Bota

Osmani paralajmëron takim me opozitën për Asociacionin: Duhet të eliminohen disa paqartësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo tha se pas dorëzimit të draftit edhe te partitë opozitare, do t’i thërrasë të njëjtat në një takim për t’i marrë shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga euro-amerikanët, por edhe të diskutojnë për tema të tjera të interesit nacional.

“Së shpejti do t’i thërras partitë opozitare në takim që të dëgjojë vlerësimet e tyre pasi e kanë marrë edhe ata draftin. Cilat janë komentet e tyre, cilat janë çështjet të cilat ata dëshirojnë që të sqarohen. Do t’i inkorporojë edhe ato komente, natyrisht me ato që pajtohemi dhe kemi vlerësimin e njëjtë në mënyrë që të përforcohen dhe përbashkohen zërat tanë për të gjitha ato çështje që mendojmë të përmirësohet ky draft… Unë do të pres që t’i takoj dhe t’i dëgjojë më në detaje shqetësimet e tyre para se t’i komentoj. Tani për fund të vitit do t’i ftojë partitë opozitare për konsultime të fundvitit për këtë temë dhe për shumë tema të tjera që kanë të bëjnë me interesin nacional”, tha Osmani.

Duke folur për adresimin e shqetësimeve të institucioneve për draft-statutin e asociacionit, Osmani tha se ka pasur takime me miqtë dhe aleatët për t’i nënvizuar se cilat pjesë të draftit janë të domosdoshme të sqarohen, në mënyrë që mos të krijohen probleme në zbatimin praktik të tij.

Lexo më shumë  Britania e Madhe kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje rreziqeve të konflikteve në Ballkan

Ajo shtoi se do të dorëzojë edhe komente në momentin që ky dokument shkon në Gjykatën Kushtetuese për t’i eliminuar të gjitha paqartësitë e tij.

“Në momentin kur kemi pranuar draftin janë përgatitur një sërë komentesh që Qeveria e Kosovës i ka dërguar te të gjithë të deleguarit special, shteteve të involvuar. Pastaj ka pasur diskutime të ndara, ku shumë prej tyre edhe unë i kam pasur me miqtë dhe aleatët tanë, ku kemi treguar se cilat pjesë është e domosdoshme të sqarohen, në mënyrë që mos të krijojnë probleme në praktikë, të cilat nuk i dëshirojmë askush prej nesh. Mirëpo, meqenëse këto ende nuk janë bërë publike si komente, pasi ende jemi në fillim të procesit dhe vetë dokumenti nuk është dërguar për publikim nga e ana e hartuesve të tij, që janë komuniteti ndërkombëtar. Atëherë, ne do të presim që ata të publikojnë draftin, nuk besoj se do të ketë problem që të publikohen edhe komentet e institucionet. Ajo çka e kam thënë më herët se në momentin që dokumenti shkon në Gjykatën Kushtetuese siç është paraparë në vetë draft-statutin si presidente e vendit do t’i dërgoj komentet të cilat kanë për qëllim që ky draft të eliminojë disa prej këtyre paqartësive”, theksoi Osmani.

Sa i përket nisjes së peticionit për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore, Osmani tha se ende nuk ka asnjë informatë zyrtare.

“Sa i përket kërkesës që ju po i referoheni për nënshkrime, ne ende nuk kemi informata zyrtare për një gjë të tillë, por dua të potencoj se qytetarët e secilës komunë kanë të drejtë sipas ligjeve aktuale të ndërmarrin iniciativa të tilla me nënshkrime. Në momentin që ato vijnë, ekziston procedura për trajtim deri te mundësia për zgjedhje të reja”, shtoi Osmani.

Lexo më shumë  Cameron: Britania do ta ndihmojë Ukrainën sa të jetë e nevojshme

Në anën tjetër, presidentja Osmani tha se janë duke bërë të gjitha përgatitjet me institucionet e sigurisë dhe në bashkëpunim edhe me aleatët për eliminimin e çdo tentative për tensione të reja në veri, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor.

Ajo përsëriti qëndrimin se Serbia nuk ka respektuar kriteret ndërkombëtare në kërkesën adresuar OSBE-së për organizmin e zgjedhjeve edhe në Kosovë.

“Në qoftë se dikush shkakton tensione ajo është Serbia. Natyrisht ne jemi duke bërë të gjitha përgatitjet tona me institucionet e sigurisë dhe në bashkëpunim me aleatët tanë në mënyrë që të eliminohet çdo tentativë për tensione. Nuk ka nevojë për të tilla, pasi Kosova sa i përket zgjedhjeve të Serbisë ka kërkuar që të respektohen modelet më të mira ndërkombëtare. Kriteret e komisionit të Venecias, e drejta ndërkombëtar sa i përket zgjedhjeve të një shteti në një shtet tjetër. Meqenëse Serbia nuk i ka plotësuar ato kritere, atëherë janë ata që e kanë pamundësuar një proces të tillë, duke mos pranuar se këto zgjedhje janë të një shteti në një shtet tjetër”, përfundoi Osmani.

Rruga Press

YouTube player