Antologji Politike

Parapërfytyrimi i 28 Nëntorit

Shkruan Enis Sulstarova

Disa vite më vonë nga shpallja e pavarësisë, Ismail Qemali kujton çastin e ngritjes së flamurit në Vlorë: “Ky ishte një çast i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë e krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej sikur shpirti i heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste si një zjarr i shenjtë mbi kryet e të gjithë popullit”. Këto fjalë janë botuar në vitin 1917 në revistën britanike The Quarterly Review, janë shqipëruar nga Rafael Floqi dhe janë botuar në shtypin shqiptar më 28 Nëntor 2018 (shih: https://www.kultplus.com/opinione/kujtimet-personale-te-ismail-qemalit-per-shpalljen-e-pavaresise/ [vizituar më 13.10.2021]). Te libri Kujtime, botuar më 1920, Ismail Qemali e përshkruan ngritjen e flamurit me fjalë të përafërta: “Ishte për mua një çast i paharrueshëm, duart e mia dridheshin nga shpresa dhe krenaria, duke parë në ballkonin e shtëpisë së vjetër Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. U duk sikur shpirti i atij heroi të pavdekshëm kaloi si një zjarr i shenjtë sipër kokave të njerëzve që brohoritnin” (Kujtime, Tiranë: Akademia Kulturore “Iliria”, 2007, f. 317). Me gjasë kur ka rikujtuar ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tij, Qemali do të ketë pasur para tekstin e botuar më parë në revistë dhe e ka riprodhuar thuajse njëlloj. Sidoqoftë, kjo përsëritje nuk përjashton mundësinë që ai sa herë që fliste apo shkruante për ato çaste të shprehej në të njëjtën mënyrë, pra të zgjidhte po ato fjalë për t’u dhënë trajtë mbresave të ndjenjave që e kanë kapluar kur po shpallte krijimin e një shteti të ri. Për të dhe për shumë nga ata që e shoqëronin në ato ditë, bëhej fjalë për ringjalljen e shtetit të Skënderbeut dhe është e pritshme që në po atë datë kur ky nisi kryengritjen kundërosmane, disa shekuj më vonë flamuri i tij po sinjalizonte një fillim të ri për kombin shqiptar. Sigurisht që nuk ishte vetëm një akt solemn, ishte njëkohësisht një thirrje e dëshpëruar për mbijetesë në kohën kur pothuaj e gjithë Shqipëria e atëhershme ishte e pushtuar dhe masakra po ndodhnin ngado. Vërtet luftohej në Janinë e në Shkodër, por së bashku me ushtarët turq dhe nën flamurin osman, ndërkohë që perandoria e kishte marrë tashmë të tatëpjetën në Ballkan. Shpresa e kuvendarëve të Vlorës ishte se akti i pavarësisë do të sillte ndërhyrjen e fuqive evropiane për ta shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi i plotë.

Mistika e shpirtit të Skënderbeut që më 28 Nëntor 1912 u qëndron mbi kokë delegatëve të mbledhur në Vlorë nuk pritej të kishte ndonjë efekt mbi botën e jashtme të luftës e diplomacisë, por për botën e brendshme të atyre që shpallën pavarësinë e Shqipërisë duhej të ketë qenë një motivim shumë i madh për aktin që po bënin. Është lehtësisht e besueshme se fjalët e Qemalit vlejnë për të përshkruar përjetimet e shumë prej delegatëve që e dinin rëndësinë historike të kësaj date. Skënderbeu ishte bërë miti kryesor i Rilindjes Kombëtare, strumbullari i formimit të identitetit për nacionalistët shqiptarë. Po të besojmë autobiografinë e një figure tjetër të mirënjohur të Rilindjes Kombëtare, “konvertimi” i Fan Nolit të ri në luftëtar të çështjes shqiptare ndodhi pasi kishte lexuar në gjuhën greke një histori të ilustruar të Skënderbeut. Më pas gjatë gjithë jetës ai sa herë ndodhej para një vendimi të rëndësishëm politik e pyeste veten se çfarëdo të kishte bërë Skënderbeu në një rrethanë të tillë (Fan S. Noli, Vepra 6, Tiranë, 1996, f. 249-250). Në reflektimet në fund të jetës, Noli, pasi rendiste rolin e madh të figurës së Skënderbeut te veprimtarët nacionalistë të brezit të tij, shkruante: “Ndonjëherë pyes veten i habitur nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu” (Fan S. Noli, Vepra 4, Tiranë, 1989, f. 613, kursivi ynë).

