Bota

Putin: Lufta në Ukrainë do të vazhdojë, qëllimet mbeten të njëjta

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk dha shenja se do të tërhiqet nga lufta e tij në Ukrainë.

Duke folur në konferencën vjetore për media, të enjten, ai tha se qëllimet e tij mbeten të njëjta dhe se paqja do të vijë kur ato të arrihen.

Teksa merrte pyetje nga gazetarët, publiku dhe madje ushtarët, Putin tha se qëllimet kryesore të Rusisë mbeten “denazifikimi” dhe “çmilitarizimi” i Ukrainës, duke siguruar edhe neutralitetin e saj.

“Do të ketë paqe kur t’i arrijmë qëllimet tona”, tha udhëheqësi 71-vjeçar, i cili, javën e kaluar, njoftoi se do të garojë për mandatin e pestë presidencial në zgjedhjet e marsit.

“Sa i përket çmilitarizimit, nëse ata [ukrainasit] nuk duan të arrijnë marrëveshje – mirë, atëherë ne jemi të detyruar të marrim masa të tjera, përfshirë ato ushtarake… Ose kemi një marrëveshje, biem dakord për disa parametra [për madhësinë dhe forcën e ushtrisë së Ukrainës]… ose ne e zgjidhim këtë me forcë. Kjo është ajo për të cilën ne do të përpiqemi”, tha Putin.

Prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, në muajin shkurt të vitit 2022, Putin ka thënë se qëllim i operacionit është “çmilitarizimi dhe denazifikimi” i Ukrainës – terma që zyrtarët e Kremlinit i kanë përdorur për të pohuar në mënyrë të rreme se Qeveria në Kiev kontrollohet nga simpatizantët nazistë.

Lexo më shumë  Britania e Madhe kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje rreziqeve të konflikteve në Ballkan

Kjo, përkundër faktit se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është hebre dhe ka humbur të afërm në Holokaust.

Putin njoftoi se do të garojë për rizgjedhje më 8 dhjetor, pas një ceremonie në Kremlin, në të cilën ushtarëve që luftuan në Ukrainë, u dha “Yllin e Artë – Hero i Rusisë”, që është nderimi më i lartë ushtarak në këtë vend.

Zgjedhjet ruse kontrollohen nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta. Ato i ka dëmtuar përjashtimi i kandidatëve të opozitës, frikësimi i votuesve, mbushja e fletëvotimeve dhe mjete të tjera të manipulimit.

Putin fitoi të drejtën për të garuar në dy zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Rusisë, pasi miratoi disa ndryshime kushtetuese në vitin 2020, të cilat i hapën rrugë për të mbetur në pushtet deri në vitin 2036.

Ai ishte herë kryeministër, herë president që nga viti 1999.

Lexo më shumë  Macroni ripërsërit se nuk e përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë

Nëse shërben edhe një mandat tjetër të plotë, ai do ta kapërcejë sundimin gati 30-vjeçar të Stalinit dhe do të bëhet udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë që nga Katerina e Madhe (1762-1796).

Ai nuk ka gjasa të përballet me ndonjë sfidë nga dy rivalët e tij kryesorë – Aleksei Navalny dhe Vladimir Kara-Murza. Të dy ata janë në burg duke vuajtur dënime të gjata, për shkak të mospajtimeve me Kremlinin.

Pushtimi i Ukrainës – tashmë në muajin e 22-të – ka qenë shkatërrues për Rusinë, u ka marrë jetën dhjetëra mijëra ushtarëve të saj, ka përmbysur ekonominë ruse dhe i ka prishur marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin.

Rusia synon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në territoret e pushtuara ukrainasePutin i ka bërë të jashtëligjshme kritikat ndaj luftës në Ukrainë dhe forcave të armatosura, duke shtypur kështu çdo kundërshtim.

Gjatë konferencës të enjten, Putin tha se një valë e re e mobilizimit ushtarak nuk nevojitet për momentin, pasi “fluksi i njerëzve të gatshëm për ta mbrojtur atdheun tonë me armë në dorë, nuk po zvogëlohet”./REL

YouTube player