Lajme

Osmani pritet nga presidenti i Gjermanisë, Steinmeier, i kërkon mbështetje për njohje të reja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot nga presidenti i Gjermanisë, Franz-Walter Steinmeier, me nderimet më të larta.

Osmani është në ditën e parë të vizitës së saj zyrtare në Gjermani, ku po qëndron me ftesë të Steinmeierit.

Ajo do të qëndrojë dy ditë në Gjermani.

Gjatë takimit Osmani ka falënderuar Gjermaninë dhe ka kërkuar nga ajo ta ndihmojë Kosovën për të marrë njohje të reja dhe po ashtu për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me presidentin Steinmeier. Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Republika e Kosovës synon ta avancojë bashkëpunimin rajonal – në përputhje me planin e veprimit të krijuar në Sofje (2020) për krijimin e një tregu të përbashkët të katër lirive themelore (lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit)”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Sipas saj, çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE -së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka ritheksuar se rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues dhe kufijve aktual të Kosovës.

Lexo më shumë  Ministria Vitia për aparaturën e Mjekësisë Bërthamore: Fjalë e fundit e teknologjisë

Në takim me presidentin Steinmeier, Presidentja Osmani ka përmendur lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë, shkaku i mbi 400 mijë kosovarëve që jetojnë në shtetin gjerman. Më tej, Osmani i ka thënë homologut Steinmeier se Kosova është e interesuar për rritjen e investimeve direkte nga Gjermania.

Presidentja Osmani ka theksuar, gjithashtu se Kosova është e interesuar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshje me Gjermaninë, si ajo për transportin e mallrave dhe automjeteve, për heqjen e taksimit të dyfishtë, si dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet finalizimi i Memorandumit dypalësh për njohjen e patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *