Lajme

Pastrim parash 2 miliard dollarë në Durrës? Skema u përdor nga arabët edhe në Serbi

Kompania Emaar Group e cila pretendon se do të investojë 2 miliardë dollarë në projektin e ndërtimit të Portit të Durrësit dhe zonës përreth, nuk është e panjohur në tregun ballkanik. Si për ironi të fatit, është e njëjta kompani e cila në vitin 2014 –të do të niste një projekt të ngjashëm në Beograd me iniciativë të kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Aleksandër Vuçic. Kompania do të investonte 4 miliardë dollarë në ndërtimin e një lagjeje për të pasurit, buzë Danubit nën emërtimin “Belgrade Waterfront”.

Por revista Forbes, në një investigim të sajin në vitin 2016-të nxjerr në pah se i gjithë projekti nuk ishte gjë tjetër vetëm se një mashtrim i madh. Qeveria e ish-kryeministrit Vuçiç (sot president i Serbisë), do të shmangte garën, do mbante sekret projektin, dhe do ndryshonte ligjet e ndërtimit, duke sjellë jo pak pakënaqësi në popull. Forbes pretendon se nga ana e saj kompania Emaar, nuk investoi asnjëherë shumën e premtuar.

Siç u zbulua më tej përkundër premtimeve fillestare se kompanise së Muhamed Alabbar do të investonte një shumë prej 3-4 miliardë eurosh në projekt, ndërkohë që shifrat deri në vitin 2018 ishin në mënyrë drastike më të vogla – investimi i realizuar ishte 160 milion €, e cila është pjesë e një huaje prej 300 milion Euro të marra nga investitori por të garantuara nga qeveria serbe.

Pra investitori po investon paratë e marra borxh dhe të siguruara nga buxheti i shtetit serb. Veç kësaj ka dyshime të forta se paratë që u hodhën për financimin e projektit, janë para që vijnë nga aktivitete të dyshimta dhe që janë pastruar përmes ndërtimit. Projekti që duhet të përfundonte për katër vjet, u shty fillimisht për tetë dhe më pas për dhjetë vjet.

Më poshtë ndiqni të plotë shkrimin e revistës Forbes

Projekti ‘Belgrade Waterfront’, një tallje e madhe nga Abu Dabi

Nga Wade Shepard

Ishte pak më tepër se një gropë e madhe nga e cila ngrihej një platformë skelash në një tokë të braktisur të mbuluar nga bimësia e egër pas një magazine të vjetër shinash në bregun e lumit Sava në Beograd, por shpejt do të bëhet një zonë e shndritshme plot kulla të larta, hotele me pesë yje e apartamente luksoze, shoqëruar me shumë polemika.

Që nga vitet 1920, zona në bregun e lumit rreth stacionit kryesor të trenit ishte si një njollë që të vriste sytë në Beograd, kryeqyteti i Serbisë. Ishte një gropë e madhe e hapur në mes të qytetit. Iniciativa të ndryshme ishin propozuar gjatë viteve për të zgjeruar qytetin buzë lumit duke krijuar një epiqendër të re tregtare e sociale, që do të stimulonte ekonominë lokale, si dhe thjesht do të bënte të dobishme një copë toke ne qendër që kishte qenë e neglizhuar.

Në pranverën 2-12 u zbulua një plan i ri zhvillimi për zonën e bregut të lumit në Beograd. Teksa lundronte përgjatë Savës, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, qëndronte ulur para një grupi kamerash dhe i prezantonte ambiciet e tij për qytetin mikut të nderuar Rudolph Giuliani. Kjo iniciativë e madhe u pagëzua në mënyrë pragmatike si projekti Belgrade Waterfront (Beogradi Përgjatë Lumit). Dy vjet më pas u shfaq një investues dhe njëri prej projekteve më të mëdha të rinovimit urban një Evropë fitoi shtysë.

Ky investues nuk ishte ndonjë lojtar i fuqishëm lokal apo ndonjë baron i pasur ndërtimesh nga Evropa perëndimore, as nga Rusia, por Mohamed Alabbar — njeriu që drejton kompaninë e ndërtimit Eagle Hills, me qendër në Abu Dabi, i cili njihet më mirë si themelues i Emaar, kompania e famshme që ndërtoi Burj Khalifa, ndërtesa më e lartë në botë, dhe Dubai Mall, qendra më e madhe tregtare në botë.

Përveç ndërtimeve në Emiratet e Bashkuara Arabe, Eagle Hills ka qenë aktive edhe nëpër botë. Ajo ka realizuar projekte në 14 vende me vlerë 20 miliard dollarë, përfshirë ndërtimin e një lagjeje të re 700 kilometra katrorë për pesë milionë banorë në Kajro.

Pika e fortë e Alabbarit ishte nuk ishte fakti që kompania e tij do të vinte të ndërtonte në zonën e paqëndrueshme buzë lumit apo thjesht se do të huazonte paratë për atë projekt. Emaar këtë investim ta bënte me paratë e tij. 4 miliardë dollarë investim i drejtpërdrejtë i huaj për ndërtimin e një distrikti të klasit botëror, ultramodern në Beograd, pa një të dytë në gjithë rajonin. Në thelb, një kompani nga Abu Dabi premtoi të vinte me thasët me pará dhe Serbia u la dorë të lirë të bënin çfarë të donin.

Lexo më shumë  Pacolli: VV-ja është gati për zgjedhje, presim koordinim me opozitën

Ajo që donte të bënte Eagle Hills ishte të ndërtonte një Beograd për të pasurit. Me shtrirje 177 hektarë, zhvillimi i zonës do të përfshinte apartamente luksoze me sipërfaqe 1 milion metra katrorë për 17 mijë rezidentë, 750 mijë metra katrorë për zyra e hapësira komerciale, bashkë me një numër hotelesh me pesë yje, një mur qiellgërvishtësish, mes tyre edhe ndërtesa më e lartë në Evropën juglindore, pallatin e operës, dhe qendrën më të madhe tregtare në kontinent.

E gjitha kjo do të hapte edhe 13 mijë vende të reja pune aq të nevojshme. Ky nuk ishte një projekt që thjesht do t’i shtohej asaj çka ofronte nga ana urbane kryeqyteti i Serbisë, por do t’ia ndryshonte krejtësisht pamjen.

Tingëllonte bukur. Beogradi është ende një qytet që po merr veten nga rënia dhe shpërbërja e Jugosllavisë, ka nivel papunësie mbi 20%, në një vend ku paga mesatare mujore është vetëm 425 dollarë. Me pak fjalë, ato 4 miliard dollarë nga Abu Dabi do t’u bënin vërtet punë.

Në janar 2014, Vuçiç, i cili shpejt do të bëhej kryeministër, dhe Mohamed Alabbar prezantuan publikisht planin master për Belgrade Waterfront dhe në këtë mënyrë projekti më i madh i ndërtimit në historinë e Serbisë nisi zyrtarisht.

Ndërkaq, banorët e Beogradit u kapën në befasi. I gjithë projekti ishte planifikuar në fshethtësi të plotë, pa pjesëmarrjen e publikut. Duke qenë i klasifikuar si projekt me rëndësi kombëtare – e njëjtë më ndërtimin e aeroporteve apo bazave ushtarake – BË u hartua me shpejtësi, çka do të thotë se shumë hapa burokratikë u anashkaluan. Për shembull konkurrimi i detyrueshëm për dizenjon arkitekturale të projektit u shmang. (Qeveria tha se kishte pasur konkurrim, por gara ishte mbajtur në Abu Dabi dhe me sa duket nuk ka pasur asnjë arkitekt serb të ftuar, ndërkohë që mbetet e panjohur se kush e dizenjoi projektin).

Nuk pati as tendera të hapur që është procedura standard. Kur u vu në dukje që qeveria serbe po shkelte ligjet e saj, siç ishin kodet e ndërtimit që përcaktohen në Planin e Përgjithshëm Urban të Beogradit, ata thjesht ndryshuan ligjet.

Për shkak të këtyre dhe të faktorëve të tjerë, projekti Belgrade Waterfront nuk u prit mirë nga segmente të mëdhenj të popullsisë së Beogradit. Pakënaqësia e tyre përmblidhet nga arkitektja vendase Ljubica Slavković: “Një projekt megaloman i mbështetur nga premtimi i parave nga Abu Dabi po vihet me forcë në zbatim duke anashkaluar ligjet dhe duke injoruar cohën ekzistuese urbane, me qëllim sigurimin e identitetit të ardhshëm të Serbisë dhe kryeqytetit të saj”.

“Duket si tallje”, tha Mirjana Milanoviç, arkitekte serbe me bazë në Amsterdam. “Është një tjetër qendër tregtare në një vend që nuk ka pará për të blerë”.

Protestat kundër projektit kanë vazhduar gjatë dy viteve të fundit në Beograd; disa prej tyre kanë pasur turma mbi 10 mijë njerëz që kanë marshuar me parulla dhe rosa të verdha gjigante. Pse me rosa? Sepse në serbisht fjala “rosë” është e ngjashme me fjalën “mashtrim”.

“Qeveria tha se nuk do të kishte tender ngaqë ‘tashmë e kemi investuesin më të mirë’”, tha një protestues për BBC. “Ndërtimi i apartamenteve të shtrenjtë nuk sjell ndonjë përfitim për qytetarët. Më mirë ta linin siç ishte, do të pasuroheshim më tepër në të ardhmen kur do të mund ta bënim ashtu siç duam”.

Lexo më shumë  Ekskluzive/ Përgjegjësi serb i bankës ilegale në Kosovë demanton Petar Petkoviqin (Dokument)

Në sheshin e ndërtimit kishte vërtet shumë plehra, të cilat ishin grumbulluar në një zonë midis stacionit të trenit dhe bregut të lumit. Punonjësit e hekurudhës që jetonin në baraka atje, mbi 88 familje, dhe komuniteti rom, tashmë janë larguar prej andej. Banesat janë shkatërruar. Kjo pjesë e zonës së ndërtimit ishte praktikisht një apo dy kilometra asfalt me gropa, bar deri te gjuri, dhe plehra. Qëndrova një copë herë aty dhe pashë punëtorët që kacavireshin në skelën që rrethonte atë çka do të bëhej një kompleks rezidencial me dy kulla 20-katëshe, apartamente luksoze që tashmë ishin nxjerrë në shitje.

Vazhdova udhën anës lumit deri në lagjen Savamala që do të përfshihej në pjesën veriore të projektit. Edhe kjo ishte një zonë e neglizhuar prej kohësh, me banesa të vjetra të rrënuara. Disa nga shtëpitë po binin, çatitë ishin shembur prej kohësh, duke tërhequr artistë lokalë të shkonin e t’i shfrytëzonin si galeri në qiell të hapur. Lagjja ka qenë zemra e ekonomisë së pavarur të qytetit dhe është shndërruar me shpejtësi në një zonë trendy për të rinjtë vendas dhe turistët në kërkim të aksionit.

Në zemër të Savamalës dikur qëndronte ndërtesa pompoze Kooperativa. Kjo ndërtesë 111-vjeçare 6 mijë metra katrorë dikur shërbente si bankë, pastaj u braktis për një kohë të gjatë, duke shërbyer me raste si skenë për filma horror. Këtë ndërtesë Eagle Hills vendosi ta bënte selinë e saj lokale dhe firmës iu dhanë të drejta falas për tre vjet me kushtin që ta restauronte.

Tani ai është vendi ku shkohet për informacion rreth projektit Belgrade Waterfront, por nuk ka vërtet shumë për t’u zbuluar përveç një maketi gjigant të projektit dhe ekspozime të dhoma të apartamenteve për shitje. Pashë modelin e shfaqur në sallën kryesore të ndërtesës. Paraqiste një klishé të gjerë arkitekture moderne që ngrihej shëmtuar pranë disa blloqeve ndërtesash historike në Savamala.

Pavarësisht marrëveshjeve në prapaskenë që sollën projektin Belgrade Waterfront, kritikat më të mëdha ishin për dizenjon, e cila thjesht nuk funksionon për Serbinë. Maketet e projektit tregojnë se si ndërtesat e breglumit që ngrihen nga një terren që është komplet i sheshtë – siç është në Emiratet e Bashkuara Arabe – në vend që të jetë vazhdim i kodrave mbi të cilat është ndërtuar Beogradi. Akademia serbe e Arktitekturës e paralajmëroi qeverinë se “Belgrade Waterfront është një dështim komplet dhe asnjë shtojcë apo korrigjim i supozuar në një kohë të mëvonshme do ta gjallëronte në mënyrë që të arrinte kërkesat teknike dhe potencialin e hapësirës në të cilën dikush do të donte ta vendoste” dhe se dizenjoja “nuk shihej me sy, ishte e fabrikuar, profesionalisht absolutisht e papranueshme dhe e pandreqshme”.

Siç doli më pas, u një sipërmarrje e përbashkët midis qeverisë serbe dhe kompanisë Eagle Hills i krijua në prill 2015, por që duke paksa ndryshe nga ajo që ishte premtuar në fillim. Në vend të thesit me 4 miliard dollarët e premtuar, Eagle Hills investoi 160 milion dollarë dhe më pas i dha Serbisë 300 milion të tjerë hua. Raporte të mëvonshëm pretendojnë se investimi direkt real ishte vetëm 20 milion dollarë. Sido që të jetë, Eagle Hills do të marrë 68% të fitimeve dhe shfrytëzim të truallit për 99 vjet.

“Kam shpresa ngaqë në Beograd pothuajse gjithçka dështon”, përfundon Milanoviç. “Kështu që le të shpresojmë për më të keqen, sepse do të ishte më e mira”.

Rruga Press

YouTube player