Na kanë thënë se pushteti shërben për të bllokuar potencialin e kombit, kurse opozita për tu penduar
Me 166 vota pro dhe vetëm 8 kundër, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi në 25 janar 2011 rezolutën me të cilën kërkonte hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, siç ka akuzuar në raportin e tij deputeti zviceran, Dick Marty.
Shqipëria u përfaqësua në këtë asamble nga tre deputetë. Por si e gjykuan ata raportin e Marty-t?
Në procesverbalin e miratimit të kësaj rezolute të Dick Marty që inkriminonte UÇK-në në janar të vitit 2011, nga delegacioni i Parlamentit shqiptar votoi pro rezolutës së Dick Marty, kryetari i grupit, Ilir Rusmali, atëherë deputet i PD-së, ndërsa Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit votuan kundër. Kurse pjesa tjetër e delegacionit shqiptar nuk ka qenë prezent.
Shpëtim Idrizi, përfaqësues i PDIU ishte një nga 8 personat që votuan kundër dhe u shpreh:
“Raportuesi nuk është prokurori, por ai nuk është as Dan Brown, ndaj do të them diçka më të arsyeshme. Në raportin e tij, nuk gjendet asnjë emër i një personi të vdekur, organet e të cilit janë hequr. Le të themi se dëshmitarët që janë gjallë janë të frikësuar, po të vdekurit? Përse mungojnë në këtë raport?”, tha Idrizi.
Edhe përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri votoi kundër raportit.
“Fatkeqësisht, duhet të pranojmë se ky raport vetëm ka shtuar më shumë probleme politike dhe mister në rajon, dhe nuk ka siguruar asgjë të re dhe me rëndësi. Nuk ka prova të përshtatshme dhe në shumë raste, duket si një opinion politik sesa një raport hetimor.”
Përfaqësuesi i PD, Ilir Rusmali ishte i vetmi anëtar i delegacionit shqiptar që votoi pro raportit.
“Çfarëdo qofshin pretendimet, ato nuk duhen përdorur për të nxjerrë konkluzione të nxituara ose të pabaza. Ato nuk duhet t’i hapin rrugë dënimit kolektiv grupeve specifike, forcave politike, apo edhe kombeve. Në këtë aspekt, ftoj raportuesin dhe anëtarët e nderuar të votojnë me mua”
Në listët e 8 votave kundër rezolutës së Dick Marty, përveҫ dy deputetëve shqiptarë, figurojnë katër deputetë turq, një deputet britanik laburist, përkatësisht Sir Alan Meale dhe deputetja gjeorgjiane, Chiora Tatakashvili, një anëtare e grupit Liberal.
Shqipëria përsëri ka përsëritur gabimin edhe në Asamblenë Parlamentare të KE-së në Beograd, ku delegacioni i qeverisë dhe i PD-së i kryesuar nga Aldo Bumçi kanë votuar prap në favor të rezolutës Marty.
Në seancën kryesore për rezolutën në Strasburg në 25 janar 2011 shkoi personalisht presidenti serb Tadiç për ta mbrojtur rezolutën. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, megjithëse akuzohej direkt me emër edhe Shqipëria, nuk gjeti kohën të ishte në Strasburg për të mbrojtur Shqipërinë deh Kosovën.
Kjo sjellje është e shpeshtë në qeveritë dhe udhëheqjen politike shqiptare. Ky kod (jo)politik e drejton sjelljen politike në atë mënyrë që kur një subjekt është në opozitë mban qëndrime dhe veprime të drejta, kurse kur është në pushtet mban qëndrimet katërcipërisht të kundërt.
Sjellje të tilla kanë ndodhur edhe në Kosovë. Çështja e Zajednicës, Demarkacionit me Malin e Zi, Gjykata Speciale, etj, janë pikërisht momentet kur subjektet i kanë miratuar kur kanë qenë në pushtet dhe i kanë kundërshtuar kur janë në opozitë.
Ka shumë mundësi që diçka të tillë të shohim pas disa vitesh edhe në qëndrimin e atij që sot është kryeministër i Shqipërisë. Ka mundësi që ai kur të mos jetë më kryeministër të lobojë kundër Ballkanit të Hapur, ta konsiderojë Vuçiqin pasardhës direkt të Millosheviqit, të flasë për nxitje të prodhimit të brendshëm dhe të thotë se rrethanat e dikurshme e kishin detyruar që të bënte kompromis edhe për gjëra që kanë qenë të padrejta.
Kushedi se ku e ka burimin ky kod (jo)politik shqiptar që konsideron se pushteti i qeverisë shërben për ta sabotuar potencialin e kombit, kurse pushteti i opozitës shërben për të thënë ato gjëra që nuk ke bërë kur ke pasur fuqinë apo ato që s’do i bësh kur do ta kesh atë.
©Rruga Press