Art & KulturëBallina

Qenie përkah arti

Nga Durim Abdullahu

Të mendosh jo-shkurt dhe pastaj të flasësh pak, për gjëra të dukshme ngase të nxjerra në pah, ishte detyrë e dhënë për këtu! Tutje, t’i shkruash ato mendime që ndjen se duhen lexuar për këtë event, ndodhi e ngjarë me shkas artin, shkaktuar nga dritënxjerrja e qëllimshme e dhjetëra veprave artistike prej kthinave ku janë krijuar dhe përbashkimi i tyre mbi një vend, për t’i lënë të çelura përpara syve, që të kihen parasysh.

Duke akorduar një ekspozitë të përvitshme, Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës, po trashëgon dhe mirëmban një shprehi ekspozimi që në vete përfaqëson një traditë kulturore të lexueshme si kronologji e historisë së arteve vizuale në Kosovë. Katalogët si ky, me fotografi që fiksojnë veprat artistike të ekspozuara, mund të asociohen me tabela analesh vizuele, që vit pas viti, regjistrojnë artin pamor që është krijuar në Kosovë.

Për tu mbajtur shënim: këto vepra arti të krijuara nga 40 autorë, anëtarë të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës dhe të përzgjedhura nga komisioni i AAVK-së, janë të mbaruara më 2019 dhe përgjatë vitit 2020, drejt përmbledhjes së tyre në këtë datë të zënë 24 dhjetor 2020, për tu ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Ekspozimi i rregullt për çdo vit, që Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës po u bën veprave të anëtarëve të tij dhe jo vetëm, është një event që më së paku injoron, a ndoshta refuzon, ta rrudhë artin në përmasën e tij estetike. Kjo meqë nëpërmjet ekspozimit kolektiv dhe për më tutje jotematik, theksohet pikëpamja që e sheh artin në dinamikën historike si frymë të kohës së tij. Nën shenjën e pandemisë së virusit COVID 19 që po shenjon edhe kohëzgjatjen e kësaj ekspozite, kjo pikëpamje mbi artin kuptimësohet edhe më në plotni!

Ekspozimi i artit krijon kushtet për shkueshmërinë e artistit autor me publikun kundrues! E vështirë për tu vëzhguar si gjendje, por jo dekurajose për tu shtruar si pyetje: sa janë të shkueshëm artistët kosovarë (siç thuhet) me publikun e vendit të tyre?!

Ky tekst(ualizim), do të ishte po i njëjti edhe sikur të gjitha veprat që e pasojnë atë të ishin tjera. Arti nuk mund të jetë asnjëherë neutral, andaj nuk hasim kurrë vepra arti tek rrijnë pezull, sado që arti është i pezullueshëm.

Hidhemi nga kushedi se ku për të dalë këtu dhe pastaj gjallojmë mes tokës nën këmbët tona dhe botës përreth nesh! Nëpër hapësirën mes tokës dhe botës rrjedhë koha, si kuante të individualizuara të së cilës dhe jetët njerëzore. Toka mbulon botën dhe strehon gjëra të saj në vete. Bota zbulon tokën dhe nxjerrë prej saj veten. Në këtë betejë të vazhdueshme mes tokës dhe botës, të artikuluar nga Martin Heidegger tek “Origjina e veprës artistike” (1950), vepra e artit i përmbledh të dyja këto: tokën dhe botën.

Me atributin krijues që ka, arti bëhet themelues i të vërtetës, pambarimisht. Por në ç’rrugë është i vërtetë arti i këtushëm? Të ngarkuara me vërtetësi shprehëse në lëndët e tyre, këto vepra arti janë të vërteta përsa vërtetojnë krijimtarinë artistike të kohës së tyre. Secila vepër arti këtu, pohon autorin e vetë, diku atje tej. Ashtu siç gjuha shpalos qenien, arti zbulon të qenit! Përsa ky tekst gjuhëson mendime edhe të pakrehura, arti që pasohet këtu zbulon ekzistencën njerëzore në të vërtetën e tij. Me gjuhën që shpalos dhe artin që zbulon, mund të shpresojmë për artin edhe si shëlbim, shpëtonjës nga e vërteta!

“Biseda” (pikturë: vaj në pëlhurë)
100 X 70 cm, 2020
Faton Mazreku
“Hasjania” (skulpturë e punuar në dru), 150x50x32 cm, 2014, Luan Mulliqi
“Muzgu” (grafikë: teknikë e kombinuar)
105 X 75 cm, 2019
Agim Salihu
“Abstrakcion” (pikturë: akrilik në pëlhurë)
80 X 100 cm, 2020
Kamuran Goranci

Rruga Press

YouTube player