KryesoreLajme

Nga 2023 në 2027: Treni Tiranë-Durrës që niset gjithmonë “vitin tjetër”

Shkruan Lutfi Dervishi

Hekurudha Tiranë-Durrës: treni që niset (gjithmonë) vitin tjetër

Plot pesë vite më parë, më 2021, kur u nënshkrua kontrata për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e degëzimit për në Rinas, u tha se punimet do të zgjasnin 30 muaj. Treni duhej të ishte gati, tri vite më parë, në verën e vitit 2023.

Në tetor 2022, gjatë vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ministrja e Infrastrukturës dha një afat tjetër: fillimi i vitit 2024.

Von der Leyen u habit: “Uau, fillimi i 2024-s. Pastaj do të hipni në tren dhe do të shkoni në bregdet.”

Ne në atë kohë u çuditëm që Ursula u çudit. Sot kuptojmë se ajo kishte të drejtë të çuditej.

Lexo më shumë  AUV tërheq qumështin “Land” të Vitës për shkak të mykotoksinës mbi kufirin e lejuar

Në prill 2023 u shpall një afat i ri. Gjatë një inspektimi në kantier, ministria dhe kryebashkiaku njoftuan se projekti pritej të përfundonte në 2024.

Në janar 2024, Hekurudha Shqiptare tha se afati ishte shtyrë për në tremujorin e parë të vitit 2025.

Në shkurt 2026, HSH tha se rreth 90% e punimeve ishin realizuar, se afati zyrtar për përfundimin e tyre ishte dhjetori 2026, ndërsa testimi dhe operimi priteshin në tremujorin e parë të vitit 2027.

Por një muaj më parë, ministri i Infrastrukturës shpalli objektivin e ri: fundin e vitit 2027. Deri më tani 6 afate!

Ndërkohë është bërë publik një projekt edhe më ambicioz: hekurudha Durrës-Prishtinë; -105 km linjë, 43 ura dhe 14 tunele. Vetëm segmenti i ri Shkodër-Gjakovë vlerësohet rreth 1.8 miliardë euro.

Lexo më shumë  Kroacia ngre alarmin : Serbia po armatoset me armë sulmuese

Dhe këtu lind pyetja që as Pasqyrë Albania nuk e pasqyron dot: nëse për riparimin e Tiranë-Durrës-Rinas, një linjë rreth 40 kilometra, për trenin që duhej të nisej në 2023 presim fundin e 2027-s, sa dekada do të duhen për Durrës-Prishtinë, me 43 ura dhe 14 tunele?

Apo është më mirë të mos vendosim afat, që çudia në fytyrën e Ursulës të mos kalojë në lebetitje!

Rruga Press

YouTube player