KryesoreLajme

Paketa fiskale 2027/ Bizneset gjermane kundërshtojnë ndryshimet e taksave: Rriten kostot dhe rrezikohet klima e investimeve në Shqipëri

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri ka kundërshtuar disa prej ndryshimeve të parashikuara në paketën fiskale të vitit 2027. Ajo ka paralajmëruar se rritja e barrës tatimore mund të sjellë kosto shtesë për kompanitë dhe të frenojë interesin e investitorëve të huaj.

Në një reagim publik, përfaqësuesit e biznesit gjerman kanë kritikuar mënyrën se si është hartuar paketa. Ata kanë theksuar se kompanitë nuk janë përfshirë në konsultime paraprake dhe nuk kanë pasur mundësi të njihen në kohë me propozimet për ndryshimet ligjore.

Sipas shoqatës, mungesa e transparencës dhe konsultimit krijon pasiguri për sipërmarrjet, ndërsa parashikueshmëria e politikave fiskale është një element thelbësor për vendimmarrjen e investitorëve vendas dhe të huaj.

Lexo më shumë  Jo PROTESTA, por kjo "Asgjë-ja" po kthehet në pengesën tonë më të madhe dhe më të shtrenjtë drejt Europës

Edhe pse DIHA vlerëson disa prej lehtësive të propozuara, si ulja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore dhe reduktimi i tatimit mbi të ardhurat për shtresën e mesme, shqetësimi kryesor lidhet me mënyrën se si do të financohen këto masa.

Përfaqësuesit e shoqatës i bëjnë thirrje qeverisë dhe Kuvendit të rishikojnë masat e propozuara, të zhvillojnë konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit dhe të parashikojnë një periudhë tranzitore për zbatimin e ndryshimeve.

“DIHA shpreh keqardhjen që komuniteti i biznesit nuk u përfshi në procesin e hartimit të paketës. Projektligjet nuk u publikuan për konsultim publik ndërsa tekstet përfundimtare iu paraqitën Këshillit Tatimor vetëm pak kohë përpara dorëzimit në Parlament. Një kuadër tatimor i parashikueshëm mbetet një nga faktorët kryesorë që investitorët gjermanë dhe të huaj marrin në konsideratë kur vendosin se ku të investojnë. Të marra së bashku, këto rritje mund të kufizojnë burimet financiare që kompanitë kanë në dispozicion për riinvestime, modernizim dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, deklaron shoqata gjermane e Industrisë dhe Tregtisë.

Rruga Press

Lexo më shumë  Tomorri: Progres-raporti për Shqipërinë tregon përgjegjësitë e qeverisë për pengesat në integrimin drejt BE-së
YouTube player