Lajme

Qeveria në Kosovë zotohet për dokumentim të shkatërrimeve të trashëgimisë kulturore më 1998-1999

“Themelimi i Komisionit shtetëror për dokumentim të trashëgimisë kulturore të shkatërruar nga forcat e armatosura serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, ka një rëndësi madhore. Do të bëjmë dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë dëmtuar dhe zhdukur qëllimshëm, për t’i hapur rrugë kërkesës sonë për drejtësi dhe kompensim të dëmit të shkaktuar”, ka thënë kryeministri Kurti të premten.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do të dokumentojë dhe do të kërkojë dëmshpërblim për dëmet dhe zhdukjet që i janë bërë trashëgimisë kulturore të Kosovës gjatë luftës. Në mbledhjen e parë të Komisionit shtetëror për hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës së vitit 1998-1999, kryeministri Albin Kurti ka thënë se shkatërrimi i trashëgimisë kulturore të Kosovës, nga forcat e armatosura serbe, ka mbetur i heshtur nga institucionet e Kosovës.

“Themelimi i Komisionit shtetëror për dokumentim të trashëgimisë kulturore të shkatërruar nga forcat e armatosura serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, ka një rëndësi madhore. Do të bëjmë dokumentimin zyrtar shtetëror të vlerave që janë dëmtuar dhe zhdukur qëllimshëm, për t’i hapur rrugë kërkesës sonë për drejtësi dhe kompensim të dëmit të shkaktuar, i cili nuk është vetëm dëm material”, ka thënë në këtë mbledhje Kurti.

Lexo më shumë  Thika para ligjit/ Si e shuajti Rilindja e Ramës skandalin e burrit të ministres Delina Ibrahimajt!

Ai ka theksuar se në luftën e Kosovës janë shkatërruar qindra xhami e objekte të besimit islam, qendra historike, kulla, ndërtesa tradicionale, biblioteka, arkiva e muze. Ka vënë theksin edhe te mijëra objekte nga koleksioni muzeor i Muzeut Kombëtar dhe dokumentet origjinale arkivore që “janë marrë dhe vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi”.

Kurti ka deklaruar se ky komision është pjesë e nismave të Qeverisë “për të adresuar të kaluarën, që përfshijnë Strategjinë Shtetërore për Drejtësinë Transicionale dhe Institutin për Krimet e Kryera gjatë Luftës, e që emërues të përbashkët kanë ballafaqimin me të kaluarën”. Ai ka thënë se gjetjet e këtij komisioni do t’i shërbejnë Institutit për të cilin ka thënë se pret të themelohet e funksionalizohet vitin e ardhshëm.

Kurti ka përmendur edhe gjykimet e Tribunalit të Hagës, ku shkatërrimi i qindra monumenteve gjatë luftës qe cilësuar si krim kundër njerëzimit. E të pranishëm në mbledhjen e komisionit kanë qenë dy ekspertët që kanë mbrojtur trashëgiminë kulturore të Kosovës në këtë tribunal, Andrew Herscher dhe András J. Riedlmayer.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili edhe udhëhoqi takimin e parë të Komisionit, ka thënë se dëmet kanë qenë pjesë e planit të Serbisë për të sulmuar historinë e shqiptarëve.

“23 vjet pas luftës së viteve 1998 – 1999, kur krahas humbjeve fatale të jetës së njerëzve dhe dëmeve materiale, janë shkatërruar qëllimshëm monumentet e trashëgimisë kulturore për herë të parë kemi ndërmarrë nismën për të kërkuar drejtësi për vlerat e shkatërruara. Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për t’i sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”, u shpreh ai.

Komisioni shtetëror për hulumtimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999 në Kosovë është emëruar në mbledhjen e 19-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *