‘Nëse ata nuk mbjellin, ne nuk bluajmë’: Sfidat e prodhimit të drithërave në Shqipëri
Biznesi i një fabrike mielli në Has – i njohur dikur si hambari i verilindjes së Shqipërisë – vihet në rrezik nga emigracioni i lartë, mungesa e subvencioneve dhe rritja e kostove të punës në bujqësi.
Dy dekada më parë, katër vëllezërit Xhafa nga Hasi vendosën që t’i investonin paratë e fituara nga emigracioni në Britani në ngritjen e një fabrike mielli – një ndërtesë e vetmuar 4-katëshe në të djathtë të rrugës që lidh qytezën e Krumës me Gjakovën.
Asokohe, krahina e njohur dikur si hambari i verilindjes së Shqipërisë mbillte rreth 200 hektarë grurë në vit; gati 10 për qind e sipërfaqes së mbjellë para viteve ’90, por sërish e mjaftueshme për planifikimin e biznesit.
Për vite me radhë, vëllezërit Xhafa ia dolën ta mbanin biznesin e tyre në këmbë. Ata blinin drithin e tepërt nga bujqit e zonës si dhe shisnin miell dhe shërbimin e blojës për fermerët e zonës së verilindjes.
Por parcelat e mbjella me grurë në Has janë duke u tkurrur vit pas viti dhe vëllezërit Xhafa po përgatiten për ditë më të vështira.
“Në Krumë kur unë kam hapur fabrikën, mbilleshin 200 hektarë me grurë. Vjet kanë qenë të mbjellë rreth 100 ha, ndërsa sivjet janë 70-80 ha,” thotë Petrit Xhafa, i cili e drejton fabrikën së bashku me të vëllanë, Abdylin.
Sipas Xhafës, prodhimi i drithit në zonë është ulur ndjeshëm për shkak të emigracionit të lartë, mungesës së ndihmës nga qeveria dhe shtrenjtimit të lëndës së parë në bujqësi.
“Subvencioni është zero. Kostoja e një hektari grurë shkon 90 mijë lekë deri në bluarje,” ankohet Xhafa.
“Emigracioni ka bërë punën e vet. Rreth 15 mijë hasjanë janë në Londër,” shtoi ai.
Tregu i drithit u kthye në qendër të vëmendjes pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në shkurt të këtij viti. Të dy vendet në konflikt të armatosur janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithërave në botë. Përjashtim nuk bën as Shqipëria, e cila po përgatitet për mungesën e grurit në treg.
Prodhimi vendas dhe fabrikat e përpunimit të grurit si ajo e vëllezërve Xhafa mund të ishin një shpëtim, por ky sektor i bujqësisë gjendet prej vitesh në krizë.
Pa mbështetje
Rrethi i Hasit mbart një traditë të hershme në mbjelljen e grurit, ndërsa afërsia me Gjakovën në Kosovë krijoi një përvojë të re në përpunimin e drithërave.
Pas viteve ’90, familja Xhafa u nda përgjysmë; ndërsa dy prej vëllezërve emigruan në Britaninë e Madhe, dy të tjerët qëndruan në shtëpi dhe punuan në fabrikat e miellit në zonën e Gjakovës.
Në vitin 2004, ata vendosën të ngrinin biznesin e tyre. Të trembur prej interesave të larta të bankave, ata përdorën për investimin të ardhurat e dy vëllezërve në emigracion.
Investimi nuk qe i pamenduar.
“Hasi është një njësi bujqësore për efekt të sipërfaqes së tokës, që është e madhe. Hasjanët e Shqipërisë para se ne të ngrinim fabrikën kanë bluar në Gjakovë,” i tha BIRN bashkëpronari i fabrikës, Abdyl Xhafa me profesion ekonomist.
“Ky investim është arritur edhe në sajë të eksperiencës që morëm nëpër fabrikat në zonën e Gjakovës. Por sigurisht që iniciativa ka qenë e jona, por kemi pasë edhe ide nga disa njerëz të tjerë që ne kemi lidhje familjare,” shtoi Xhafa.
Prej vitit 2004, fabrika grumbullon tepricat e grurit të banorëve të Hasit, ndërkohë që kryen shërbime në bluarjen e grurit për mijëra banorë të verilindjes së Shqipërisë, duke filluar nga zona e Kalasë së Dodës në kufi me Dibrën e deri në Dragobi e Valbonë të Tropojës.
Por vëllezërit numërojnë sot vështirësi të shumta.
“Sot për sot po punojmë pa laps. Tregu është jashtë kontrollit. Ureja është rritur tre herë, ka shkuar 12 mijë lekë kuintali, nga 4800 lekë që ka qenë më parë,” thotë Petrit Xhafa.
Probleme të ngjashme has edhe fermeri Muhamet Peka nga Kruma, i cili e shet drithin në fabrikën e vëllezërve Xhafa.
Këtë vit, Peka ka mbjellë 7 hektarë grurë në tokat e veta dhe ato të marra me qira.
Fermeri ka kryer shkollën e mesme bujqësore dhe mekanike dhe ka punuar si autokombajner para viteve ‘90. Pas rënies së regjimit, Peka e privatizoi autokombajnën, ndërsa djemtë në emigracion e ndihmuan që të blinte një traktor me të gjitha agregatet.
“Po të mos kisha mjetet e mia, nuk do kisha leverdi të mbillja grurë,” thotë Peka, ndërsa numëron çmimet e larta në punimin e tokës si dhe blerjen e farave dhe të plehrave.
Fermeri ankohet për mungesën e mbështetjes nga qeveria dhe nuk e fsheh zilinë për bujqit nga Kosova fqinje, për të cilët thotë se subvencionohen nga qeveria e tyre.
Peka thekson se rendimenti i grurit në Krumë është i lartë dhe pak mbështetje do ta bënte kultivimin një punë me leverdi.
Tokë pa zot
Të gjendur përballë tokave të lëna djerrë dhe rënies së vazhdueshme të prodhimit, vëllezërit Xhafa vendosën që të mbillnin vetë grurë. Ata morën me qira rreth 30 hektarë tokë këtë vit, por u përballën me një sërë peripecish dhe u detyruan që të bëjnë marrëveshje të dyfishta për tokën.
“Kam bërë marrëveshje edhe me privatë, por edhe me bashkinë Krumë për të njëjtën sipërfaqe toke,” thotë Petrit Xhafa.
Fabrika e tyre ka një kapacitet përpunimi rreth 1500 ton grurë në vit dhe në sezonin e grumbullimit, në këtë fabrikë mund të punësohen rreth 15-20 punëtorë në turn në një cikël pune me tre turne.
Xhafa shtoi se është gati të mbjellë deri në 100 hektarë grurë nëse do të kishte ndihmë e do të subvencionohej, por mungesa e dokumentacionit e bën këtë të pamundur.
“Toka ekziston, por nuk ka zot. Nuk ke me kë të negociosh. 3-4 vite më parë punoja me cikël të mbyllur. Pas kësaj kohe i jam drejtuar edhe unë importit,” shtoi ai.
Problemet me pronësinë i pranon edhe Dashnor Seferi, drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Qarkun e Kukësit. Seferi thotë se një pjesë e tokave të ish-ndërmarrjes bujqësore janë ende në proces privatizimi edhe pas 30 vjetësh nga rrëzimi i regjimit komunist.
“Përsa u përket tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore, një pjesë janë në proces privatizimi. Në nëntor të vitit 2020 ka përfunduar afati i aplikimit për privatizim të tokave të ish NB-ve,” sqaroi Seferi.
Sipas tij, procesi është i komplikuar dhe një pjesë e mirë e tokës është e paqartë se kujt i përket. “Ky proces ende nuk ka përfunduar që me qenë të informuar se cilat toka kanë mbetur shtetërore që pastaj ministria e Bujqësisë t’i japë me qira. Këto do të jenë toka që nuk kanë aplikuar fermerët për privatizim,” shtoi Seferi.
Qemal Memishaj, përgjegjës i Sektorit të Ekstensionit Bujqësor në Kukës, është më optimist dhe mendon se skema e subvencionit ka filluar të funksionojë.
“Petrit Xhafa ka aplikuar për të përfituar skemën e naftës, pasi ka marrë tokë 28 hektarë tokë me qira nga Bashkia Has dhe do të jetë nga të parët që do përfitojë nga skema e naftës,” tha Memishaj.
Por Xhafa thotë se problemet e mbartura të bujqve të zonës dhe kriza e fundit e drithërave i ka vënë në dyshim ambiciet e tyre për zgjerimin e biznesit.
“Ne jetojmë me shqetësimet e fermerëve, pasi biznesi ynë lidhet edhe me ata. Nëse ata nuk mbjellin, ne nuk do të bluajmë,” përfundoi Xhafa.
Rruga Press