KryesoreLajme

Rama ‘shpall diktaturën’: Policia merr fuqi absolute për të ndaluar tubimet dhe për të censuruar rrjetet sociale

Qeveria ka miratuar goditjen e radhës ndaj të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, duke shfrytëzuar instrumentin e Aktit Normativ për të anashkaluar debatin parlamentar e për të vendosur kontroll të rreptë policor mbi protestat publike. 

VNA ka siguruar dokumentin e plotë të relacionit për ndryshimet në ligjin nr. 8773 “Për tubimet”, i cili zbulon planin e ekzekutivit për të ngushtuar drastikisht hapësirën demokratike dhe për të intimiduar qytetarët që dalin në shesh. Nën pretekstin e “forcimit të mbrojtjes së rendit e të sigurisë publike”, ndryshimet e propozuara i japin Policisë së Shtetit fuqi diskretizuese dhe gati-gjyqësore, duke kthyer shtetin e së drejtës në një shtet policor. 

Sipas dokumentit të zbuluar nga VNA, neni 12/1 i draftit i jep të drejtë policisë të bllokojë zona të tëra të qytetit. Në relacion thuhet shprehimisht:

“Kur ka rrezik real, serioz e të afërt, të bazuar në fakte konkrete, për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, për një periudhë jo më të gjatë se 72 orë.” 

Mjafton pra një vlerësim i brendshëm subjektiv i policisë për të izoluar krejtësisht qendrat e qyteteve. Për më tepër, sistemi i mbrojtjes ligjore çaktivizohet në mënyrë procedurale. Relacioni specifikon se edhe pse qytetarët mund ta ankimojnë vendimin në gjykatë brenda 48 orëve, “ankimi nuk e pezullon zbatimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe”. Kjo do të thotë se deri sa gjykata të shprehet, protesta do të jetë shuar dhe afati 72-orësh do të ketë skaduar. 

Lexo më shumë  FSK-së i vijnë kamionë nga Gjermania

Plani shkon edhe më tej me nenin 12/2, ku çdo punonjësi policie i jepet tagri të nxjerrë urdhra largimi individual nga e ashtuquajtura “zonë e mbrojtur”: 

“Punonjësi i Policisë së Shtetit mund të urdhërojë një person të largohet nga një zonë e mbrojtur për një periudhë jo më të gjatë se 48 orë, kur personi, me sjelljen e tij konkrete, kanos, ngacmon në mënyrë të përsëritur ose ushtron dhunë ndaj personave, dëmton pronën ose pengon me dhunë aksesin dhe përdorimin e zonës.” 

Dokumenti zbulon gjithashtu një ndërhyrje flagrante në lirinë e shprehjes online përmes nenit 19/1. Policia e Shtetit merr atributin të identifikojë llogaritë në rrjetet sociale dhe t’u dërgojë mesazhe përdoruesve duke u kërkuar fshirjen e përmbajtjeve që ajo vetë i vlerëson si thirrje për dhunë: 

“…Policia e Shtetit, pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike dhe/ose numrin e telefonit… i dërgon mbajtësit… një njoftim… me anë të të cilit i kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla…” 

Kjo hap rrugën për censurë paraprake të kritikave politike e thirrjeve për protestë, pa asnjë filtrues apo kontroll paraprak gjyqesor.

Për t’i dhënë goditjen përfundimtare pjesëmarrjes qytetare, draft-ligji parashikon një ashpërsim drastik të gjobave administrative në nenin 24/1. 

Pjesëmarrja në tubime të ndaluara dënohet “me gjobë në masën nga 10 000 deri në 100 000 lekë”. Masat bëhen akoma më represive për ata që mbrojnë identitetin e tyre, ku relacioni parashikon se mosbindja ndaj urdhrit të policisë kur personi është me identitet të fshehur “dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë”. 

Lexo më shumë  Adnan Rrustemi: Po hartohet strategjia shtetërore për fazën e apelit në Hagë

Goditja përfundimtare u jepet protestave masive përmes penalizimit të bllokimit të rrugëve: 

“Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi… përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo person fizik (individ), që merr pjesë në bllokim…” 

Këto masa disproporcionale financiare synojnë qartësisht ndërtimin e një efekti frikësues (chilling effect), ku kostoja e protestës bëhet e papërballueshme për qytetarin e thjeshtë.

Dokumenti legalizon gjithashtu regjistrimin audiovizual masiv nga ana e policisë gjatë tubimeve, ku përcaktohet se: 

“Përjashtimisht, Policia e Shtetit regjistron me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë tubimit…” 


Kjo masë, e parë në kontekstin e një klime represive, shërben si mjet për survejimin e opozitës dhe dekurajimin e pjesëmarrjes publike përmes frikësimit teknologjik.

Përdorimi i një Akti Normativ – që kalon pa debat të mirëfilltë publik dhe parlamentar – për të kufizuar të drejtën kushtetuese të tubimit zbulon frikën e pushtetit nga reagimi qytetar. Përmes këtij dokumenti, qeveria nuk po kërkon të garantojë protestat paqësore, por të ligjërojë kontrollin e plotë policor mbi çdo formë të revoltës publike. 

Ekskluzive / VNA zbulon aktin e qeverisë: Policia merr fuqi absolute
YouTube player