Protestë para bashkisë: Veliaj shko te shokët në burg (VIDEO)
“Erion Veliaj, shko te shokët”, ishte motoja e një proteste të organizuar nga Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori para Bashkisë së Tiranës.
Protesta u mbajt pasi drejtorët më të rëndësishëm të kryebashkiakut janë arrestuar ose ndodhen nën masa më të buta sigurie nga SPAK, në kuadër të hetimeve për atë që njihet si dosja ‘5D’.
“Bashkia në duart e Erion Veliajt njihet për aferat korruptive, që nga tenderi i kancelarive e deri tek skandali i inceneratorëve. Arrestimi i drejtorëve të bashkisë, ka qenë lajmi më tronditës i ditëve të fundit. Pesë drejtorët kishin bërë kërdinë duke vjedhur 30 milionë euro nga buxheti i bashkisë, për të ndërtuar hotele e vila luksoze, për të cilat dyshohet se është bashkëpronar edhe Erion Veliaj”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Bashkë.
Protesta nga Lëvizja Bashkë:
ERION VELIAJ SHKO TE SHOKËT!
Bashkia në duart e Erion Veliajt njihet për aferat korruptive, që nga tenderi i kancelarive e deri tek skandali i inceneratorëve. Arrestimi i drejtorëve të bashkisë, ka qenë lajmi më tronditës i ditëve të fundit. Pesë drejtorët kishin bërë kërdinë duke vjedhur 30 milionë euro nga buxheti i bashkisë, për të ndërtuar hotele e vila luksoze, për të cilat dyshohet se është bashkëpronar edhe Erion Veliaj.
Po kush paguan në Bashkinë Tiranë?
Paratë e grabitura nga ata, janë mundi i qytetarëve të Tiranës;
janë detyrimet e paguara të prindërve, dyqanxhinjve, tregtarëve të vegjël dhe të ndershëm;
janë puna e përditshme e të gjithë atyre që jetojnë përmes pagës ose pensionit, i cili në shumicën e rasteve është i pamjaftueshëm, por ata prapëseprapë i përgjigjen detyrimeve të tyre.
Po kush e mban barrën e vjedhjes?
Ata që e pësojnë janë banorët e Astirit, që nuk kanë shkolla dhe çerdhe për fëmijët e tyre;
janë banorët e 5 Majit, Astirit, Selitës, Freskut dhe Kombinatit, që i latë në qiell të hapur;
janë banorët e Rrugës së Dibrës, Rrugës së Kavajës, Rrugës së Durrësit, Rrugës së Elbasanit, Komunës së Parisit e kudo ku ka ndërtime, që hanë pluhurin dhe betonin e kullave;
janë qytetarët që rendin për të kapur urbanin, por ngecin në trafikun e çmendur të Tiranës;
janë fëmijët që nuk gjejnë një park për të luajtur;
janë ata që ju i sëmurët me ajrin e ndotur të Tiranës;
janë qytetarët që zgjohen me zhurmat e pompave të ujit, ata që kthehen në shtëpi duke kaluar në rrugët e pashtruara dhe të pandriçuara të këtij qyteti, dhe ata që flenë me zhurmën e betoniereve!
Ku shkuan paratë e qytetarëve?
Në pak duar!
Në duart e drejtorëve dhe të tuat, Erion Veliaj!
Ndryshe nga ajo që thua ti, korrupsioni dhe përvetësimi parave publike nuk është thjesht shpërdorim detyre, nuk është përgjegjësi individuale, por është pjesë e një strukture të mirëorganizuar kriminale dhe ti je në krye të saj.
NDAJ ERION VELIAJ, SHKO TE SHOKËT E TU: NË BURG!
Rruga Press