Bota

Luftëtarë vullnetarë kroatë nisen për në vijën e frontit në Ukrainë

Luftëtarë vullnetarë që po shkojnë në Ukrainë thonë se ukrainasit e mbështetën luftën e tyre për pavarësi në vitet 1990 dhe tani ata dëshirojnë t’ua paguajnë borxhin.

Kryeministri Andrej Plenkoviç tha në një konferencë për shtyp mbi Ukrainën të dielën, se ai nuk kishte informacione për luftëtarët vullnetarë që po shkonin atje dhe se po merrte informacione nga mediat për këtë. “Çdo largim në Ukrainë është një akt personal dhe një përgjegjësi personale”, tha kryeministri.

Gazeta Dnevnik.hr të shtunën raportoi se vullnetarë kroatë ishin nisur tashmë për në Ukrainë për të luftuar pushtimin rus. “Një grup më i madh vullnetarësh do t’i bashkohet ushtrisë ukrainase në dy ditët e ardhshme”, tha njëri për Dnevnik.hr të dielën.

Vecernji list shkruante gjithashtu se ndihmat për Ukrainën po mblidheshin në ambientet e Bad Blue Boys, mbështetës të klubit të futbollit Dinamo, në Zagreb. Ky veprim thuhet se u koordinua nga Denis Seler, i cili kaloi gjashtë vjet me batalionin e ekstremit të djathtë Azov të Ukrainës.

“Ne jemi në kufirin e Ukrainës me Hungarinë. Po shkojmë në fushën e betejës për t’u bashkuar me popullin ukrainas dhe kroatët tanë. Ne e dimë se shanset janë të pakta që kjo luftë të përfundojë në Ukrainë”, shtoi i njëjti vullnetar.

Lexo më shumë  Paketa amerikane 61 miliardëshe, Zelensky: SHBA është fener i demokracisë

“Ukraina na ndihmoi në vitin 1991 dhe përsëri pas tërmeteve në Zagreb dhe Banovina. Kjo është arsyeja pse ne do të ndihmojmë ukrainasit në luftë”, tha për Vecernji list një tjetër vullnetar, i cili i kontaktoi ata nga pika kufitare Letenye.

RTL shkroi se pasi një grup vullnetarësh janë nisur për në fushën e betejës, ajo ka kontaktuar me njërin prej tyre përmes videove.

“Ushtarë të tjerë kroatë janë tashmë në Ukrainë. Transporti i parë i ushtarëve u nis për në Ukrainë dje dhe sot po mbërrijnë dy grupe të tjera – një nga Spliti dhe Zadari dhe i dyti nga Osijeku”, tha një i ri i veshur me kapuç në video.

“Ukraina ishte ndër vendet e para që pranoi sovranitetin e Kroacisë ndërsa ne po luftonim për liri në 1991”, shpjegoi ai.

Një investigim i BIRN në vitin 2019 raportoi se në 2014 dhe 2015, Seler ishte mes 20 ose 30 kroatëve që luftuan si pjesë e batalionit vullnetar të ekstremit të djathtë Azov kundër rebelëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore.

Lexo më shumë  Von der Leyen: Rusia nuk është kërcënim vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën

Kombet e Ballkanit janë të ndarë për mosmarrëveshjen Rusi-Ukrainë.

Serbët kanë simpati të madhe me rusët e krishterë ortodoksë, ndërsa shumë kroatë mbështesin rezistencën e Ukrainës ndaj dominimit nga Moska, aleati i ngushtë i Serbisë.

Nacionalistë si nga Kroacia ashtu edhe nga Ukraina shohin shumë të përbashkëta në historitë e fundit të vendeve të tyre.

Grupet e ekstremit të djathtë në Ukrainë u bënë të njohura me rolin e tyre në rrëzimin e presidentit Viktor Yanukovych, duke mbajtur barrikada të armatosura në Sheshin e Pavarësisë së Kievit.

Vullnetarë po vijnë edhe nga vende të tjera. Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, u tha gazetarëve se do të mbështeste shtetasit britanikë që duan t’i bashkohen luftës në Ukrainë, “Absolutisht, nëse kjo është ajo që ata duan të bëjnë”, tha ajo. “Kjo është diçka për të cilën njerëzit mund të vendosin vetë. Populli i Ukrainës po lufton për liri dhe demokraci, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën.”

Një faqe interneti është krijuar për luftëtarët e mundshëm nga Macer Gifford, i cili kaloi disa vite duke luftuar ISIS-in në Siri./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *