Opinion/Aktualitet

Le Monde: Në Ballkan, bandat kriminale në zemër të sistemit shtetëror

Lufta e bandave mori vrull dy vjet më vonë, më 2016, pas vrasjes së Aleksandar Stankoviqit, kreu i bandës Janjiçari, i përbërë nga tifozët më ekstrem të klubit të futbollit nga Beogradi, Partizan. Tradicionalisht në Serbi grupet e huliganëve janë tokë pjellore për nëntokën, siç ishin për milicët paramilitarë gjatë luftërave të viteve 1990, shkruan “Le Monde”

Gazeta franceze “Le Monde” ka publikuar një tekst të Remy Urdanit në kuadër të serisë “Gjeopolitika e mafies”, me titull “Në Ballkan, bandat kriminale në zemër të sistemit shoqëror”.

“Arsyet e shpërthimit të dhunës në vitet e fundit mes banditëve nga Serbia dhe Mali i Z, nganjëherë mbeten misterioze. Të shtëna në kafene, shpërthime të veturave, kufoma të gjetura në rrugët e Beogradit, Kotorit apo Podgoricës, për të mos përmendur numrin e panjohur të të zhdukurve – shtatë vjet luftash mes bandave, atentatesh e hakmarrjesh lanë një bilanc prej së paku 50 të vdekurve”, shkruan gazeta franceze.

Gazeta shton se shkaktarët kryesorë janë të njohur dhe të dyja ndodhën në vitin 2014.

Arkani, ikona e nëntokës

“Nga njëra anë, zhdukja e të paktën 200 kilogramëve kokainë në portin spanjoll të Valencias, pa dyshim se shkaktoi ndarje në kartelin e udhëhequr nga Darko Shariq dhe shënoi shpërthimin e ‘luftës së Kotorrit’ midis dy bandave rivale, klanit të Shkaljaracëve dhe atij të Kavçanëve. Në anën tjetër, arrestimi i vetë Shaqirit hapi një luftë për trashëgimi në mes të bashkëpunëtorëve të tij më besnikë, të cilët udhëheqin perandorinë e tij ndërsa ai është në burg, dhe individëve ambiciozë që ëndërrojnë për pavarësi më të madhe dhe për fitimet që e shoqëron këtë”, ka shkruar gazeta.

Lufta e bandave mori vrull dy vjet më vonë, më 2016, pas vrasjes së Aleksandar Stankoviqit, kreu i bandës Janjiçari, i përbërë nga tifozët më ekstrem të klubit të futbollit nga Beogradi, Partizan. Tradicionalisht në Serbi grupet e huliganëve janë tokë pjellore për nëntokën, siç ishin për milicët paramilitarë gjatë luftërave të viteve 1990, shkruan “Le Monde”.

“Ikona e kësaj bote paralele ishte, gjatë sundimit të presidentit dhe komandantit të luftës Slobodan Milosheviq (1989-2000), Zhelko Razhnatoviq, i njohur si Arkani. Udhëheqësi i tifozëve të Crvena Zvezdës, një klub tjetër futbolli nga Beogradi dhe më pas udhëheqës i Tigrave të Arkanit, një grup paramilitar, i cili punoi me urdhër të policisë sekrete serbe. Arkani, i cili ishte akuzuar nga gjykata ndërkombëtare në Hagë siç akuzohet edhe Milosheviqi për krime kundër njerëzimit, u vra në hotelin ‘Interkontinental’ në Beograd, pak para rënies së presidentit serb, nga një vrasës i cili, sikurse ai, kishte një armë të mafisë në njërën dorë dhe në dorën tjetër simbolin e policisë”, shkruan gazeta, teksa specifikon se qendrat kryesore për pastrimin e parave nga trafikim i qenieve njerëzore janë ndërtimi, hoteleria, infrastruktura turistike, etj.

“Që nga rënia e komunizmit dhe luftërat në ish-Jugosllavi, mafia ballkanike është zhvilluar aq shumë saqë sot konsiderohet si aktore kryesore në krimin e organizuar ndërkombëtar. Bandat serbe, malazeze e shqiptare, të cilat filluan të lulëzojnë tri dekada më parë, nga kontrabanda e armëve e duhanit, tash janë faktorë kryesorë në transportimin e kokainës nga Amerika e Jugut për në Evropë. Po ashtu tregtojnë heroinë dhe prodhojnë marihuanë e drogë sintetike. Fitimi i tyre është i asaj përmase saqë kanë investuar një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre në rrjedhat e ligjshme ekonomike”, shkruan gazeta.

“Trashëgimia e Policisë Sekrete Jugosllave”

“Teksa kriminelët shqiptarë fillimisht buronin prej lidhjeve me mafinë italiane, ata në Serbi e Mal të Zi qysh në fillim kishin një atu mjaft origjinale, i cili, në atë nivel, mund të gjendet vetëm në Rusi – lidhjet e tyre të ngushta me shtetin”, precizon gazeta franceze.

E thurur në kohën e policisë sekrete jugosllave, e fuqizuar gjatë luftërave të Milosheviqit, ajo lidhje është akoma jashtëzakonisht e fortë. Ekspertët madje pyesin, sipas gazetës, nëse Serbia e Mali i Zi mund të përshkruhen si “shtete mafioze” dhe, duke pasur parasysh fuqinë financiare që ka fituar bota e krimit të organizuar, a bëhet ende fjalë për banditë që gjenden në shërbim të shtetit apo tash janë dy shtetet që janë në shërbim të bandave kriminale.

Në Serbi veçohen tri periudha të ndryshme.

“Milosheviqi ishte kumbari i kriminelëve dhe formacioneve paramilitare. Mandej më 2000, kryeministri Zoran Gjingjiq provoi që ta zgjidhte problemin, andaj e vranë më 2003”, tregon Vuk Cvijiq, gazetar për të përjavshmen “NIN”.

Gjatë periudhës sa qeverisjes nga Partia Demokratike, midis viteve 2000-2012, Cvijiq thotë se “megjithëse kishte ende korrupsion, nuk kishte më lidhje të drejtpërdrejtë mes autoriteteve serbe dhe krimit të organizuar”. Gjatë kësaj periudhe u kryen dy operacione të mëdha policore, në bashkëpunim me Interpolin dhe shërbimet e huaja policore – Operacioni “Sablja” kundër klanit të Zemunit dhe vrasësve të Gjingjiqit (më 2003) dhe operacioni “Luftëtari Ballkanik” kundër kartelit të Darko Shariqit (më 2009).

“Sot, nën Vuçiqin, shteti dhe mafia po bashkëpunojnë sërish deri në atë shkallë sa më nuk ekziston ndonjë dallim i qartë mes tyre”, thotë Cvijiq për gazetën franceze.

Dikush mund madje të pyesë nëse mafia është bërë më e fortë se shteti.

Në Mal të Zi është tjetër rrëfim, ngase njeriu i njëjtë, Milo Gjukanoviqi, është në krye që nga rënia e komunizmit në vitin 1991.

“Gjukanoviqi është bosi. Të gjitha klanet malazeze kanë të njëjtin punëdhënës – presidentin e shtetit”, akuzon Jovo Martinoviq, një gazetar i njohur që për 20 vjet po e hulumton krimin e organizuar.

“Dallimi prej Amerikës Latine është se Pablo Escobari ishte një bandit që po vepronte kundër shtetit. E në Malin e Zi, Pabloja është presidenti”, ka shtuar Martinoviq, duke folur për “Le Monde”.

Marrëdhënia e ngushtë midis politikës dhe krimit të organizuar është pa dyshim e vështirë që të vërtetohet, duke pasur parasysh se edhe nëse disa hetime ndonjëherë aludojnë për një politikan apo biznesmen, “lidhja organike historikisht shkon kah shërbimet sekrete”, vëren një diplomat evropian që i njeh prej kohësh ndërlikimet e autoriteteve serbe dhe malazeze.

“Tregtinë e organizojnë autoritetet e Serbisë dhe Malit të Zi. Shumë kriminelë kanë madje distinktivë të shërbimit sekret apo policisë. Të dy presidentët punojnë bashkë dhe kanë interesa të përbashkëta”, thotë Jovo Martinoviq. Ekspertët gjithashtu aludojnë në rolin, përveç të presidentëve, edhe të vëllezërve që i menaxhojnë çështjet e familjes. Andrej Vuçiq në Beograd e Aco Gjukanoviq në Podgoricë luajnë rolin jetik fare buzë politikës, biznesit dhe parave të pista, shkruan “Le Monde”.

“Droga është njëra prej tyre”, thotë diplomati.

Megjithëkëtë, Gjukanoviqi pa dyshim se pasurinë e tij e rriti edhe më tepër nga privatizimi e jo nga tregtia ilegale. Vëllai i tij Aco është miliarder, konstaton gazetari i “Le Monde”, Remy Urdan.

“Askush në skenën ndërkombëtare nuk e di se si të kapet pas çështjes së krimit të organizuar në Serbi e Mal të Zi”, thotë Stevan Dojçinoviq, një hulumtues në sajtin hulumtues serb “Krik”. “Kjo pasi që askush nuk e kupton thelbin e problemit – nuk është problemi i korrupsionit të individëve, por është sistem shtetëror”.

I tillë veçse ishte rasti në kohën e Milosheviqit, dhe po vazhdohet edhe me Vuçiqin e Gjukanoviqin. Është një operacion shtetëror që vështirë se mund të dëshmohet, shton ai.

Gjyqësori italian, që në disa rrethana është përpjekur që ta hetojë lidhjen mes politikanëve e kriminelëve në Ballkan, veçanërisht me Milo Gjukanoviqin në rastet që lidhen me mafinë italiane, “i theu dhëmbët” në këtë përpjekje. As gjyqësorët e vendeve të tjera evropiane nuk arritën t’u kundërvihen trafikantëve namzinj të drogës. Ata që tash e sa kohë po e hetojnë krimin e organizuar në ish-Jugosllavi gjithashtu besojnë se ky krim është i lidhur me shërbimet sekrete shtetërore, shërbimet e tjera të inteligjencës, amerikane e evropiane, mbrohet, në këmbim të informatave, apo edhe nëpërmjet politikës”, shkruan “Le Monde”.

Një galaktikë kaotike

“Perëndimi po përpiqet ta sjellë Serbinë në Evropë, ndërsa Aleksandar Vuçiq ka marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe marrëdhënie të përzemërta me Pekinin. E Milo Gjukanoviqi është parë historikisht madje si udhëheqësi më i sinqertë pro-perëndimor, pro-NATO e pro-evropian, në rajon”, analizon diplomati evropian. Në emër të gjeopolitikës, ata po i largojnë sytë nga aktivitetet e paligjshme të këtyre shteteve të brishte, shkruan “Le Monde”.

Përveç çështjes shumë jotransparente të përfshirjes së shërbimeve sekrete në aktivitete kriminale, të kuptuarit e ndërlikimeve të bandave nuk është një detyrë e lehtë për hetuesit.

“Krimi i organizuar në Ballkan kurrë nuk e ka pasur shefin e të gjithë shefave si te rasti i mafisë italiane. Këto janë qeliza të pavarura, që zhvillohen shpesh, brenda grupeve që ndahen e ribashkohen. Në Ballkan ka rreth 300 grupe kriminale”, thotë Dojçinoviq.

“Nuk ekziston kartel ballkanik, ky është bashkëpunim mes bandave, detyrë kryesore e të cilave është transportimi i kokainës nga Amerika Latine në Evropë”, konfirmon Sasha Gjorgjeviq, nga zyra në Beograd e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, një organizatë e pavarur me seli në Gjenevë.

Në Serbi, pas vrasjes së Gjingjiqit dhe “Sabljas”, kontrabandisti serb me origjinë malazeze Darko Shariq u etablua si i vetmi që arriti deri dikur ta bashkojë këtë “galaktikë kaotike”.

Shariqi shihet si bosi më i fuqishëm i drogës që këto vende kishin në 30 vjetët e fundit. Është në burg prej 2014-s, i dënuar me 15 vjet burgim për trafikim droge, e më pas me 20 për shpëlarje parash më 2020.

“Ndërkohë, në Adriatik doajeni malazias i kontrabandimit, Branislav Miçunoviq, u etablua si koordinator i fuqishëm mes klaneve që e monitorojnë tregun e kokainës. Miçunoviqi po e kalon i qetë pleqërinë në Budva, duke jetuar në katin e fundit të hotel-kazinosë së tij, ‘Splendid’”, thuhet në tekst.

Grupet ballkanike janë bërë lojtarë kyç të krimit të organizuar në Evropë, Turqi, Amerikë Latine, si dhe në Afrikën e Jugut e Australi. Për kokainën e Amerikës së Jugut punojnë kryesisht me Kolumbinë, Ekuadorin, si dhe me Uruguain, Perunë e Brazilin. Për mbërritjen e drogës janë të pranishëm në brigjet spanjolle, italiane, greke, shqiptare e malazeze.

Një video ilustron këtë kohë relativisht të qetë, para se lufta e bandave të trondiste ekuilibrin e brishtë midis organizatave kriminale, shkruan gazeta franceze “Le Monde”. Në videon nga dasma e Safet Kaliqit, kreut të bandës malazeze nga Rozhaja, shfaqen të gjithë udhëheqësit kriminelë të Ballkanit, përfshirë edhe Darko Shariqin, duke u përqafuar e festuar. Videoja, që qarkulloi në internet nga viti 2010, shkaktoi skandal, sepse në të shihej edhe Zoran Lazoviqi, të cilin asokohe presidenti Gjukanoviq e kishte angazhuar brenda shërbimit sekret për luftimin e krimit, si dhe Ljubisha Mijatoviqi, i cili do të bëhej shefi i tij i sigurimit.

Gjukanoviqi u mbrojt duke pretenduar se ata ishin në mision për të spiunuar kriminelët, por pak kë e bindi me këtë, thotë gazetari francez Urdan.

“Politika, futbolli dhe nëntoka”

Pas afërës në Valencia dhe arrestimit nën presionin amerikan të Shariqit, që ishte bërë shumë i fuqishëm, u prish ekuilibri dhe shpërtheu “Lufta e Kotorrit”. Ajo luftë po luftohet mes klaneve Shkaljarski dhe Kavaçki, të emëruara sipas dy fshatrave në afërsi të bregdetit malazias.

Kotorri ka zënë një vend të veçantë në botën e trafikut të drogës, duke u mbështetur në kulturën e tij detare. Marinarët e rinj nga zona kanë pak zgjedhje, përveçse të bëhen kontrabandistë droge.

Përveç konfliktit mes bandave për paratë e drogës, hipoteza e ekspertëve është se klani Shkaljar u ngrit shumë shpejt pas arrestimit të Darko Shariqit dhe filloi të ëndërronte për një pavarësi të caktuar në lidhje me shërbimet sekrete serbe e malazeze.

“Le Monde” shkruan se Beogradi e Podgorica në atë luftë ishin në favor të klanit Kavaç, që u krijua nga një ndarje brenda klanit Shkaljar.

Thuhet se njerëzit e Kavçait janë shumë të afërt me huliganët e lidhur me rrjetet e Vuçiqit në Serbi e me policinë sekrete të Gjukanoviqit në Mal të Zi.

Nga ana e Beogradit, është e qartë se Policia kryesisht kishte në shënjestër Shkaljarët, thekson teksti dhe shton se udhëheqësi i tyre i atëhershëm Jovan Vukotiq u arrestua në Turqi në vitin 2018 me kërkesë të Serbisë, u ekstradua në Beograd dhe u gjykua për një arsye shumë të parëndësishme (për përdorim të pasaportës false), si dhe anëtarët e klanit Shkaljar, të cilët u persekutuan në Serbi, u strehuan në të gjithë Evropën, e disa u persekutuan e u vranë në Spanjë, Gjermani, Austri, Holandë e Greqi.

Ani pse nuk dihet se kush e vrau Aleksandar Stankoviqin, kreun e Janjiçarëve, gjoja të afërt me klanin Kavaç, kjo çoi në ndryshimin brenda nëntokës së krimit në Beograd. Sytë ishin kthyer te i fuqishmi Luka Bojoviq, në kohën kur ishte kreu i klanit të Zemunit dhe i afërt me Shkaljarët. Stankoviq që atëherë është zëvendësuar nga Veljko Belivuku dhe Bojoviq, nga burgu në Spanjë, ia besoi udhëheqjen e bandës Filip Koraqit, njeri që viteve të fundit po ngjitet në hierarkinë e nëntokës serbe.

“Ndonëse është e vështirë të vërtetohet në gjykatë përfshirja e autoriteteve serbe në këtë luftë bandash, Janjiçarët, të cilët Belivuk i quajti Princip (sipas Gavrilo Principit, vrasësit serb të Arkidukës austro-hungareze Franz Ferdinand në Sarajevë më 1914), janë forcuar ndjeshëm që kur Aleksandar Vuçiq erdhi në pushtet në vitin 2012”, thuhet në tekstin e “Le Mondes”.

Gazeta specifikon se Janjiçarët siguruan ceremoninë e inaugurimit të Vuçiqit dhe djali i tij Danilo shfaqej rregullisht në publik me anëtarët e bandës.

Sipas hulumtimeve të gazetarëve, lidhja midis shtetit dhe Principit u përcaktua nga ana e Dijana Hërkaloviqit, ish-anëtare e shërbimit të policisë sekrete, të cilën Vuçiqi e avancoi në postin e sekretares shtetërore përbrenda Ministrisë së Brendshme, deri në dorëheqjen e saj më 2019.

Gazeta shkruan se Hërkaloviqi ishte mike e ngushtë e kreut të Janjiçarëve, ashtu edhe i oficerit të lartë të xhandarmërisë, Nenad Vuçkoviqit, i njohur si “Vuçko”, anëtar i grupit të tifozëve të Partizanit dhe mik i ngushtë i Stankoviqit e Belivukut.

Hërkaloviq, që e përshkroi presidentin serb si “njeri që na kalon të gjithëve me gjenialitetin e tij” dha dorëheqjen dhe ka heshtur qëkur doli në publik historia e saj.

“Një nga ato raste është zbulimi, në një fermë në Jovanjic të Vojvodinës, të një fushe prej 12 hektarëve, ku 65 mijë bimë marihuane ishin fshehur pas kulturave të domateve, trangujve e qepëve. Një laborator dhe 600 kilogramë drogë, si dhe armë dhe pajisjet më të fundit të mbikëqyrjes e monitorimit. Pronari i fermës, të cilin e vizitonin rregullisht zyrtarët qeveritarë kishte një simbol të rrejshëm dhe tabela regjistrimi të Policisë të cilat ia kishin siguruar oficerët e policisë që punonin për Diana Hrkaloviqin”, shkruan Le Monde.

Ato shtojnë se rasti i dytë është zbulimi se Nenad Vuçkoviq në mënyrë diskrete përdori ekipin e vëzhgimit të Policisë për të stërvitur me udhëheqësit e Janjiçarëve, Stankoviqin e Belivukun, si dhe Novak Nediqin, sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë së Vuçiqit.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e njeh mirë këtë botë që funksion mes politikës, futbollit dhe nëntokës. Si i ri, ishte tifoz i Crvena Zvezdës në kohën e Arkanit. Ai ishte aktiv në politikë së bashku me Vojslav Sheshelin, liderin e së djathtës ekstreme serbe, si dhe me milicinë paramilitare të ngjashme me atë të Arkanit, ishte ministër nën Milosheviqin. Sot, duket, përdor huliganët e Partizanit, një klub që tradicionalisht ishte i afërt me policinë sekrete, sepse i përket shtetit”, shkruan gazeta “Le Monde”.

Megjithatë, gazeta shton se këtë vit ndodhën dy ngjarje në botën e krimit serbo-malazias. Policia në Beograd arrestoi Belivukun dhe rreth 20 janjiçarë në shkurt, për habinë e të gjithëve.

Gjyqësori akuzoi Belivukun për vrasje, rrëmbim, zhvatje dhe kontrabandë me drogë. Që nga arrestimi i tij, mediat pranë autoriteteve raportuan për dëshmitë e familjeve të viktimave të zhdukura të bandës.

“Ende nuk dihet pse shteti vendosi që t’i japë fund këtij grupi kriminal pas shumë vjetësh mbrojtjeje”, thotë Dojçinoviq. Përveç zbulimit të vendit ku u kryen ekzekutimet në një shtëpi në Ritopek, në periferi të Beogradit, një hipotezë, sipas një eksperti, është se “grupi i Belivukut, që ishte në shërbim të shtetit, shkoi tepër larg me kërkim të ryshfetit nga biznesmenët e afërt me qeverinë”.

“Mjeku i vdekjes”

Slobodan Kashqelan, shefi i klanit Kavaç, u arrestua në Mal të Zi në prill. Ekziston një shpjegim racional për situatën këtu, sipas “Le Mondes”, pasi që partia e Gjukanoviqit humbi zgjedhjet parlamentare të 2020-s dhe “dinozauri” i politikës malazeze e gjeti veten, ndonëse ruajti ndikimin në shërbimin sekret dhe gjyqësorin, në një situatë bashkëjetese me një qeveri armiqësore ndaj tij.

“Shteti më nuk kontrollon krimin e organizuar. Gjukanoviqi nuk ka më fuqi të paprekshme”, thotë Vanja Qaloviq Markoviq, drejtoreshë e Këshillit Kombëtar për Luftën Kundër Korrupsionit.

Kashqelan u arrestua me urdhër të zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq, që koordinon shërbimin e sigurisë. Abazoviqi i ri e trim zbuloi se në mes të ndryshimit të qeverisë klani Kavaç i ofroi atij, nëpërmjet njerëzve të afërt me “kumbarën” Miqunoviq, një takim. Pasi refuzoi, e mori një mesazh: “Do të shihemi, në njërën apo tjetrën mënyrë”.

Menjëherë pas kësaj, gazeta shkruan se tentimvrasja u pengua falë përgjimeve telefonike dhe se u zbulua plani për vrasje me snajper, si në rastin e Gjingjiqit në Beograd rreth dy dekada më parë.

Abazoviqi tha se është “i gatshëm të paguajë çdo çmim për të mposhtur krimin e organizuar”. Ai e zëvendësoi Zoran Lazoviqin, drejtorin e shërbimit policor për luftimin e krimit të organizuar, personin që ishte paraqitur në videon e dasmës së Safet Kaliqit dhe që konsiderohej prej kohësh të ishte, sipas një burimi pranë qeverisë, “lidhja mes shtetit dhe krimit të organizuar” në Mal të Zi. Marrëdhënia mes njerëzve në pushtet dhe nëntokës ndonjëherë merr një kthesë shumë të çuditshme. Historia e vjetër ende e bën Beogradin të ulërijë nga të qeshurat apo të qajë nga zemërimi, në varësi nga bashkëbiseduesit.

20 vjet më parë, krimineli i vogël Veselin Bozhoviq e gjeti veten në objektivin e një sulmuesi me kallashnikov në një rrugë në Beograd. Ai ishte ende gjallë kur mbërriti në spital, pasi plumbat nuk kishin goditur organet e tija vitale. Gruaja, djali dhe dy kalimtarë, ani pse të plagosur, gjithashtu mbijetuan. Ishte kjo një mrekulli.

“Por, pastaj mjeku Zlatibor Lonçar, i cili atë ditë nuk ishte në detyrë, doli në skenë. Erdhi befasisht në qendrën e urgjencës. Një orë më vonë, Bozhoviqi ishte i vdekur. Hetimi policor vërtetoi se mjeku Lonçar i kishte injektuar një përmbajtje vdekjeprurëse”, shkruan “Le Monde”. “Na tha se do ta përfundojë këtë punë”, dëshmoi një kriminel i penduar, sipas gazetës.

Një gazetë nga Franca shkruan se dhjetë ditë më vonë mjeku mori një apartament në kompensim për shërbimet e tij. Thuhet se i mohoi akuzat dhe nuk u ndoq asnjëherë në mungesë të provave.

“Mjeku Lonçar në fakt punoi për klanin Zemun, asokohe më të fuqishmin në Serbi. Pastaj, burri që u quajt nga tabloidet serbe si ‘Mjeku i vdekjes’ u bë ndjekës besnik i presidentit Vuçiq. Sot është ministër i Shëndetësisë”, thotë gazetari i “Le Mondes”, Remy Urdan. Marrë nga koha

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *