Opinion/Aktualitet

Pasiguria e pabarazisë

Shkruan Boiken Abazi

Shqetësimet mbi publikimin e rrogave dhe të dhënave personale dallojnë:

1. Fakti që institucionet e shtetit nuk na mbrojnë nuk është diçka e re. Në përgjithësi jeta nuk është e mbrojtur në Shqipëri, në veçanti për ata që kanë më pak. Prandaj, nuk është çudi që as të dhënat personale nuk janë të mbrojtura. Askush nuk beson te këto institucione, as ata që punojnë në to. Pushteti është i shqetësuar se fasada ka kohë që ka rënë dhe ky skandal e përforcon këtë fakt.

2. Duke qenë se kanë dalë edhe të dhëna mbi shërbimin informativ, kjo tregon se jemi një shtet me siguri kombëtare qesharake. Por kjo nuk është hera e parë kur kujtojmë skandalin e vitit 2018, ku Ministria e Financave bëri publike rrogat dhe shpenzimet e agjentëve të shërbimit informativ (SHISH), përfshirë 2 që kishin pozicione të larta dhe sensitive në zyrat e NATO-së në Bruksel, si dhe agjentë në disa shtete të BE-së e në shtetet fqinje. Pra, nuk kishim, nuk kemi dhe do vazhdojmë mos të kemi siguri kombëtare me këto lloj institucionesh e këtë model qeverisës. Pa ushtri serioze me armatim modern, e pa ekonomi të zhvilluar, siguria kombëtare nuk ka se si mos të jetë në nivele qesharake. Këtu shqetësimi ka tre palë: pushteti shqetësohet që del edhe një herë lakuriq para aleatëve dhe qytetarëve, aleatët shqetësohen se e kuptojnë që nuk mund të na besojnë asgjë serioze, ndërsa qytetarët shqetësohen se e dinë që në një botë që kërcënohet gjithnjë e më shumë nga luftrat, me këto institucione do vazhdojmë të jemi lakuriq para çdo agresori të “Open Balkan” e përtej tij.

3. Ata që janë realisht të shqetësuar për këto publikime, përtej sigurisë kombëtare mund të ndahen në pesë nënkategori:

a. Ata që kanë rroga shumë herë më të larta se mesatarja dhe kanë merakun se do rritet mëria ndaj tyre, apo se edhe mund t’i vjedhë dikush tani që u mor vesh një tregues i të ardhurave të tyre.

b. Ata që përmes këtij publikimi u zbulohet se kanë gënjyer për rrogën e tyre para miqve, kolegëve, familjes …

c. Kompanitë që nuk kanë qenë transparente për rrogat që u japin punëtorëve.

ç. Ata që marrin rroga nga burime që tregojnë favorizime të dyshimta politike dhe biznesore/tregtare, etj.

d. Ata që qartazi kanë deklaruar një rrogë shumë më të vogël nga ç’paguhen realisht, duke kryer evazion fiskal.

4. Një pjesë e rrogave më të larta duket se i marrin ndërkombëtarët në Shqipëri, ose firma të huaja që shfrytëzojnë burimet tona dhe konsumin e qytetarëve shqiptarë, dhe kjo krijon edhe një herë shqetësimin se pabarazia është e thellë jo vetëm brenda vendit, por se edhe të ardhurat nga burimet tona po shkojnë jashtë vendit në formën e një sistemi neokolonial.

5. Përgjithësisht, ata që janë në fund të listës, që marrin nën 50.000 Lekë (të reja), ose që janë të papunë, apo që punojnë në informalitet pa sigurime shoqërore (mbi 50% e shqiptarëve) nuk janë aq të shqetësuar nga kjo “transparencë”. Ata e kanë patur të qartë prej shumë vitesh se institucionet e këtij shteti nuk i mbrojnë, madje që shpesh edhe u shtypin të drejtat bazë. Ndërsa tani kanë mundësinë që pabarazisë t’i vendosin edhe disa emra të përveçëm. Sigurisht, ama, pabarazia nuk matet vetëm me pagën, sepse paga nuk tregon pronat, trashëgiminë, të ardhurat nga qiratë, llogaritë bankare brenda e jashtë vendit, aksionet në bursa, etj … Ata që kanë pasuritë marramendëse nuk figurojnë në këtë listë, dhe as ata që pasurohen nga krimi e korrupsioni. Por, në një farë mënyre, publikimi i pagave ka krijuar një lloj barazie të pazakontë në ndjenjën e pasigurisë në Shqipëri. Ata lart në listë po ndihen pak më të pasigurtë, siç ndihen shumë herë më të pasigurtë në këtë shtet ata në fund të listës, përditë, që janë edhe shumica. Prandaj lufta kundër varfërisë dhe pabarazisë ekstreme, dhe ndryshimi i modelit aktual është domosdoshmëri!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *