Libri i javes

LIBRI I JAVËS/ PYESNI PLUHURIN – JOHN FANTE

NGA PLUHURI TEK ROMANI DHE SËRISHT TE PLUHURI

Për jetën e Fantes (Denver, Colorado 1909 – L.A., California 1983) duhet thënë, se ajo ngjan e shkruar nga vetë shkrimtari. Një përkufizim të mirë mbi karakterin e tij na e jep kushërira e tij L. Capolungo duke thënë se ai “ishte njëfarë bitniku para se brezi” beat “të shfaqej në këtë botë”. Në fakt, Fante hyn në aradhën e artistëve të uritur, si Charlie Chaplin, si Knut Hamsun, si Jack London. Me ndryshimin se Fante, nuk u impenjua kurrë n’idetë e majta, dhe librat e tij sado që përqëndrohen te shtresat e varfra nuk mund të përdoren kollaj për të përligjur ndonjë pikëpamje politike. Fante u bë i njohur që i ri me tregimet e para që i botonte te revista “The American Mercury”, drejtuar nga i famshmi Mencken, me të cilin pati një miqësi të gjatë. Falë talentit të shfaqur përmes këtyre provave ai punoi si skenarist në Holliwood, duke filluar qysh nga viti 1932 kur ishte 23 vjeç.

Gjithsesi për asnjë moment ai nuk u josh nga industria e filmit, përkundrazi nuk reshti kurrë përpjekjet për të bërë letërsi të vërtetë, që u kurorëzuan veç mbas disa vitesh (1938) kur iu pranua për botim romani i tij i dytë, (i pari “The road to Los Angeles”, qe refuzuar për shkak të ironisë së pazakontë që mund ta fyente lexuesin … puritan) Wait until Spring, Bandini. Fante kishte lindur në Amerikë, bir emigrantësh italianë. I ati, Nick Fante, rridhte nga malësitë e Abruzzos dhe punonte murator. Porse ishte disi i paqëndrueshëm në karakter dhe kishte një dell endacaku që e detyronte të jepej mbas pijes dhe lojës, e mandej t’i shfrynte të gjitha mbi familjen e sidomos mbi të shoqen, Mary Fante. Madje për një periudhë ai e braktisi familjen për të jetuar me një grua tjetër.

Studimet e para Johni i kreu nën udhëheqjen e urdhrit jezuit, porse vite më vonë, sidomos gjatë viteve të pjekurisë ai do të njihte si bibël të vetën “Antikrishtin” e Niçes. Ai frekuentoi edhe universitetin, por nuk shkëlqeu kurrë si student. Gjithsesi, këtu u dallua shpejt si një talent letrar i fuqishëm. Në këtë periudhë jetonte duke bërë gjithfarë punësh, por duke kultivuar pajada shpresën për t’u bërë shkrimtar. Kjo ëndërr ishte e vetmja fushë ku ai i përqendronte energjitë e tij më të mira, dhe në vitet e rinisë ai lexoi mbarë kryeveprat e letërsisë dhe filozofisë antike, moderne dhe bashkëkohore. Gjithsesi, në stilin e romaneve të tij, ndikoi më së shumti shkrimtari norvegjez Knut Hamsun, një ndër autorët më të rëndësishëm të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shek. XX. (ref. “tregime norvegjeze”, Zenit editions, 2006) “Wait until spring, Bandini” romani që i solli botës një tjetër narrator të paharrueshëm, John Fanten, u frymëzua lirisht nga “Uria” e Knut Hamsun. Kurse , vepra që ne u propozojmě, “Pyesni pluhurin”, botuar së pari në 1939 përmban disa aluzione hamsuniane, ku përfshihet edhe titulli që është shkëputur nga një pasazh i romanit “Pan”. Një tjetër provë e dashurisë e tij për Hamsun, është dhe fakti se e quajti të bijën Victoria, për hir të veprës më të famshme të norvegjezit. Fante u martua feshurazi me Joyce Smart, një intelektuale nga borgjezia konservatore, e cila e deshi dhe i ndenji pranë tërë jetën. Dhe jeta e Johnit qe mjaft e vështirë. Në gjysmë të viteve ’50 ai u sëmur nga diabeti që mbas njëzet vjetëve do i merrte me radhë dy këmbët mandej shikimin dhe në fund në 1983, edhe shpirtin. Në të vërtetë, Fante nuk pati fatin të bëhej që në gjallje aq i njohur sa disa bashkëkohës dhe çmues të tij, si p.sh. Steinbeck, që mandej u laureua edhe me Nobel. Për disa dekada rresht librat e tij u lanë të merrnin pluhur nëpër biblioteka dhe nuk u ribotuan.

