KryesoreOpinion/Aktualitet

Pakti Rama-Meloni, PDIU “ushtari” i PS-së për të ratifikuar marrëveshjen! A humbi “zelli” i Shpëtim Idrizit për sovranitetin?

U deshën vetëm pak kohë që marrëveshja për emigrantët e bërë në fshehtësi të plotë mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane Georgia Meloni të ratifikohej nga Kuvendi i Shqipërisë. Këtë të enjte, marrëveshja u miratua me 77 vota pro, mazhoranca arriti qëllimin e saj duke bashkuar votat me PDIU-në, parti e drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

Të shumtë janë ata që PDIU-në e Shpëtim Idrizit e lidhin me çështjen çame, e në fakt e vetmja retorike e prodhuar nga kjo parti është pikërisht kjo plagë e vendit tonë. Çështja kombëtare ka qenë gjithnjë retorika, paçka se ka qenë e sforcuar nga ana e PDIU-së, parti e cila pretendon se është nacionaliste e djathtë në Shqipëri.

Pas ratifikimit në Kuvend në seancën e sotme, deklarata e deputetes së PDIU-së, Mesila Doda vërteton pikërisht mungesën e konsistencës nga ana e partisë në fjalë, por edhe vënien në funksion të partisë në shërbim të Edi Ramës. Doda thotë se bëhet fjalë për një shtet të cilin e cilëson mik, pra Italinë. Por, paradoksi nuk mbaron këtu, Doda madje pretendon që të gjithë eksponentët politikë do duheshin të ishin pro kësaj marrëveshjes.

“Ishim pro marrëveshjes. Bëhet fjalë për një shtet mik, një shtet fqinj, që është në një moment krize. Ne mund të ndihmojmë për një problematike të tyre, dhe duhet të jemi në krah të tyre. Nuk bëhet fjalë të mbështesim individë që mund të jete Fredi Beleri, por një shtet mik. (…) Bëhet fjalë për marrëveshjen me Italinë, do duhej të mbështetja nga të gjithë. Ne sa herë kemi pasur nevojë kemi pasur përkrah shtetin italian.” – tha Doda.

A nuk duket paksa e ngjashme me deklaratën cinike të kryeministrit Rama “Ja kemi borxh Italisë”?

Lexo më shumë  Rashiq: Lista Serbe nuk ishte e gatshme për votim në veri, do të ishte humbje e Vuçiqit

Paradoksi i PDIU-së, shkëputja nga opozita në zgjedhjet vendore dhe retorika si gjithnjë, shterpë

Në zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri, një ndër lëvizjet politike që bëri më shumë ‘bujë’ qe largimi i beftë i kryetarit të PDIU-së nga koalicioni me opozitën, pra me lëvizjen e Sali Berishës dhe Ilir Metës “Bashkë Fitojmë”. Si argument, ndoshta deri diku të kuptueshëm, Idrizi u shpreh se situata kaotike e luftës brenda llojit e shtyu drejt këtij vendimi. Sidoqoftë, shigjetimet me ironi për kandidatin e “Bashkë Fitojmë”, pra Belind Këlliçit nuk munguan, ashtu siç nuk mungoi veshja me vellon e moralit të PDIU-së, gjithnjë e gatshme për të riprodhuar retorikën maksimalisht me 7 fjali.

Aso kohe, Shpëtim Idrizi thotë: Ne nuk kemi as tokë, as det për të falur. Na mjafton dhimbja e Çamërisë dhe e drejta për t’iu kthyer asaj. Çfarë është shqiptare do të mbetet e tillë. Kjo është e vetmja kredo e PDIU-së.”

Nëse rikthehemi në atë që PDIU bëri sot me mazhorancën, arrijmë të kuptojmë lehtësisht dy gjëra: PDIU është pa ideologji dhe në shërbim të mazhorancës.

Pakti Rama-Meloni, cilat borxhe po lajmë?

Marrëveshja për emigrantët nxori kryeministrin e Shqipërisë si gënjeshtar, sepse dy vite më parë, deklaroi se Shqipëria nuk do të kthehet në një kamp refugjatësh. Fakti që marrëveshja nuk nënkupton para në shkëmbim të kampeve, kombinuar me racizmin latent të shqiptarëve ndaj Afrikanëve, nënkupton një kosto politike përballë elektoratit vendas.

Pra, marrëveshja Rama –Meloni nuk ka një logjikë ekonomike. Ndryshe nga marrëveshja e Erdoganit me BE-në që i dha miliarda euro qeverisë turke për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Turqi, marrëveshja për emigrantët nuk prodhon asnjë përfitim konkret për Shqipërinë.

Lexo më shumë  Bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj qëllon me thikë në mes të Tiranës drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së

Përkundrazi, bie ndesh me strategjinë e turizmit të vetë qeverisë Rama që promovon një imazh të ri të Shqipërisë si destinacion turistik. Kampet e refugjatëve janë burgje që më shumë se kampeve të pushimit i përngjajnë kampeve të përqendrimit ku gëlon dëshpërimi, vuajtja dhe abuzimi. Shqipëria nuk ka sesi kthehet më në “Maldiven e Evropës” sepse nga kampet e refugjatëve nuk vijnë lajme të gëzueshme.

Ndaj kjo marrëveshje nuk ndihmon refugjatët dhe as Italinë, por Melonin dhe koalicionin e saj të ekstremit të djathtë që si në shumë vende evropiane përdor refugjatët për të injoruar problemet reale të Italisë që nga kriza e sistemit bankar, kriza ekonomike dhe deri tek kriza demografike.

Ironikisht as kjo marrëveshje nuk ia zgjidh dot hallin Melonit, dhe aq më pak Italisë. Marrëveshje të tilla kanë dështuar në vende të tjera sepse janë në thelb anti-kushtetuese, ndonëse Gjykata Kushtetuese në Shqipëri zgjodhi të mbyllë të dy sytë për ta parë këtë.

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane në 5 dhjetor dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër./G.M

YouTube player