Ndjesia se shpirti i Skënderbeut ishte i pranishëm në mesin e delegatëve dhe të popullit të Vlorës më 28 Nëntor 1912 mund ta kuptojmë si një shembull të asaj që filozofi dhe historiani Hans Blumenberge quan “präfiguration” dhe që mund ta përkthejmë si “parapërfytyrim”. Ideja e parapërfytyrimit rrjedh nga tradita biblike, sipas së cilës ngjarjet e përshkruara në Dhiatën e Vjetër duket sikur parathonë ngjarjet që do të ndodhin më vonë dhe që janë përshkruar në Dhiatën e Re. Blumenbergu në studimin e tij për rolin e miteve në politikë, shkruan se parapërfytyrimi është një mënyrë për t’i dhënë legjitimitet një vendimi, me anë të ndjelljes së një ngjarjeje historike që duket sikur i paraprin atij. Risia, hovi drejt së panjohurës, paraqitet si një përsëritje e një ngjarjeje, apo vijim i një procesi të nisur kohë më parë. Ajo që do të vijë është tashmë e paracaktuar. Historia pajiset me një rregullsi e brendshme dhe nuk duket si rrënimtare tekanjoze e projekteve njerëzore. Shkurt, 28 Nëntori 1912 ishte parathënë më 28 Nëntor 1443, flamuri i Shqipërisë së lirëishte po ai që ngriti Skënderbeu në Krujë, çka e bënte Skënderbeun “të gjallë” në mesin e delegatëve.

28 Nëntor 1944 – Ndërsa pushtuesit gjermanë po tërhiqeshin drejt veriut, partizanët parapërfytyronin çlirimin e vendit më 28 Nëntor 1944, si për të ripavarësuar Shqipërinë dhe për tëpërsëritur epopenë e fitoreve të ushtrisë së Skënderbeut mbi ushtritë armike disa herë më të fuqishme. Megjithëse Tirana ishte çliruar më 17 nëntor, qeveria e re priti datën 28 për hyrjen e saj solemne në kryeqytet, për të pasur njëngjarje ku të lidhej shpallja e kësaj date si dita e Çlirimit. Ndërkohë në Shkodër, Komiteti Qarkor i Partisë Komuniste më 28 nëntor shpërndante një shpallje që fillonte me fjalitë: “Gjithë Shqipëria po e feston ditën e flamurit pa okupatorë e tradhtarë. Gjaku i partizanëvet heroikë dhe sakrificat e popullit t’onë e dhanë frytin e vet” (Kasem Biçoku, Data e çlirimit të Shqipërisë, Tiranë, 2009, f. 94). Nisur edhe nga lajmet që vinin nga Shkodra, Enver Hoxha në fjalimin e mbajtur në Tiranë në po atë datë, do të deklaronte se “Dita e Flamurit u bëdy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar” (po aty, f. 36, kursivi ynë). Edhe pse shtete të tjerë si ditë çlirimi do të dekretonin ditën e çlirimit të kryeqytetit, dukej se regjimi i ri në Shqipëri, nën efektin e parapërfytyrimit të shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor, do të vepronte ndryshe. Hyrja e qeverisë së re në Tiranë dhe çlirimi i Shkodrës, qytetit më verior të Shqipërisë (londineze), ishin ngjarje historike që mund të qëndronin në krah të shpalljes së pavarësisë dhe fillimit të kryengritjes kundërosmane të Skënderbeut.

Gjatë vitit 1945 dukej se 28 Nëntori do të festohej dhe do zyrtarizohej edhe si festa e çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë, edhe pse 17 Nëntori i çlirimit të kryeqytetit shihej si alternativë. Me afrimin e këtyre datave duhej marrë një vendim i qartë. Më 5 nëntor 1945, në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar u diskutua amnistia për faljen e krimeve të lehta ordinere që kishin ndodhur deri në çlirimin e Shqipërisë. Projekt-ligji mbante datën 17 nëntor 1944 si kufi për vlefshmërinë e tij dhe Manol Konomi, një nga anëtarët e Këshillit shpjegon që kjo datë është marrë parasysh si dita e çlirimit të Shqipërisë. Anëtarët Qiriako Harito japin propozimin që periudha e vlefshmërisë së ligjit të shtyhet më 28 nëntor, meqenëse Shkodra është çliruar në këtë ditë dhe ai pranohet dhe kjo datë mbetet në ligj, duke shënuar edhe çlirimin e Shqipërisë(shih procesverbalin e mbledhjes, botuar po aty, f. 97-99). Jo vetëm kupola, por edhe baza e “çlirimtarëve” dukeshin se ishin entuziastë për përsëritjen e ngjarjeve madhore në të njëjtën datë, si të bëhej fjalë për një providencë. Sidomos në Shkodër kishin filluar tashmë përgatitjet për festimin e një-vjetorit të çlirimit. Gazeta lokale Koha e Re botonte shkrime për ngjarjet e asaj dite. Më11 nëntor 1945 aty botohet një artikull nga Mark Ndoja ku shkruhet se populli shqiptar “pregatitet ma më gëzim e enthuziazëm për të festue 28 Nandorin, Festën e madhe kombëtare, që siguroi tri herë lirinë e pamvarësinë e Shqipnisë, më 1443 në Krujë me Skënderbeun në krye të lëvizjes çlirimtare, më 1912 me Ismail Qemalin nëVlonë dhe më 1944 me Enver Hoxhën në Tiranë” (po aty, f. 47; kursivi ynë). Vihet re se autori nuk përmend çlirimin e Shkodrës, por hyrjen e qeverisë në Tiranë për të nxjerrë në pah udhëheqësin e ri të Shqipërisë dhe për ta vendosur në krah të dy heronjve kombëtarë. I njëjti autor në datën 28 Nëntor 1945 boton te kjo gazetë kryeartikullin kremtues, në të cilin shkruan edhe këto fjalë: “…ditë [e] madhe Kombëtare që e banë tri herë të shejtë për Shqipninë Skënderbeu, Ismajl Qemali dhe Enver Hoxha” (po aty, kursivi ynë).

Gjatë periudhës komuniste,28 Nëntori do të kishte mbetur si shenjues i kësaj trinie heronjsh, po të mos kishte vendosur ndryshe i treti prej tyre. Mark Ndoja nuk e dinte se më datën 9 nëntor 1945 ishte mbledhur sërish Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, kësaj radhe për të vendosur pikërisht për të kremtet zyrtare. Anëtar Bedri Spahiu e merr fjalën dhe kërkon që në ligj të vendoset emërtimi i 28 Nëntorit si “Ditë e Indipendencës dhe e Çlirimit të Shqipërisë”. Hidhet në votim dhe me vetëm pesë vota pro nga 22 të pranishëm nuk miratohet. Menjëherë tema kalon te festat fetare dhe pastaj Kryesia bën pesë minuta pushim. Fill pas pushimit, Ramadan Çitaku e merr fjalën dhe thotë se në projekt-ligj ishte harruar përfshirja e datës së çlirimit dhe shton se “pas mesnatës së 28 Nëntorit 1944, armiku qe zhdukur nga e gjithë Shqipëria, d.m.th. dita e 29 Nëntorit u gdhi duke qenë Shqipëria e çliruar. Prandaj propozoj që të shtohet në ditët e festave kombëtare” (po aty, f. 105). Një propozim dinak ku bëhet çmos të fshihet motivi i vërtetë për zhvendosjen e datës të çlirimit prej 28-s, që tashmë ishte pranuar faktikisht, te 29-a. Më logjike do të ishte që të propozohej si datë e çlirimit të vendit 17 Nëntori, data e çlirimit i kryeqytetit, siç e kanë vendosur edhe shtete të tjera komuniste, por ajo që po ndodh në këtë mbledhje është që merret shkas nga çlirimi i Shkodrës, ngjarje e cila në krye të herës u mor në konsideratë vetëm e vetëm për ta njësuar Çlirimin me Pavarësinë dhe shpallet se në të vërtetë Shkodra qenka çliruar një ditë më vonë. Pra, duket qartë se Çitaku po propozon që pikërisht 29 nëntori të vihet në kalendarin e të kremteve zyrtare. Propozimi i tij përkrahet nga anëtarë të tjerë të Kryesisë që marrin fjalën. Midis këtyre janë Qiriako Harito dhe Tuk Jakova, të njëjtët që disa ditë më parë kishin përmendur28 Nëntorin si ditë të çlirimit. Me votimin pro të shumicës miratohet projekti-ligji që e përmend datën 29 Nëntor 1944 si Përvjetor të Çlirimit.

Dy folës të tjerë në mbledhjen e 11 nëntorit, Myslym Peza dhe Koço Tashko, thonë që data e çlirimit merr më shumë domethënie historike se data e pavarësisë, për faktin se u arrit me luftë e gjakderdhje, ndërsa pavarësia e Shqipërisë ishte më shumë rrjedhojë e diplomacisë ndërkombëtare. Gjergj Kokoshi ndërhyn duke thënë se përveç rolit të diplomacisë janë vrarë shumë shqiptarë për të arritur pavarësinë. Tuk Jakova përpiqet të sheshojë debatin se cila datë është më e rëndësishme, duke argumentuar se 28 Nëntori 1912 është një ngjarje e madhe në vetvete, sepse pas pesëqind vjet robërie por edhe 29 Nëntori 1944 duhet të festohet me po aq krenari, sepse flijimet që ka bërë populli për çlirimin janë të freskëta: “Në këtë ditë do të mbahen fjalime dhe do të kujtohen sakrificat e mëdha që ka bërë populli; me këtë datë është i lidhur secili: kush ka dhënë djalin, kush atin, vëllanë etj.” (po aty, f. 107).Është interesant fakti që Enver Hoxha, edhe pse i pranishëm në të dyja mbledhjet, asnjëherë nuk e merr fjalën.Sot kuptojmë se diktatori ishte për datën 29 Nëntor, edhe për faktin se në ribotimin e veprave të tij teksti i fjalimit të 28 Nëntorit 1944 është ndryshuar kështu: “Dita e Flamurit u bë dy herë e shenjtë, dita e pavarësisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar” (po aty, f. 36). Fjala “pavarësi” ka zëvendësuar fjalën “çlirim”, duke prishur logjikën e fjalisë, sepse nuk ka kuptim që data që shënon një ngjarje të vetme, pavarësinë, të jetë dy herë e shenjtë. Në tekst nuk ka ndonjë aludim për 28 Nëntorin e vitit 1443, meqenëse si datë e bashkimit të shqiptarëve rreth Skënderbeut zakonisht kremtohet 2 Marsi i Lidhjes së Lezhës.

Historianë dhe të tjerë ka ngritur pyetjen se përse Enver Hoxha vendosi që 29 Nëntori të kremtohej si përvjetor i çlirimit. Historiani Kasem Biçoku dhe shumë të tjerë janë të mendimit se Hoxha në atë kohë kërkonte që në kalendarin e kremteve zyrtare që ishte një datë e rëndësishme që kremtohej edhe në Jugosllavi. 29 nëntori 1943 ishte dita e mbledhjes së dytë të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ), ku u hodhën themelet institucionale të shtetit dhe u miratua qeverisja e ardhshme, ngjarje të cilën komunistët shqiptarë e imituan me Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944. Meqenëse udhëheqësit komunistë në të dy shtetet po planifikonin përfshirjen e Shqipërisë në federatën e Jugosllave, po punohej për përafrimin e dy popujve dhe kremtimi në një datë i dy ngjarjeve madhore të luftës së përbashkët kundër pushtuesve nazi-fashistë do të ishte një hap në këtë drejtim. Historiania Valentina Duka, pasi ka “rizbuluar” të njëjtat dokumente që ka cituar dhe botuar më parë Biçoku, është e mendimit se 29 Nëntori u zgjodh për ta larguar Çlirimin nga simbolika e Pavarësisë: “Enver Hoxha duhet të kishte një datë për luftën, për veten e tyre [të partizanëve], jo një ditë ku t’i bënte hije plaku i Vlorës”.Ndërsa për pyetjen pse Hoxha nuk zgjodhi 17 Nëntorin, Duka hamendëson se ai nuk mund të pranonte as hijen që mund t’i lëshonte Mehmet Shehu, i cili kishte komanduar luftën partizane për çlirimin e Tiranës(shih: https://sot.com.al/politike/lirimi-i-shqiperise-reagon-valentina-duka-enver-hoxha-donte-nje-date-pe/ [vizituar më 13.10.2021]).Për aq sa jemi në gjendje të hamendësojmë mbi motivet e atëhershme të diktatorit, mbi llogaritjet dhe ankthet që e mundonin, mund të themi se arsyetimi i Biçokut dhe ai i Dukës nuk janë përjashtues, por plotësojnë njëri-tjetrin. Dihet se në vitet 1945-1948 Shqipëria ka qenë një shtet vasal i Jugosllavisë dhe kishte filluar procesi i përfshirjes së Shqipërisë në federatën jugosllave, për pasojë arsyetimi i Biçokut vlen. Gjithashtu, dihet se udhëheqësit jugosllavë dhe, nën ndikimin e tyre, Stalini, kishin shprehur rezerva për Hoxhën, të cilin e karakterizonin si “nacionalist borgjez”. Ata parapëlqenin Koçi Xoxen, si sllav dhe “proletar”. Ka mundësi që qysh në vitin 1945 Hoxha të ketë dashur të jepte prova të besnikërisë ndaj udhëheqjes jugosllave dhe njësimi i datës së çlirimit me atë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nuk do të ishte një shenjë e mirë në këtë drejtim, aq më tepër që parashikohej shuarja e ngadaltë e sovranitetit të shtetit shqiptar. Në republikën e shtatë të Jugosllavisë përkujtimi çdo vit i Çlirimit më 28 Nëntor patjetër që do të gjallonte idenë e Pavarësisë dhe kjo nuk mund të pranohej.

“Dita e pushkatimeve” – Qeverisja e parë demokratike në Shqipëri, në dritën e të dhënave historike, disa prej të cilave janë përmendur edhe më sipër, mori vendimin për të kremtuar në datën 28 Nëntor si pavarësimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, po ashtu edhe çlirimin e shtetit nga pushtuesit nazi-fashistë. Duke mos sanksionuar 17 Nëntorin 1944 si datë të çlirimit, qeveria përsëriti artificin që kishte krijuar qeveria komuniste për ta vendosur herën e parë datën e çlirimit më 28 Nëntor e më pas për ta zhvendosur në paraditen e 29 Nëntorit. Në këtë mënyrë, ora e saktë e largimit të ushtarëve gjermanë nga rrethinat e Shkodrës u kthye në një mollë sherri midis historianëve, duke fshehur motivet e vërteta të dy krahëve politikë:nostalgjikët e komunizmit dhe Partia Socialiste (Partia e Punës me emërtim të ndryshuar) kapeshin fort pas datës 29 nëntor për të mbajtur identitetin opozitar dhe projektuar revanshin e marrjes së pushtetit; mbështetësit e Partisë Demokratike mendonin se kremtimi në të njëjtën datë do ta zbehte gjithsesi simbolikën e çlirimit, pas së cilës ishin lidhur shpirtërisht komunistët dhe “kriptokomunistët”. Pas marrjes së pushtetit në vitin 1997, Partia Socialiste e rivuri në kalendarin zyrtar 29 Nëntorin, ndoshta edhe për t’u kujtuar shqiptarëve se pushteti i saj tani, sikurse i komunistëve më parë buronte nga tyta e pushkës. Partia Demokratike gjatë qeverisjes së saj të dytë nuk bëri përpjekje për ta ndryshuar kalendarin, por vijoi t’i përkujtonte të dyja ngjarjet në 28 Nëntor. Debati i historianëve vijon dhe pasqyrohet në librat shkollorë të historisë. Në një studim që kishte të bënte edhe me librat e historisë të botuar që nga fundi i viteve 1980 e deri më2016, vumë re se tekstet alternative të historisë që përdoreshin në shkolla të ndryshme jepnin ose28 ose 29 Nëntorin 1944 si ditë të çlirimit (Enis Sulstarova, “Islamizëm do të thotë Lindje”: Rrëfimi i kombit, Evropës dhe islamit në ligjërimin publik dhe në tekstet shkollore të historisë, Tiranë, 2016, f. 111-112).

Kujtesa kolektive në Shqipëri mbetet e ndarë për simbolikën e datës së çlirimit, sepse ajo është edhe data e vendosjes së një pushteti diktatorial, gjakatar, hakmarrës dhe ksenofob. Kur i kthehet kujtimeve të fëmijërisë shkrimtari Ismail Kadare thotëse “dita e parë e çlirimit (ajo që në libra dhe filma do të përkujtohej si një festë mallëngjyese) ishte në të vërtetë një ditë pushkatimesh” (Dialog me Alain Bosquet, Tiranë, 1996, f. 11). Për shumë qytetarë të Shqipërisë, dita e çlirimit hap kalvarin e persekutimeve, vuajtjeve dhe privimeve ndaj tyre dhe familjeve të tyre, për shërimin e pasojave tëtë cilave në dekadat që vijuan është bërë shumë pak.Edhe për ta është mirë qëdita e çlirimit nuk është e njësuar me atë të pavarësisë, sepse në këtë mënyrë nuk detyrohen të përkujtojnë si themelimin e shtetit, si çastin kur shteti fillon t’i shënjestrojë si “armiq”, “klasa shfrytëzuese”, “kulakë” etj. Për shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë datë themelore mbetet 28 Nëntori, si shenjues i identitetit shqiptar. Çdo vit në këtë datë disa prej nesh ndjejnë keqardhje që Shqipëria nuk u bë ashtu siç do ta dëshironin ata që e shpallën të pavarur, ndërsa të tjerë ndjejnë të njëjtin zë që u thotë: “Shqipërinë e pabërë, bëje të bërë!” (Ukshin Hoti)./Shenja

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *