtë mënyrë, ato përdorin një pjesë të lartë të talentit të tyre në dispozicion dhe ofrojnë perspektiva reale për një pjesë të gjerë të popullsisë së tyre. Dhe përgjatë historisë, kombet që ndajnë mundësitë mes qytetarëve të tyre kanë fituar një avantazh ndaj atyre që nuk e bëjnë këtë.

Politika e Romës e dhënies së shtetësisë për popujt e pushtuar, dhe përfshirjen e skllevërve të liruar në role të rëndësishme shoqërore, i dha asaj avantazhe ekonomike dhe ushtarake. Po kështu, lëvizja sociale e ofruar nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, u dha këtyre fuqive një avantazh ndaj fuqive që kishin më shumë kufizime shoqërore në Europën kontinentale.

Kjo i ndihmoi shumë në përparimin e tyre të jashtëzakonshëm ekonomik dhe shkencor në shekujt XIX-XX.

Një karakteristikë tjetër që stimulon konkurrencën kombëtare, është një identitet kombëtar i përbashkët dhe koherent. Shoqëritë më konkurruese i ndërtojnë arritjet e tyre mbi themelin e një identiteti të fortë grupor të përbashkët, pra të një ndjenje kombësie.

Ky identitet i përbashkët i ndihmon kombet jo vetëm të shmangin pengesat konkurruese të fragmentimit dhe konfliktit politik dhe etnik, por u jep mundësi të mbledhin mbështetjen popullore për përpjekjet konkurruese.

Për shembull, Britania ka pasur avantazhin e hershëm të të qenit një komb. Ndërkohë edhe ngritja e Japonisë si një fuqi industriale dhe ushtarake, si në Periudhën e dinatisë Meixhiashtu edhe në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore u nxit pjesërisht nga një identitet kombëtar unifikues.

Shembulli më i dukshëm i një shteti aktiv që gjeneron avantazhe konkurruese janë Shtetet e Bashkuara, nga politikat e saj të hershme industriale, tek mbështetja e mëvonshme shtetërore për kërkimin dhe zhvillimin dhe teknologjitë specifike. Qytet-shtetet e Rilindjes Italiane dhe Mbretëria e Bashkuar dhe Japonia moderne janë gjithashtu shembuj të mirë.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Ndërkohë Spanja  dhe Perandoria Osmane nuk zhvilluan asnjëherë qasje koherente dhe të qëndrueshme për të sponsorizuar elementët kryesorë të fuqisë kombëtare, dhe konkurrueshmëria e tyre ishte e dobët.

Ndërkohë, shteti aktiv nga ana tjetër mbështetet në një tipar tjetër të shoqërive konkurruese: institucionet efektive sociale. Siç e kanë treguar në studimet e tyre ekonomistët Daron Açemoglu, Daglas North dhe Xhejms Robinson, institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse e nxisin rritjen ekonomike, e forcojnë legjitimitetin e shtetit, u përgjigjen sfidave sociale dhe prodhojnë fuqi ushtarake efikase.

Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar një parlament kombëtar shekullor, një sektor i fortë financiar dhe një marinë e fuqishme, ndihmoi në ngritjen ekonomike dhe gjeopolitike të vendit.

Nga ana tjetër rënia e Bashkimit Sovjetik, zbuloi se çfarë ndodh kur institucionet bëhen të korruptuara dhe joefektive. Por shumica e shoqërive konkurruese ndajnë edhe një karakteristikë tjetër: ato priren t’i vënë një theks të fortë social mësimit dhe përshtatjes.

Ato janë të motivuara nga dëshira për të krijuar, eksploruar dhe mësuar. Në vend se të mbeten peng i traditës, ato përqafojnë përshtatjen dhe eksperimentimin dhe janë të hapura ndaj risive në politikat publike, modelet e biznesit, konceptet dhe doktrinat ushtarake por edhe në art dhe kulturë.

Përgjatë historisë, nga Athina në Romë, në Britaninë e Madhe industriale dhe Shtetet e Bashkuara, suksesi ka qenë i lidhur ngushtë me kuriozitetin e gjerë intelektual dhe përkushtimin për të mësuar.

Studimet më të fundit, ofrojnë dëshmi mbi një marrëdhënieje pozitive midis përkushtimi ndaj arsimit në fushën e teknologjisë moderne dhe rritjes dhe inovacionit, si dhe një marrëdhënie midis arritjeve arsimore dhe rritjes ekonomike të një vendit.

Së fundmi, shumica e kombeve dinamike dhe konkurruese bartin një shkallë të konsiderueshme diversiteti dhe pluralizmi. Një gamë e gjerë përvojash dhe këndvështrimesh, ndihmon në gjenerimin e më shumë ideve dhe talenteve që nga ana e tyre mbështesin fuqinë kombëtare.

Po ashtu, pluralizmi i forcon organizatat dhe institucionet, duke i detyruar ato të vazhdojnëkonkurrencën.

Kombet fitojnë një avantazh të jashtëzakonshëm konkurrues nëse kanë në krye një elitë aktive, që e mbron interesin publik, dhe që është përfaqësuese e shoqërisë më të gjerë dhe e lidhur me të nëpërmjet rrugëve të lëvizshmërisë sociale. Por kur elita e një kombi, ose pjesa më e madhe e saj bëhet e korruptuar, dinamizmi, qëndrueshmëria dhe avantazhi konkurrues i atij kombi do të zbehen. /Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *