KryesoreOpinion/Aktualitet

Ramizi humb edhe nëse fiton

Nga Bekim Qoku

Ai humb edhe nëse fiton, sepse fitues do ta bëjë gjykata e kapur nga vetë ai dhe që gëzon vetëm 2% besimin e popullatës, dhe ai humb nëse gjykata e nxjerr humbës dhe konfirmon pretendimin tim që ai është i korruptuar.

Seanca e dytë gjyqësore vazhdon në 15 shkurt në Gjykatën Themelore të Strugës.

Ramiz Merko nuk është simbol por emblema e korrupsionit, e BDI-së në veçanti dhe e kësaj shumice qeverisëse në përgjithësi. Pasurimi i pa masë i tij dhe i familjes së tij, dëmi kolosal dhe i pakorrigjueshëm që ka bërë me universitetin e tij, rrënimi i besimit në institucione dhe gjykata për shkak të ndërhyrjeve, krimi i organizuar që ka shtrirë me bandat dhe të fortët në qytetin e Strugës dhe më gjerë, ka marrë ato përmasa sa u detyrua Departamenti Amerikan i Shtetit ta sanksionojë duke e futur në Listën e zezë amerikane.

Një nga arsyet përse BDI e ka jetike të mbesë sa më gjatë në qeveri, dhe që është kaq e paskrupullt në metodat e saj, është sepse vetëm në këtë mënyrë ajo mund t’i mbrojë figurat tejet të korruptuara dhe inkriminuara sidomos në radhët e saj, por edhe figurat me të cilat ajo ka bashkëpunim të ngushtë në krim.

Lexo më shumë  Kurti: Interesi i Beogradit është të flitet për dialog pa u përmendur Marrëveshja e Brukselit

Ai më padit sepse e paskam ofenduar duke e cilësuar të korruptuar në një postim në rrjetet sociale. Nuk kaluan tre ditë pasi mora thirrjen e gjykatës, DASH shpalli atë Non Grata. Ironia është se akuzat e DASH ndaj tij ishin shumë më të rëndë dhe substanciale sesa pretendimi im i botuar në Facebook.

Kur shumica besonin se z. Merko do të tërhiqet nga kjo padi për shkak se tani DASH e konfirmon pretendimin tim që ai është i korruptuar, bile i korruptuar rëndë, aq rëndë saqë sanksionohet bashkë me familjen, ai këmbëngul edhe më fuqishëm për ta çuar këtë proces kundër meje deri në fund.

Po pse është kaq këmbëngulës Ramiz Merko? Çfarë e motivon atë të vazhdojë procesin gjyqësor? Çfarë e trimëron atë që nga ky proces do të dalë fitimtar? Dhe çfarë do të arrijë ai nëse gjykata vendos në favor të tij?

Z. Merko e di që në bankën e të paditurve nuk jam vetëm unë, por bashkë me mua është edhe DASH. Nëse gjykata vendos kundër meje, ajo tërthorazi vendos edhe kundër Departamentit amerikan. Pra, duke e larë veten nga pretendimet e mija, ai njëkohësisht e lan edhe nga akuzuat e shtetit amerikan.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Kosova një destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime

Po ku mbështetet besimi i z. Merko se do të dalë ngadhënjyes? Pikërisht nga sistemi i kalbur dhe i kapur gjyqësor dhe natyrisht nga kolegët e tij partiakë në pushtet. Ai e di se, betejën gjyqësore për t’u pastruar nga akuzat për korrupsion, nuk e bën vetëm për veten e tij, por edhe në emrin e shumë bashkëpunëtorëve të tij që janë tashmë në Listën e zezë. Shfajësimi i tij, do të thoshte shfajësim për të gjithë listëzezët. Kolegët e tij të BDI-së dhe koalicionit po bëjnë çmos që përmes kornizave ligjore t’i vjetërsojnë lëndët e hapura në mënyrë që mos i zërë ligji. Me një fjalë, qeveria e Ramiz Merkos bashkë me aleatët duan të legalizojnë aktet korruptive dhe vjedhjet që janë bërë në të kaluarën e afërt.

Megjithatë, po e përsëris, ai luftën e ka të humbur edhe nëse e fiton këtë betejë në gjykatën që gëzon vetëm 2% të besimit të popullatës.

Bekim Qoku është kandidat për deputet në Maqedoni të Veriut, nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i cili do të garojë në listat e koalicionit të opozitës LEN.

Rruga Press

YouTube player