EditorialKryesore

Rama do inspektojë me satelitë tokat e braktisura apo produktet nga Serbia?

Në konferencën për “Bujqësia me Teknologji dhe Inovacion”, kreu i qeverisë tha se inspektimi do të jetë nga qielli dhe s’do të ketë më inspektorë në territor.

Kryeministri Edi Rama e hoqi përgjegjësinë nga vetja për hedhjen e prodhimeve nga fermerët, duke thënë se duhet të mësojnë nga të tjerët që kanë mësuar të fitojnë.

“Mjafton të marrin mundimin dhe të shikojnë si bëjnë të tjerët. Dalin në televizor pamjet e disa fermerëve që hedhin qershitë se nuk i sheshin dot dhe bërtasin për qeverinë se nuk i ndihmon. Kjo do ishte shqetësuese nëse kjo do të ndodhte me qershinë e Shqipërisë, por ka të tjerë që bëjnë sukses. Dhe bëjnë më shumë sukses pikërisht si rezultat i rritjes së çmimeve. Cili është dallimi mes të parëve dhe të dytëve? Është i njëjti territor. Janë të njëjtat struktura, dobësi dhe mangësi. Ja ku janë dy realitete të ndryshme. Këtu e para ata fermerë duhet të marrin mundimin dhe të shkojnë te ata të tjerët dhe të thonë si e bëni ju këtë. Dhe e dyta i takon ministrisë që të ndërtojnë ura komunikimi për të transferuar dijen e krijuar nga njerëzit në territor. Krizën nuk e kemi krijuar ne dhe as nuk e ndalojmë dot ne. Flitet për një dimër të vështirë përpara për mungesa të mëdha. Me rritjen e çmimeve të naftës dhe energjisë”

“Na duhet të shtyjmë më shumë tek teknologjia dhe inovacioni. Nëse mbi 15 mijë fermerë duan naftë, po sa traktorë ka ky vend se nuk del llogaria? Ka një shkallë fiktiviteti. Si do të adresohet? Do të adresohet përmes teknologjisë dhe formalizimit. Nga një anë me regjistrin e tokës dhe vënien në përdorim të dronëve dhe satelitëve, që për shkak të procedurave kanë marrë më shumë kohë, por që do të vijnë brenda këtij viti shpresoj dhe me faturat. Naftën do ta marrësh, por do të sjellësh faturat tani. Do vijë edhe raporti që ti ke marrë naftën dhe e ke shitur. Për atë sasi do të vazhdosh të kompensohesh. Do të kërkojë kohën e vet. 5 mijë të tjerë janë në proces. Ne nuk kemi dashur ta bëjmë të vështirë dhe të lodhshme prandaj ne jemi duke punuar që inspektimin ky vend ta çojë në qiell. Ta bëjë me satelitë, drona dhe jo me inspektorë”, tha Rama. 

Lexo më shumë  Kryeministri në ardhje i Serbisë: Do të mbajmë miqësinë me Kinën e Rusinë, nuk vendosim sanksione për luftën ruse në Ukrainë

Çka nuk theksohet këtu është se fermerët e vegjël apo të mesëm rreken të mbijetojnë vetë si të munden, sepse subvencionimi nga qeveria nuk operon, ose operon pjesërisht, ndoshta edhe me veprime përtejproceduriale.

Tallja dhe ofendimet e vazhdueshme janë mënyra se si kryeministri Rama tenton të heqi qafe përgjegjësitë duke pretenduar të jetë superior mbi popullin që udhëheq. Taktikë të cilën e bën vazhdimisht, jo vetëm sot me fermerët, të cilët i akuzon si të paaftë, gjoja bërtasin kot dhe hedhin produketet sepse nuk dinë, por me këdo që do ketë përballë dhe ka një hall. Paaftësinë e tij dhe mungesën e vullnetit të tij dhe legjislaturës së tij e mbulon duke mbiperformuar me sharje për paaftësi te të tjerët.

Fermerët po lënë investimet në Shqipëri dhe po ikin sërish në emigracion, arsyet – artikull i publikuar nga revista ekonomike Monitor tregon shqetësimet e bujqëve. Mospërballimi i rritjes 25% të kostos së prodhimit, që nisi me ndryshimet e skemës së TVSH në 2019, dhe shtrenjtimin vjet me 27% të çmimit të plastmasës, dyfishimin e çmimeve të inputeve bujqësore e deri te mosgjetja e tregut të shitjes që solli falimentimin e serave dhe rishkuarjen e tyre në emigracion.

Fatmir Ndoja, me origjinë nga Tropoja, investoi në vitin 2010 në fshatin Lunas të Lushnjës, 8 milionë lekë për blerjen e 30 hektarëve tokë bujqësore dhe ngritjen e një serre me sipërfaqe 5 dynymë, me të ardhurat e kursyera pas 11 vitesh punë në emigracion. Në serrë, Fatmir Ndoja kultivonte domate, tranguj, speca dhe bostan.

Në vitet e para, aktiviteti lulëzoi, ndërsa prej 3 vitesh, të ardhurat nga mbjellja e serave janë me humbje. Për shkak të shitjes së prodhimeve nën kosto, Fatmir Ndoja vendosi që këtë vit të mos kultivojë më perime në serrë, por të emigrojë në Gjermani për të punuar në ndërtim kundrejt pagës prej 15 euro/ora.

“Në 2010-n, të ardhurat e kursyera nga puna e emigracionit në Greqi dhe Belgjikë i investova në bujqësi. Investimi fillestar për ngritjen e serës kushtoi 4 milionë lekë. Për blerjen e tokës me sipërfaqe 35 ha, shpenzova 4 milionë lekë të tjera. Në vitet e para, fitimet vjetore nga prodhimi ishin të kënaqshme, arrinin deri në 15,000 euro.

Tashmë prej 3 vitesh vijojmë të prodhojmë perime dhe zarzavate me kosto të lartë, ndërsa i shesim me çmime nën koston e prodhimit. Kjo situatë na ka shkaktuar humbje të larta, të papërballueshme. Për këtë arsye kam vendosur të largohem përsëri në emigracion”, tregon fermeri nga fshati Lunas i Lushnjës, në bisedën e zhvilluar me revistën “Monitor”.

Produktet vendore shkojnë për mbeturina, ndërkohë që një vend si Shqipëria që nuk duhej ta kishte një problem të tillë, sepse terreni i saj i mundëson prodhimin e shumë produkteve; këto të fundit vijnë import nga vendet e tjera.

Produktet serbe gjithnjë e më shumë po futen në tregun e Shqipërisë. Nëpër marketet e Shqipërisë ajo që bie në sy është fakti se produkte me orgjinë serbe ofrohen me kosto më të ulët se produktet shqiptare. Kjo sidomos te qumështi, i cili shitet me rreth 20 lekë më lirë sesa ai i prodhuar në Shqipëri. Por nuk është ky produkti i vetëm që vjen më lirë nga Serbia. Edhe lëngjet e frutave kanë diferencë çmimesh.

Pse produkte si qumshti do duhej të vinin nga Serbia, edhe pse u shtohet transporti dhe dogana, e kosto shtesë, produktet serbe, vijnë në tregun shqiptar me çmim më të lirë se produktet vendase? Ndërkohë që fermerët në Shqipëri detyrohen ta hedhin atë dhe ta shesin më shtrenjtë për shkak se koha e punës dhe investimi i bërë nuk kompensohet, duke dalë me humbje.

Këto produkte që vijnë duke u shtuar mbështeten edhe më shumë tani me marrëveshjet e kryeministrit Rama me presidentin e Serbisë Vuçiq. Open Ballkan, nisma e cila po i jep edhe më shumë avantazh produkteve serbe në tregun shqiptar dhe jo atyre shqiptare, në këto ritme ka për të vulosur zhdukjen e prodhimtarisë në bujqësi dhe blegtori, pra në kurriz të ekonomisë shqiptare dhe këtyre fermerëve të cilët nuk janë të paaftë, siç do të donte kryeministri Rama, por qëllimisht të braktisur.

Vlerësimi i fundit i Organizatës e Ushqimit në Kombet e Bashkuara,FAO, për bujqësinë shqiptare evidenton se Shqipëria çon shumë pak fonde publike në bujqësi, teksa ka një strukturë të përkeqësuar të përdorimit të tyre, pasi fondet nuk shkojnë aty ku duhet, mbështetje direkte tek fermerët.

FAO analizoi se me këtë nivel financimesh Shqipëria nuk ofron asistencë të mjaftueshme për fermerët shqiptarë që të përballen me konkurrencën e tregut (nga prodhuesit evropianë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, të cilët gëzojnë mbështetje më të lartë).

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *