KryesoreLajme

Pas marshimit në rrugët e Tiranës, protestuesit pozicionohen para Kryeministrisë

Protesta e studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë ka hyrë në një tjetër fazë, pasi pas disa orësh qëndrimi dhe marshimi në rrugët e Tiranës, turma është vendosur përpara Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Gjithçka nisi rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit, ku studentë, qytetarë dhe aktivistë u bashkuan në një tubim me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama. Për afro dy orë, protestuesit qëndruan përballë institucionit, ndërsa policia kishte vendosur një kordon efektivësh për të shmangur bllokimin e qarkullimit.

Lexo më shumë  Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 milionë euro pasuri të familjarëve të Artur Shehut

Gjatë protestës nuk munguan mesazhet e ashpra ndaj kryeministrit dhe uniformave blu. Një fotografi e Edi Ramës, e vendosur në kangjellat e ministrisë, iu vu flaka, ndërsa turma shpërtheu në thirrjet “Arrestoni Ramën”, “Polici e krimit” dhe “Poshtë diktatura”.

Protestuesit shpalosën gjithashtu një banderolë me mbishkrimin “Ndal plaçkitjes, shtypjes dhe ikjes!”, duke përcjellë edhe mesazhe kundër situatës politike në vend. Një pjesë e thirrjeve iu kushtuan protestës së paralajmëruar për 28 Nëntorin, për të cilën të rinjtë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive.

Pas tubimit përpara Ministrisë së Arsimit, qytetarët u nisën në marshim nëpër rrugët e kryeqytetit, duke kaluar drejt zonave qendrore. Gjatë lëvizjes pati edhe episode tensioni. Në rrugën “Myslym Shyri”, disa të rinj u vunë flakën koshave të mbeturinave.

Lexo më shumë  Natasha Kandiq propozon Shaip Kamberin për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë

Pas marshimit, protestuesit mbërritën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku janë grumbulluar tashmë përpara godinës së Kryeministrisë. Tubimi vijon me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës.

Rruga Press

YouTube player