Lajme

Vdes luftëtari i Koshares, kishte mbi 40 intervenime kirurgjike për shkak të plagëve të luftës

Ka ndërruar jetë luftëtari i madh i Betejës së Koshares, Lumni Gashi.

Lajmin e ka dhënë ish-komandanti i kësaj zone, Rrustem Berisha.

“Me pikëllim të madh, sot mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit tonë Lumni Gashi.

Lumniu, i plagosur në Betejën e Koshares, ai kaloi mbi 40 intervenime kirurgjike për shkak të plagëve.

Lumniu ishte djalë trim, i vendosur, shum i dashur me shokët dhe luftëtar i dalluar në njësinë e topave në Brigadën 138 “Agim Ramadani” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shpreh ngushllimet më të sinqerta për familjen, farefisin dhe bashkëluftetarët e Koshares.

Vlerat tua do ti kujtojmë me krenari.

Pusho në paqe trim Lumni” shkruan Berisha në njoftim.

UÇK-ja dhe Beteja e Koshares

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.

Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që shënoi një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht mundësoi furnizimin e luftës me armatim dhe municion.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Lexo më shumë  Masakra e Studimes, Osmani: Të vërtetën do ta mbrojmë kurdo e kudo

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

Kryeministri Kurti: Kosharja, thyerja e kufirit, është beteja integrale

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përkujton këtë ditë duke duke e quajtur “Kosharen” si beteja integrale:

Në kronologjinë e betejave të UÇK-së, Beteja e Koshares është integrale. Aty, luftëtarë nga të gjitha zonat operative dhe nga të gjitha trevat shqiptare, të ndihmuar nga ushtria e Republikës së Shqipërisë dhe forcat ajrore të NATO-s, luftuan kundër trupave të armatës jugosllave.

Këtë 9 prill, mbushen 23 vite që nga koha kur ushtarët e UÇK-së nisën Betejën e Koshares, meqë më 9 prill të vitit 1999, në ora 3 e 15 minuta të mëngjesit, ushtarët e UÇK-së sulmuan forcat serbe fillimisht në karaullën “7 korriku”, për t’u pasuar me sulme në drejtim të Rrases së Koshares dhe Majës Gllava. Vetëm 12 orë më pas, të tre këto pika ishin në duart e ushtarëve të UÇK-së. Ata po zbatonin një vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që ishte përkthyer në plan operacional veprimi nga Brigada 138 e komanduar nga Agim Ramadani.

Ky operacion i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shënoi thyerjen e kufirit Jugosllavi – Shqipëri, atij kufiri që i mbajti shqiptarët të ndarë që nga viti 1913, kur ai u vendos dhunshëm nga Serbia. Për luftën e shqiptarëve kundër Serbisë, Beteja e Koshares dhe veçanërisht thyerja e kufirit, ishin një kalim liminal, sepse i hapi rrugë depërtimit më të lehtë të vullnetarëve të UÇK-së nga Shqipëria drejt Kosovës dhe krijoi hapësirë të lirë për kanale furnizimi me armë.

E shtrirë në kohë për më shumë se dy muaj, Beteja e Koshares u zgjat me ofensiva dhe kundërofensiva që rezultuan me 114 ushtarë të UÇK-së të rënë dëshmorë dhe rreth 170 të tjerë të plagosur, djemë trima që u përjetësuan në përpjekjet fisnike të popullit tonë për liri. Por bashkë me shokët e tyre që luftuan në Koshare, të ndihmuar edhe nga tytat e artilerisë së Ushtrisë së Shqipërisë dhe avionët bombardues të NATO-s, ata u shkaktuan ushtrisë së Serbisë 108 të vrarë, mes të cilëve edhe mercenarë rusë. Beteja e Kosharës krijon pikën e kthimit.

Në historinë e luftërave të ushtrive serbe me shqiptarët, Kosharja është Luma e Dytë (1912), sepse aty, tytat e armëve të ushtarëve të UÇK-së u kthyen në zjarre ferri për ushtarët serbë. Një betejë e tillë integrale dëshmoi se pjesëmarrja e shqiptarëve në çlirimin e tyre kishte mbërritur fazën më të lartë të organizimit.

Historia e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, shenjohet veçanërisht nga betejat e UÇK-së, nga përpjekjet për të ndjekur idealet e dëshmorëve dhe kultivimi i mëtutjeshëm politik i tyre. Në historinë moderne të Kosovës, Beteja e Koshares paraqet një nga ato kalimet pas të cilave e shkuara thjesht nuk mund të kthehet më pas dhe kur e ardhmja e hapur para bëhet destinacion njëdrejtimësh.

E ardhmja e Betejës së Koshares dhe e gjithë luftës së UÇK-së, është e sotmja jonë e vazhdueshme. Është Kosova e lirë dhe e pavarur, në afrim e bashkërendim progresiv me Shqipërinë, me perspektivë drejt Bashkimit Evropian dhe me aleanca me vendet e NATO-s. Andaj Beteja e Koshares nuk rri si çast i përfunduar në histori. Ajo merr pjesë në kohët tona aktuale, në të gjithë realizimet shtetërorë që burojnë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rruga Press

Lexo më shumë  Prezantohet agjenda e reformave, me të cilën synohet përfitimi i 950 milionëve
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *