Lajme

Përkujtohet Vilson Blloshmi, u ekzekutua 45 vite më parë nga regjimi komunist, i vëllai kërkon hapjen e gjyqit

Një radio, dy stilografë, ora e dorës, një shall dhe plumbi që i morri jetën.

I përkasin poetit Vilson Blloshmi dhe u ekspozuan për herë të parë në 45 vjetorin e ekzekutimit të tij.

Bedriut të paktat sende i kujtojnë vëllain, dhimbjen për të cilin e ka ende gjallë.

“Edhe 100 vite të kalojnë unë kam të njëjtën dhimbje.”

Në vitin 1977 kur ishte vetëm 29 vjeç u akuzua nga regjimi për “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”.

Letërsia e tij u cilësua e rrezikshme ndërsa iu  sekuestruan gjithë poezitë e përkthimet.

Gati gjysmë shekulli më pas, i vëllai thotë se figura e Vilsonit mbetet e pavlerësuar.

Bedri Blloshmi: Materialet dhe dorëshkrimet, poezitë dhe krijimtaritë e Vilsonit, por edhe të Gencit po ashtu të futen në shkollë dhe të bëhen mësim.  

Vilson Blloshim dhe poeti Genc Leka u përkujtuan edhe nga Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.

Bedri Blloshmi: Të rihapet gjyqi për ata që firmosën vdekjen e Vilsonit dhe që shtëpia e familjes së tyre në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit të kthehet në muze dhe të mos rrënohet.

Berisha ftoi të rinjtë që të lexojnë poezitë e Blloshmit dhe Lekës për të njohur përmes tyre diktaturën komuniste e krimet e saj.

Janë të pakta sendet personale të Vilson Blloshmit, poetit që u ekzekutua 45 vite më parë në regjimin komunist.

Atë kohë, vetëm 29 vjeç, u akuzua për sabotim të ekonomi dhe agjitacion e propagandë.

Dosja sekrete e Sigurimit të Shtetit kundër poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi

Në Tiranë, ka dalë nga shtypi një libër me dosjen sekrete të Sigurimit famëkeq të Shtetit kundër poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi.

Një seri dokumentash provojnë manipulimin e qëllimshëm dhe akuzat e rreme të motivuara politikisht ndaj dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, që u pushkatuan 44 vjet më parë, më 17 korrik 1977.

Autori i librit, Bedri Blloshmi, thotë se shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente të ndahet nga regjimi komunist, por njerëzit e Sigurimit gjenden kudo dhe pengojnë zbardhjen e krimeve të diktaturës.

Pas 44 vjetëve nga pushkatimi prej diktaturës i dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi vëllai i këtij të fundit Bedi Blloshmi arriti të gjejë në arkiva procesverbalin e vdekjes dhe një seri dokumentash sekrete dhe i publikoi në një libër.

Titulli i librit është vet titulli i dosjes sekrete: mbi përndjekjen, arrestimin, hetuesinë, gjyqin dhe ekzekutimin e Vilson Bbloshmit: Dosja Formulare, Kategoria 2°, nr.840.

“Pas shumë vite kërkimesh, më në fund kam gjetur procesverbalin e pushkatimit të vëllait, ku ka firmosur Spiro Koleka, Haxhi Lleshi e disa të tjerë. Ata kanë diskutuar 5 orë për një dekoratë dhe në fund ishte pika e tretë, kur njëri prej tyre thotë se “kemi edhe disa të dënuar me vdekje, dhe si do të bëjmë me ta”. Aty është vetëm një shprehje e Haxhi Lleshit, që “këta janë familje armiqsh dhe nuk e duan socializmin”. Kaq ishte” – thotë zoti Blloshmi.

Dy poetët u pushkatuan më 17 korrik 1977 për motive politike si kundërshtarë të regjimit. Vilsoni ishte 28 vjec në kohën e arrestimit dhe pushkatimit dhe la pas jetime një vajzë të mitur vetëm 1 vjeç.

Në dosjen formulare të Vilsonit gjenden dokumente të rralla e sekrete nga Sigurimi famëkeq i Shtetit, pseudonimet e spiunëve të tij, vendimi i arrestit, marrja në pyetje nga hetuesit, akt-ekspertimet e poezive të tij nga 3 studiues të letërsisë, akuza për agjitacion e propagandë, vendimet e komitetit të partisë së punës dhe të trupit gjykues për dënimin e tyre me vdekje.

“Kjo dosje ka tmerre, çudira e mashtrime kriminale. Këtu ka bashkëpunëtorë të Sigurimit me gjithë pseudonimet e dekoduara. Këtu ka shënime nga Hysni Kapo, nga Ramiz Alia, nga Miti Nito, nga Sako Rama, sigurmsa dhe komunista në Tirana dhe nga Librazhdi. Sekretari i parë i Librazhdit Sotir Koçollari ka mbledhur 18 sekretarë partie dhe kanë vendosur të dënohen maksimalisht dy poetët. Madje shprehja e fundit është e Sotir Koçollarit se “Vilsoni është më i zgjuar se të tjerët, e di që e pret pushkatimi, prandaj nuk e pranon aktin” – thotë zoti Blloshmi.

Lexo më shumë  Shtimja ndan çmimin Qytetar Nderi për politikanin gjerman Hartmut Ganzke

Bedri Blloshmi është një ndër shumë të paktët autorë librash me dokumenta mbi dikaturën komuniste.

Pas pushkatimit të vëllait, dënimi i tij me vdekje u shndërrua në vite të gjata burgimi në burgje, kampe pune torturuese.

Ai thotë se ende strukturat e Sigurimit të Shtetit janë në këmbë, pengojnë zbardhjen e krimeve të tyre, fshehin e zhdukin dokumente, me shpresën se gjithcka do të harrohet, duke i futur viktimat e tyre në një rreth vicioz, ku humbin shpresat.

“Vetëm unë kam 33 informacione për vend-pushkatime. Të tjerët dinë shumë vende të tjera për mijëra të pushkatuar të pagjetur ende. Këta që janë sot nuk duan të veprojnë, se nuk duan të zbulohen krimet e baballarëve të tyre. Nuk i bën asnjeri këto gjëra. Dalin disa persona që nuk kanë lidhje fare me persekutimin, dhe thonë “na vjen keq për këta se kanë vuajtur”. Por këtë duhet ta them unë dhe të burgosurit e tjerë, ndërsa zyrtarët të zbardhin krimet e komunizmit” – tha zoti Blloshmi.

Sipas statistikave të pjesshme nga organizatat e të përndjekurve politikë, diktatura komuniste vrau si kundërshtarë politikë 5500 persona, burgosi rreth 30 mijë vetë për motive politike, internoi rreth 60 mijë persona.

Diktatura vrau dhe burgosi 310 klerikë dhe besimtarë dhe shkatërroi 220 institucione fetare.

Përveç vendasve, diktatura komuniste pushkatoi 95 shqiptarë të Kosovës, dhe 64 shtetas të huaj, si dhe burgosi 1 mijë e 250 persona me kombësi joshqiptare, mes të cilave 38 zonja nga shtete të tjerë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *