KryesoreOpinion/Aktualitet

Për ta mposhtur Trumpin, duhet të dimë pse amerikanët vazhdojnë të votojnë për të. Psikologët mund ta kenë përgjigjen

Nga George Monbiot, The Guardian, përshtatur në shqip nga Rruga Press

Propozohen shumë shpjegime për ngritjen e vazhdueshme të Donald Trumpit dhe qëndrueshmërinë e mbështetjes së tij, edhe pse zemërimi dhe akuzat penale shtohen. Disa nga këto shpjegime janë të fuqishme. Por ka një që nuk e kam parë të përmendur askund, e cila, besoj, mund të jetë më e rëndësishmja: Trumpi është mbreti i të jashtmëve.

Disa psikologë besojnë se vlerat tona priren të grumbullohen rreth poleve të caktuara, të përshkruara si “të brendshme” dhe “të jashtme”. Njerëzit me një tog të fortë vlerash të brendshme janë të prirur drejt ndjeshmërisë, intimitetit dhe vetë-pranimit. Ata priren të jenë të hapur ndaj sfidave dhe ndryshimeve, të interesuar për të drejtat dhe barazinë universale, mbrojtjen e njerëzve të tjerë dhe botës së gjallë.

Njerëzit e spektrit të jashtëm tërhiqen më shumë nga prestigji, statusi, imazhi, fama, pushteti dhe pasuria. Ata motivohen fuqishëm nga perspektiva e shpërblimit dhe lavdërimit individual. Kanë më shumë gjasa të objektivizojnë dhe të shfrytëzojnë njerëzit e tjerë, të sillen në mënyrë të vrazhdë, agresive dhe ta shkëpusin mendjen nga impakti në shoqëri dhe mjedis. Ata kanë pak interes për bashkëpunim apo për komunitetin. Njerëzit me një tog të fortë vlerash të jashtme kanë më shumë gjasa të vuajnë nga frustrimi, pakënaqësia, stresi, ankthi, zemërimi dhe sjellja kompulsive.

Trumpi ilustron vlerat e jashtme. Nga kulla që mban emrin e tij me shkronja ari, deri te mbivlerësimet bruto të pasurisë së tij; nga çirrjet e tij të pafunda për “fituesit” dhe “humbësit”, deri te zakoni i tij i raportuar për të bërë hile në golf; nga objektivizimi i ekstrem i grave, duke përfshirë edhe vajzën e tij, te obsesioni me madhësinë e duarve; nga refuzimi për shërbimin publik, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit, deri te pakënaqësia dhe tërbimi ekstrem, i pazbutur edhe kur ishte president i Shteteve të Bashkuara, Trumpi, ndoshta më shumë se çdo personazh tjetër publik në historinë e kohëve të fundit, është një monument i gjallë i vlerave të jashtme.

Ne nuk kemi lindur me vlerat tona. Ato formohen prej sinjaleve dhe përgjigjeve që marrim nga njerëzit e tjerë dhe zakonet mbizotëruese të shoqërisë sonë. Ato brumosen gjithashtu nga mjedisi politik ku ne jetojmë. Nëse njerëzit jetojnë nën një sistem politik mizor dhe të kapur, ata priren ta normalizojnë dhe ta përvetësojnë atë, duke përbrendësuar pretendimet e tij dominuese dhe duke i përkthyer ato në vlera të jashtme. Kjo, nga ana tjetër, lejon të zhvillohet një sistem politik edhe më mizor dhe më të kapur.

Lexo më shumë  Von Cramon: Nuk ekziston më arsyeja për masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës

Nëse, përkundrazi, njerëzit jetojnë në një vend ku askush nuk bëhet i varfër, ku normat shoqërore cilësohen nga mirësia, ndjeshmëria, komuniteti, si dhe çlirimi nga nevoja dhe frika, atëherë vlerat e tyre ka të ngjarë të zhvendosen drejt përfundimit të brendshëm. Rrjeti i vlerave vepron në nivel shoqëror dhe individual: një tog i fortë vlerash të jashtme shpesh zhvillohet si rezultat i pasigurisë dhe nevojave të paplotësuara. Këto vlera të jashtme gjenerojnë pasiguri dhe nevoja të paplotësuara të mëtejshme.

Që prej se Ronald Reagan erdhi në pushtet, në një platformë që garantonte se shoqëria ndahej ashpër në “fitues” dhe “humbës”, dhe gjithnjë e më shumë njerëz, të cilëve u mungonte sigurimi social, u lejuan të bien në braktisje, politika e ShBA-së është bërë tokë pjellore për vlerat e jashtme. Teksa presidentët demokratë, pas Reagan-it, përqafuan shumicën e parimeve të neoliberalizmit, gjërat u kthyen mbrapsht. Thirrja ndaj vlerave të jashtme nga demokratët, laburistët dhe partitë e tjera dikur përparimtare është gjithmonë vetëshkatërruese. Hulumtimet tregojnë se sa më tej drejt skajit të jashtëm të spektrit shkojnë njerëzit, aq më shumë ka gjasa që ata të votojnë për një parti të krahut të djathtë.

Por zhvendosja shkon më thellë se politika. Për më shumë se një shekull, ShBA-ja, më shumë se sa shumica e kombeve, ka adhuruar vlerat e jashtme: ëndrra amerikane është një ëndërr për të fituar pasuri, për ta shpenzuar atë në mënyrë të dukshme dhe për t’i shpëtuar kufizimeve të nevojave dhe kërkesave të njerëzve të tjerë. Ajo shoqërohet, në politikë dhe në kulturën popullore, nga mite toksike të dështimit dhe suksesit: pasuria është qëllimi, pavarësisht se si fitohet. Kudondodhja e reklamave, komercializimi i shoqërisë dhe rritja e konsumizmit, krahas obsesionit të medias me famën dhe modën, e përforcojnë këtë histori. Marketingu i pasigurisë, veçanërisht për pamjen fizike, dhe prodhimi i dëshirave të paplotësuara, hapin vrima në psikikën tonë që mund të përpiqemi t’i mbushim me para, famë ose pushtet. Për disa dekada, temat kulturore mbizotëruese në ShBA – dhe në shumë vende të tjera – kanë funksionuar si një inkubator pothuajse i përsosur i vlerave të jashtme.

Lexo më shumë  Kurti në Berlin: NATO dhe KiE shtyllat e paqes demokratike në Evropë

Një shenjë klasike e këtij ndryshimi është individualizimi i fajit. Në të dy anët e Atlantikut, ajo tani merr forma ekstreme. Sipas projektligjit të së drejtës penale që po kalon tani në parlament, njerëzit që kapen duke fjetur jashtë mund të burgosen ose të gjobiten deri në 2500 £ nëse konsiderohet se përbëjnë “bezdi” ose shkaktojnë “dëm”. Sipas nenit 61 të projektligjit, “dëmtimi” përfshin erën e keqe. Është e vështirë të dish se ku të fillosh me këtë. Nëse dikush do të kishte 2500 £ të kursyer, nuk do të ishte në rrugë. Qeveria po propozon të sigurojë qelitë e burgut për të këta të pastrehë, por jo shtëpitë. Ndoshta më e rëndësishmja, njerëzit fajësohen dhe kriminalizohen për varfërinë e tyre, e cila në shumë raste do të ketë qenë shkaktuar nga politika e qeverisë.

Ne flasim për rrugëtimin e drejtë të shoqërisë, flasim për polarizimin dhe përçarjen, flasim për izolimin dhe krizën e shëndetit mendor. Por ajo që qëndron në themel të këtyre prirjeve është zhvendosja në vlera. Ky është shkaku i shumë prej mosfunksionimeve tona; pjesa tjetër janë simptoma.

Kur një shoqëri vlerëson statusin, paranë, pushtetin dhe dominimin, ajo është e shtrënguar të gjenerojë irritim. Është matematikisht e pamundur që të gjithë të jenë numër një. Sa më shumë rrëmbejnë elitat ekonomike, aq më shumë duhet të humbasin të gjithë të tjerët. Dikush duhet të fajësohet për zhgënjimin pasues. Në një kulturë ku adhurohen fituesit, ata nuk mund të jenë fajtorët. Duhet të jenë ata njerëz të ligj me synimin për një botë më të mirë, ku pasuria shpërndahet, ku askush nuk harrohet, ku komunitetet dhe bota e gjallë e planetit mbrohen. Ata që kanë zhvilluar një tog të fortë vlerash të jashtme do të votojnë për personin që i përfaqëson, personin që ka atë të cilën ata duan: Trumpin. Dhe aty ku shkon ShBA-ja, ne të tjerët ndjekim.

Trumpi mund të fitojë përsëri – Zoti na ndihmoftë nëse kjo ndodh. Nëse ndodh kështu, fitorja e tij do të jetë jo vetëm për shkak të mllefit racor të burrave të bardhë të moshuar, luftërat kulturore, algoritmeve apo “dhomave të jehonës”, sado të rëndësishëm janë këta faktorë. Do të jetë gjithashtu rezultat i vlerave të ngulitura aq thellë sa që harrojmë se ato janë aty.

YouTube player