Në mungesë të ushtarëve, Rusia po rekruton me forcë burra për të luftuar në Ukrainë
Një grua ruse qante me dënesë derisa një grup burrash rrinin ulur në errësirën e një furgoni të bardhë; një tjetër i bërtiste një ushtari me uniformë kamuflazhi kur ai përplasi derën e furgonit. Një tjetër qante dhe bënte kryqin drejt njërit prej burrave: “Lyosha! Të dua!”
“Djem, më thoni, a e nënshkruan të gjithë kontratën? A ishte vullnetare?” pyeti një grua që xhiroi rastin e 17 qershorit në Penza, një kryeqytet rajonal me gjysmë milioni banorë në juglindje të Moskës.
“A ju detyruan ta bënit?” pyeti ajo.
Derisa furgoni nisej për t’u larguar, një tjetër grua doli para tij, duke u përpjekur ta ndalonte.
Sipas dëshmitarëve dhe të afërmve me të cilët foli Radio Evropa e Lirë (REL), burrat ishin ndaluar një ditë më parë në rrugë dhe ishin dërguar me forcë në një zyrë rekrutimi ushtarak, ku u detyruan të nënshkruanin kontrata për të shkuar në luftë në Ukrainë.
“Natyrisht, e gjithë kjo duket si detyrim i paligjshëm. Babai im nuk kishte ndër mend të shkonte në luftë; ne e biseduam këtë me të”, tha një grua. “Nuk shoh asnjë shpjegim tjetër për këtë, përveç kërcënimeve, dhunës ose trysnisë”.
Si të gjithë njerëzit me të cilët foli REL-i, ajo kërkoi të mos identifikohej, ose të përdorte një pseudonim, për ta shmangur ndjekjen nga autoritetet.
Në luftën e Rusisë në Ukrainë, që tashmë është në vitin e pestë, forcat ukrainase kanë arritur t’iu bëjnë qendresë trupave ruse, teksa Moska po përpiqet me vështirësi të arrijë fitime domethënëse në fushëbetejë.
Çmimi për të dyja palët është jashtëzakonisht i lartë; Rusia ka pësuar gati 500.000 të vdekur në luftë, sipas të dhënave të inteligjencës britanike dhe vlerësimeve të tjera perëndimore, dhe numri i të plagosurve është të paktën dyfishi i kësaj.
Derisa të dyja palët kanë hasur në vështirësi për t’i zëvendësuar humbjet, Rusia ka pasur më shumë sukses, duke përdorur stimuj financiarë, si dhe kërcënimet dhe forcën.
Këtë vit, megjithatë, ekspertët thonë se ka ndodhur një pikë kthese.
Ka zëra që po shpeshtohen se Kremlini mund ta kërkojë një mobilizim të dytë masiv, ndoshta qysh në këtë vjeshtë, diçka që ishte tronditje tektonike për shoqërinë ruse herën e parë që ndodhi, në shtator 2022.
Ndërkohë, rekrutuesit duket se po mbështeten gjithnjë e më shumë në metodat e detyrimit për t’i detyruar burra që të pranojnë për të luftuar në Ukrainë. Në Penza, banorët thanë se policia ka kaluar nga ndalimi i burrave në rrugë të qytetit, në fillimin e kontrolleve derë më derë.
Lyudmila, një banore e qytetit Kamenka, në perëndim të Penzës, tha se kishte kaluar disa ditë pranë zyrës kryesore të rekrutimit në Penza duke u përpjekur ta gjente djalin e vet, i cili, sipas saj, ishte rrëmbyer nga rruga.
“Kjo është e tmerrshme. Njerëzit po rrëmbehen praktikisht. Duhet bërë diçka, por nuk e di çfarë”, tha ajo.
Dy ditë pasi videoja u publikua në rrjetin social VK, autoritetet ligjzbatuese i quajtën “të pavërteta” raportimet për detyrimin e burrave për të nënshkruar kontrata. Videoja më pas u hoq nga VK.
Në Ukrainë, quhet “busifikim”
Në Ukrainë, praktika e kapjes së burrave për shërbim ushtarak nga rrugët dhe dërgimi i tyre në zyrat e rekrutimit është shumë e diskutueshme. Ukrainasit e quajnë këtë praktikë “busifikim” — fjala “bus” i referohet furgonëve me të cilët zyrtarët patrullojnë rrugët duke kërkuar burra që shmangin rekrutimin dhe burra të moshës ushtarake.
Me përjashtim të dekretit të mobilizimit të përgjithshëm të presidentit Vladimir Putin në shtator 2022 – i cili kryesisht synonte rezervistët ushtarakë – autoritetet kanë arritur të shmangin urdhërimin e shërbimit të detyrueshëm si draft të plotë mbarëkombëtar.
Autoritetet kanë përdorur një kombinim pagesash nga buxheti federal dhe rajonal, si dhe stimuj të tjerë, për të bindur qindra mijëra burra të nënshkruajnë vullnetarisht kontrata për të luftuar në Ukrainë. Fluksi i parave ka pasur ndikim të madh në rajonet më rurale dhe më të varfra të Rusisë.
Autoritetet gjithashtu kanë shkelur rregullat për dërgimin e rekrutëve në luftë, diçka që ligjërisht është kryesisht e ndaluar. Rekrutuesit kanë ushtruar trysni dhe kanë detyruar rekrutët të nënshkruajnë kontrata vetëm disa muaj pas fillimit të shërbimit të detyrueshëm.
Në një rast, një rekrut i dërguar në një kamp ushtarak në ishullin Sakhalinit në Paqësor raportoi se një oficer urdhëronte marshime ndëshkuese për t’i detyruar të nënshkruanin, madje edhe falsifikim të nënshkrimeve në kontrata e vullnetarëve.
Autoritetet gjithashtu janë mbështetur tek të burgosurit, duke u ofruar falje në këmbim të pranimit për të shkuar në front. Po ashtu, ato kanë synuar punëtorë migrantë, duke u ofruar rrugë të përshpejtuar për shtetësi ruse në këmbim të luftimit.
Këtë vit, sulmet e Ukrainës me dronë thuhet se janë afruar me ritmin e procesit të rekrutimit rus, thanë ekspertët, dhe kjo ka detyruar rekrutuesit rusë të rrisin pagat dhe bonuset për vullnetarët e rinj.
Dhe, si në rastin e Penzës, kjo ka çuar në përdorimin e metodave më fizike.
Një tjetër grua në Penza, Margarita, tha se djali i saj ishte ndaluar dhe dërguar në qendrën e rekrutimit pa asnjë dokument. Ata e përpunuan dokumentacionin për ta dërguar në Ukrainë brenda një ore, tha ajo.
“Ai arriti të më telefononte dhe më tha në heshtje: ‘Po më çojnë në Ukrainë’”, i tha ajo REL-it. “E kuptoje që tashmë ishte dorëzuar për të shkuar”.
“Bërtita: ‘Pse e nënshkrove?’” tha ajo. “Ai u përgjigj: ‘Më duhej.’ Jam e sigurt që e kanë rrahur. Nuk kishte ndër mend të shkonte në luftë”.
“Njerëzit po rrëmbehen drejt e nga rrugët”
Aktivistët për të drejtat e njeriut pretendojnë se praktika e ndalimit arbitrar të burrave dhe detyrimit të tyre për të nënshkruar kontrata për të luftuar po shfaqet edhe në rajone të tjera përveç Penzës.
Autoritetet i ndalojnë burrat me arsyetimin për kontrollimin e identitetit, tha Valery, një avokat që ofron këshillim ligjor për ushtarët. Qëllimi është të shihet nëse ata kërkohen për dezertim ose nëse janë migrantë që kanë marrë së fundmi shtetësinë ruse por nuk janë regjistruar në zyrën lokale të rekrutimit.
“Njerëzit po rrëmbehen drejt e nga rrugët”, tha ai. “Më parë ishin kryesisht kalimtarë të dehur që shënjestroheshin, tani po marrin burra të çdo moshe dhe në çdo gjendje”.
“Tani kjo është përhapur në gjithë vendin”, tha ai.
Në qytetin port të Paqësorit Vladivostok, 26-vjeçari Yaroslav Kubov u ndalua më 9 qershor ndërsa po kthehej në shtëpi nga një festë ditëlindjeje të një shoku. I afërmi i tij Igor tha se dy burra me rroba civile e ftuan për një birrë dhe, pasi ai nuk pranoi, e kapën dhe e çuan jashtë qytetit.
Kubov u rrah dhe u qortua, dhe autoritetet i lëshuan një pasaportë të re dhe kartë ushtarake dhe e dërguan në Rostov-on-Don, një qytet jugor që shërben si pikë tranziti ushtarak drejt Ukrainës, ku Igor tha se ai kontaktoi të afërmit pesë ditë më vonë.
Ai nuk kishte arsye për të dëshiruar të luftojë në Ukrainë; nuk kishte nevojë për para, tha Igor për REL-in, duke shtuar se ai dhe të afërmit e tjerë po paraqesin ankesa në policinë ushtarake dhe prokurori.
“Nëse ai nuk arrin të arratiset, nuk do të ketë mënyrë ligjore për ta nxjerrë”, tha Igor.
Artyom Nikolayev, një tjetër banor i Penzës, tha se një i afërm i tij 53-vjeçar u ndalua ndërsa po kthehej vonë nga puna dhe u detyrua ta nënshkruante një kontratë. Ai tha se familja e tij e kërkoi për tri javë para se ai t’i kontaktonte nga Rostov-on-Don.
“Ai është tronditur, dhe ne të gjithë jemi të tronditur këtu. Është thjesht e rrezikshme për burrat të ecin në rrugët e Penzës tani”, i tha ai REL-it. “Nuk ka rëndësi nëse je i moshuar, esëll, apo ke dokumente; çdokush mund të kapet”.
“Si një lopë për therje”
Arina, një banore e Spaskut, një qytet në veriperëndim të Penzës, tha se dera e fqinjit të saj Sergei u thye më 19 qershor nga autoritetet që po e kërkonin atë.
“Ata i bërtitën duke i kërkuar t’i tregonte dokumentet, menjëherë. Ai refuzoi, kështu që ata e thyen derën” dhe e morën në një furgon që po e priste, i tha ajo REL-it. “Nuk e di ku është tani”.
“Kjo nuk po ndodh vetëm në Penza. Policia e trafikut dhe furgonët e përmbarimit po qarkullojnë”, tha ajo. “Tani nuk janë vetëm rrugët të rrezikshme; së shpejti do të duhet të fshihemi në shtëpi për të shmangur hyrjet me forcë”.
Arina tha se një tjetër i afërm në fshatin Kamenka u përplas me policinë dhe përmbaruesit gjyqësorë që pretendonin se ai kishte borxhe kredie. Kur autoritetet u përpoqën ta merrnin me forcë, fëmijët e tij u kapën pas tij, dhe gruaja e tij u përpoq ta ndalonte të tërhiqej zvarrë.
“Ata ia përdrodhën krahun, i hodhën fëmijët mënjanë dhe e nxorën nga shtëpia. Pasi ai ishte në makinë, ajo arriti të dorëzonte kopje të dokumenteve të kredisë”, tha ajo.
“Por, ata qartësisht nuk u interesuan. Qëllimi ishte ta çonin në zyrën e rekrutimit. Si një lopë për therje”.
Ka pasur histori të ngjashme për disa vite, tha Artyom Klyga, një avokat me organizatën joqeveritare “Conscientious Objectors”, por ato kanë marrë vëmendje të madhe në Penza për shkak të shkallës së bastisjeve dhe ndalimeve, si dhe protestave nga të afërmit.
“Shpesh nuk ke nevojë ta rrahësh apo torturosh një person. Mjafton ta frikësosh me pasojat e mundshme për veten ose familjen e tij”, i tha ai REL-it. “Njerëzit janë nën presion të fortë psikologjik dhe marrin vendime nga frika”./REL
Rruga Press

