KryesoreLajme

“Paketa e Maleve” hyn në fazën e zbatimeve, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e saj

“Paketa e Maleve po nis të japë rezultatet e para konkrete dhe ky është vetëm fillimi”, deklaroi ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, duke njoftuar se 52 bashki kanë miratuar mbi 460 zona prioritare, ndërsa numri i aplikimeve ka arritur në rreth 1 900. Rreth 200 prej tyre, sipas ministrit, janë miratuar tashmë nga këshillat bashkiakë dhe janë dhënë lejet e para për vijimin e investimeve.

Por ajo që qeveria e paraqet si një nga instrumentet e reja të zhvillimit rural është njëkohësisht një prej paketave ligjore që protestuesit në Shqipëri kanë kërkuar shprehimisht të shfuqizohet.

Në kërkesat e bëra publike gjatë protestave të muajve të fundit, krahas anulimit të ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe Trashëgiminë Kulturore dhe shfuqizimit të kuadrit për Investimet Strategjike, është kërkuar edhe shfuqizimin e “Paketës së Maleve”.

Kjo e vendos deklaratën e sotme të qeverisë për “rezultatet e para” përballë një debati më të gjerë: çfarë lloj zhvillimi po prodhon Paketa e Maleve dhe çfarë rrezikon Shqipëria duke e kthyer territorin në objekt shkatërrimi përmes procedurave të përshpejtuara?

Por vetë natyra e mekanizmit ngre pikëpyetje në një vend ku çështjet e pronësisë, kufijtë e pronave dhe dokumentacioni i trashëguar mbeten prej dekadash burim konfliktesh. Madje Demo ka pranuar më herët se Paketa e Maleve nuk është një nismë për zgjidhjen e pronësisë. Përfitues mund të jenë edhe persona që pretendojnë se e kanë poseduar pronën për të paktën dhjetë vjet, ndërsa bashkitë marrin një rol kyç në verifikimin dhe vijimin e procedurës.

Lexo më shumë  Nga 2023 në 2027: Treni Tiranë-Durrës që niset gjithmonë “vitin tjetër”

Pikërisht këtu lind një nga problemet themelore: a mund të ndërtohet një mekanizëm i fuqishëm zhvillimi mbi territore ku pronësia nuk është zgjidhur përfundimisht, pa prodhuar konflikte të reja?

Ka edhe një dimension tjetër. Paketa nuk mund të shihet e shkëputur nga modeli më i gjerë i zhvillimit të territorit. Protestuesit kanë vendosur në të njëjtën paketë kërkesash “Paketën e Maleve”, ndryshimet për Zonat e Mbrojtura dhe kuadrin e Investimeve Strategjike. Kjo tregon se kundërshtimi nuk lidhet vetëm me një procedurë administrative, por me frikën se zhvillimi ekonomik po identifikohet gjithnjë e më shumë me ndërtimin dhe shfrytëzimin e territorit.

Por investimi nuk është automatikisht zhvillim i qëndrueshëm.

Nëse zonat malore trajtohen kryesisht si hapësira të reja për ndërtime turistike, Shqipëria rrezikon të përsërisë në male modelin që ka prodhuar presion të madh ndërtimor në pjesë të bregdetit. Territori, peizazhi, pyjet dhe ekosistemet janë vetë kapital ekonomik. Një investim mund të prodhojë të ardhura sot, ndërsa transformimi i pakthyeshëm i territorit mund të ketë një kosto që shfaqet vetëm pas shumë vitesh.

Lexo më shumë  AUV tërheq qumështin “Land” të Vitës për shkak të mykotoksinës mbi kufirin e lejuar

Edhe shifra prej 1 900 aplikimesh, që qeveria e paraqet si tregues të suksesit, mund të lexohet në dy mënyra. Ajo dëshmon interes ekonomik, por njëkohësisht tregon edhe shkallën e presionit të mundshëm që mekanizmi mund të ushtrojë mbi territorin nëse kontrolli urbanistik, mjedisor dhe i pronësisë nuk funksionon me rigorozitet.

Prandaj debati nuk mund të reduktohet te pyetja nëse Paketa e Maleve “prek apo jo pronën private”. Çështja është shumë më e gjerë: kush përfiton nga zhvillimi, çfarë ndërtohet, ku ndërtohet, kush e kontrollon procesin dhe çfarë humbet territori në këmbim të investimit?

Protesta qytetare e ka futur tashmë këtë çështje në listën e kërkesave politike, duke kërkuar shfuqizimin e plotë të Paketës. Ndërkohë qeveria po përshpejton zbatimin dhe po e paraqet numrin e aplikimeve dhe lejet e para si dëshmi të suksesit.

Rruga Press

YouTube player