Në rizbulimin dhe rivlerësimin e Fantes, rol kryesor pati bashkëqytetari i tij i shquar Charles Bukowsky, në fundin e viteve ’70. Bukowsky sikundër një pjesë e mirë e kritikës do e konsideronte “Pyesni pluhurin” si kryeveprën e Fantes. Ekziston një anekdotë e vogël në lidhje me rizbulimin e Fantes nga poeti i ri i mallkuar. Në një letër që Bukowsky i dërgonte botuesit të vet në fund të viteve ’70, i shkruante se mes mjeshtrave të tij ai njihte Célinein (ref. “Udhëtim në fund të natës”; Zenit 2006) Hamsunin dhe John Fanten. Botuesi i përgjigjej duke i thënë se ishte dakord me dy të parët dhe se biles Charlesi na paskej talent edhe për shpikjen e emrave: ky John Fante dukej si shkrimtar prej vërteti. Mbas kësaj përgjigje, Bukowsky zemërohet dhe i vë kusht, që nëse botuesi do që ta ruajë kontratën me të, duhet të ribotojë edhe John Fanten nga fillimi. Nuk e meritonte Fante, që të tjerët të kujtonin se emri i tij ishte një batutë e Bukowskyt. Fante, që siç thamë e fitoi respektin e mjediseve artistike Los Angeles-iane qysh me tregimet e para, dhe punoi tërë jetën në Hollywood, duke realizuar rreth njëqind skenare dhe dhjetra variante. Mes tjerëve edhe me emra si Orson Welles dhe F. F. Coppola, por këto bashkëpunime nuk dhanë rezultat. Filmi më i famshëm që u bazua në një skenar të tij është komedia “Full of Life”, frymëzuar nga romani i tij me të njejtin titull. Porse shumica e punëve të tij në këtë lëmë ishin për filma të serisë (b). Për faj të këtij angazhimi si shkrimtar me qera në Hollywood, Fante shpesh ndihej i frustruar, dhe ishte i bindur se kjo e pengonte të merrej me letërsi të vërtetë. Dhe sak vepra letrare e Fantes ngjan relativisht e pakët anipse ai zuri të shkruante qysh i ri, dhe pati një jetë aktive mjaft të gjatë. Ja se shënonte ai me hidhërim te përkushtimi i një kopjeje të “Dago Red”, për një shoqe: “Per Esther, nga kurva e Hollywoodit, artisti i shitur, i përdali letrar, poeti i abortuar-skenaristi i dhier-puthadori i Paramount, që paguhet për të vjelltin e parfumosur të Dorothy Lamour. shpresën se një ditë do mund të shkruaj dedikime Me me pak të hidhura në ledhorin e një pune me të vërtetë të shkëlqyer. Me dashuri… John Fante. “Të Pyesni pluhurin”, shfaqet personazhi që do e shoqërojë Fanten në udhëtimin e tij drejt përjetësisë: Arturo Bandini.

Doppelganger i qartë i Fantes, Bandini është protagonist i katër romaneve. Ai sikurse mbarë personazhet fantianë duket se zotëron një lumturi të pathyeshme, e cila vjen me siguri nga dashuria e familjes që ka gëzuar në fëmini. Kjo dashuri e ruan, sikurse na mbron në dimër dielli që kemi marrë gjatë verës. Në këtë libër të sagës së Bandinit njihemi me një të ri italo-amerikan me ëndrrën e çmendur për t’u bërë shkrimtar, ose siç e quan diku në libër: kriza e kokëshkretësisë më e gjatë dhe e dhunshme e jetës së tij. Fatkeq në dashuri, dorëshpuar dhe i uritur, rebel dhe zemërbardhë, merakli i së bukurës dhe përçmues i së rëndomtës, narçiz dhe altruist, anti klerikal dhe ungjillor… Arturo Bandini është një personazh që për nga freskia dhe gjallëria nuk e ka shokun në romanin modern, dhe shumë personazhe të tjerë më të famshëm se ai i bën të duken të lodhur. Por nuk është heroi tipik amerikan që në fund shkapërcen pengesat dhe korr duartrokitje. Asnjëri nga personazhet e “Pyesni pluhurin” nuk del i fituar nga beteja me jetën. E vetmja që fiton është letërsia, mbasi në fund, Arturo ia del të realizojë ëndrrën për t’u bërë shkrimtar. I vetmi që i mbijeton mbijetesës, është arti. Fati ka ekonominë e vet dhe saherë jep me një dorë, merr me tjetrën. Por horizonti i veprës së Fantes nuk është filozofik e as religjioz, aq sa është mirëfilli letrar dhe njerëzor. Bandini është një personazh ku sublimohet i riu që guxon të ëndërrojë, i riu që shpreson se jeta do i japë diçka, dhe kur kjo të ndodhë ai do jetë aty për ta marrë. Bandini është një monument letrar për të gjithë idealistët e panjohur të botës. Autori ia kushton të shoqes Joyce Smart Fantes. Përgjithësisht veprat e Fantes janë autobiografike, dhe romancieri fymëzohet lirisht nga ngjarjet e jetës së vet plot tallaze.

Por ajo çka përçohet nuk është dhëna kronologjike a faktike, më shumë se fryma emotive e përvojës së tij jetësore; dhe ajo çka mbetet është një shije mallëngjimi, elegance dhe shprese të zbukuruar nga një frymë ironie gjithmonë në funksion të dashurisë për njerëzimin. Fante ka vdekur më 1983 për shkak të diabetit si dhe për shkak se kishte lindur i vdekshëm. Rroftë John Fante! Dhe fryti më i mirë i shpirtit të tij: Bandini, Arturo Bandini…

 Astrit CANI Burimi kryesor për të dhënat biografike: Full of Life, A Bioghraphy of John Fante, Stephen Cooper 1999.

Hyrje tek romani “Pyesni pluhurin”

nga Charles Bukowski

Isha i ri atëherë, vuaja nga uria dhe nga pija, por mundohesha të bëhesha shkrimtar. Shumicën e leximeve i bëja te Biblioteka Publike në L.A. Por asgjë ndër ato që lexoja s’kishte lidhje me mua, ose me rrugët a me njerëzit rreth meje. Kisha përshtypjen sikur të gjithë bënin marifete me fjalën, kurse të gjithë ata që nuk thoshnin asgjë, konsideroheshin shkrimtarë të mëdhenj. Shkrimet e këtyre ishin një çorbë poshtërsie, zejtarie dhe lustre, dhe të gjitha këto lexoheshin, mësoheshin, treteshin dhe jashtëqiteshin. Ishte një ujdi e qyfyrshme, kjo Kulturë e Përbotshme që s’kish të sharë. Por mua më duhej të kthehesha te shkrimtarët rusë të pararevolucionit për të gjetur ndopak zarar, ndopak pasion. Kishte përjashtime, por ishin aq të pakta sa i mbaroje shpejt së lexuari e mandej të thahej bebja e syrit mes rreshtave pafund të librave të skullët. Me gjithë shekuj në dispozicion, me gjithë ato avantazhe, e prapë modernët s’qullosnin gjë. S’lija libër pa hequr nga etazheret. Po pse asnjeri s’thoshte diçka? Pse askush nuk briste? Provova sallat e tjera të bibliotekës. Seksioni i Religjionit ishte një moçal i amullt për mua, kuptohet.

Hyra te Filozofia. Gjeta nja dy gjermanë idhnakë që më entuziazmuan një grimëherë, dhe me aq mbaroi. Provova Matematikën, por matematika më doli si feja: s’më hynte që s’më hynte në kokë. Me sa shihja, ajo çka kërkoja mungonte gjithandej. Provova gjeologjinë dhe m’u duk kërshëritëse, por, tekembramja, e paqenë. Gjeta disa libra mbi kirurgjinë që më pëlqyen mjaft: fjalët ishin të reja dhe ilustrimet ishin të hatashme. Në veçanti u magjepsa pas operacionit të kolonës, të cilin edhe e memorizova. Me aq e lashë dhe Kirurgjinë e u ktheva në odën e romancierëve dhe tregimtarëve. (Kur kisha akoma verë të lirë në shtëpi nuk veja kurrë në bibliotekë. Biblioteka ishte vend i mirë kur s’kishe asgjë për të ngrënë a për të pirë, dhe kur të ndiqte pronarja me fshesë në dorë që t’i paguaje qeranë. Në bibliotekë të paktën kishe lehtësira se përdorje banjon pa pagesë.) Pashë një goxhà aradhë aguridhesh të tjera aty brenda, shumica flinin mbi ballinat e librave të tyre. Vazhdova të eci rreth e rrotull nëpër sallë, duke hequr librat nga etazheret, duke lexuar ndonjë rresht a ndonjë faqe dhe duke i vënë prapë në vend.

Mandej një ditë hoqa një libër dhe e hapa, e ja ku ishte, Mbajta frymën një çast , duke lexuar. Pastaj si dikush që ka gjetur një copë ar në koshin e mbeturinave, e mora librin dhe zura vend te një tavolinë. Rreshtat rrëshqisnin lirisht nëpër faqe, e rrjedha s’ndalej. Çdo rresht kishte energjinë e vet, dhe ndiqej nga një tjetër si ai. Substanca e çdo rreshti i jepte faqes një formë, ndjesinë e diçkaje të gdhendur aty. Dhe ja, përpara meje më në fund, një njeri që s’kishte frikë nga emocionet. Humori dhe dhimbja gërshetoheshin me një thjeshtësi të shkëlqyer. Fillimi i atij libri ishte për mua një mrekulli e qashtër. Meqë kisha kartën e lexuesit e mora me vete në shtëpi atë libër, dhe e lexova i shtrirë në shtrat, dhe e kuptova pa e përfunduar librin se ky shkrimtar kishte zhvilluar një stil të veçantë të shkruari. Libri ishte ” Pyesni pluhurin” dhe shkrimtari ishte John Fante. Ai do ma ndikonte për gjithë jetën stilin tim të të shkruarit. E kreva “Pyesni pluhurin” dhe kërkova librat e tjerë të Fantes në bibliotekë. Gjeta dy : “Dago Red” dhe “Wait Until Spring, Bandini”. Ishin të po atij klasi, të shkruar me mend e zemër, për t’u lexuar me mend e zemër. Po , Fante pati efekt të madh mbi mua. Jo shumë kohë pasi i lexova këta libra më qëlloi të bashkëjetoja me një grua. Ajo e kishte pijen më të keqe se unë dhe ne grindeshim sa çarteshim; kurse unë shpesh i bërtisja, “Mos më thuaj mua bir kurve! Unë jam Bandini, Arturo Bandini!” Fante ishte hyu im dhe unë e dija se hyjnitë duhen lënë të qetë, nuk mund t’u shkelje pragun ashtu si duke lozur. Prapë më pëlqente të hamendja se ku mund të kishte jetuar në Angel’s Flight dhe s’më dukej e pamundur që të jetonte akoma aty.

Ditë për ditë dilja i bija një xhiro dhe mendoja, a është ajo dritarja që shkapërcente Camilla? A thua kjo është dera e atij hotelit? Ai është holli? Nga ta dija. Tridhjetë e nëntë vjet më pas e rilexova “Pyesni pluhurin”. Duhet thënë, e kam lexuar këtë libër sivjet dhe akoma qëndron, sikurse edhe veprat e tjera të Fantes, por kjo është më e shtrenjta për mua sepse ishte e para ku e zbulova magjinë. Ka libra të tjerë përpos “Dago Red” dhe “Wait Until Spring, Bandini”. Janë “Full of Life” dhe “The Brotherhood of Grape”. Biles, tashti Fante ka në dorë një roman tjetër, “A dream of Bunker Hill”. Pas disa peripecish, më në fund e takova shkrimtarin sivjet [1979]. Ka shumë gjëra të tjera historia e John Fantes. Është një histori fati dhe fatkeqësish, dhe historia e një guximi të rrallë dhe të natyrshëm.

Dikur do e tregojnë, por ndjej sikur ai nuk do që unë ta tregoj tashti. Por më lejoni të them se ky njeri siç ka fjalët ka dhe veprat: të forta, të mira dhe të ngrohta. Kaq mjafton. Tani ky libër është i juaji.


Përktheu: Astrit Cani

Shtëpia Botuese: Zenit, 2008


Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *