Lajme

Kushtetuesja merr vendim për rastin e ankesës së Zoran Gjokiq, i dënuar për krime lufte

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim lidhur me ankesën që kishte bërë i dënuari për krime lufte Zoran Gjokiq.

Ai ishte dënuar me 12 –vjet burgim.

Sipas vendimit të Kushtetueses, aktgjykimi i Gjykatës Supreme, Apelit dhe Gjykatës Themelore “nuk janë në kundërshtim me paragrafët 1, 2 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 (3) (a), (b) dhe (d) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Ankuesi kishte pretenduar si është mohuar e drejta për tu deklaruar për aktakuzën e ndryshuar dhe të zgjeruar kundër tij.

Por sipas Kushtetueses, Prokuroria me kohë “ka njoftuar mbrojtësin e parashtruesit të kërkesës lidhur me zgjerimin e aktakuzës”

“Në këtë kontekst dhe sipas shtjellimeve të detajuara në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se: (i) prokurori me kohë ka njoftuar mbrojtësin e parashtruesit të kërkesës lidhur me zgjerimin e aktakuzës, çka edhe është konstatuar gjatë procesit gjyqësor nga Gjykata e Apelit se mundësia e ushtrimit praktik dhe efektiv të mbrojtjes ndaj zgjerimit të aktakuzës i është dhënë mbrojtjes së parashtruesit të kërkesës; (ii) zgjerimi i aktakuzës kundër parashtruesit të kërkesës nuk ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale dhe nuk ka ndryshuar rolin e parashtruesit të kërkesës në kryerjen e veprës penale; (iii) gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se dëshmitarët janë ballafaquar me parashtruesin e kërkesës dhe/ose mbrojtjen e tij dhe se të njëjtin e kanë identifikuar që ka qenë prezent në situata të caktuara kur janë kryer veprat penale; (iv) gjykatat e rregullta nuk kanë mohuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për të propozuar dëshmitarë të rinj, veçse të njëjtat kanë theksuar se propozimi i dëshmitarëve vlen edhe për palët e dëmtuara, çka është në pajtim me  parimin e “barazisë së armëve” siç garantohet me të drejtë për gjykimit të drejtë dhe të paanshëm; (v) gjykatat e rregullta kanë dëgjuar edhe dëshmitarët në favor të parashtruesit të kërkesës, ndërsa pesha që u akordohet dëshmisë së atyre dëshmitarëve është çështje e juridiksionit dhe fushëveprimit të gjykatave të rregullta”, thuhet në komunikatë./teve1.info/

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI 74/22, të parashtruar nga Zoran Đokić, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.19/2022] të 15 shkurtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ndërlidhur me Aktgjykimin [APS.nr.22/2021] të 12 tetorit 2021 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [ST.nr.15/19] të 11 shkurtit 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Lexo më shumë  Osmani thotë se Serbia po e ndihmon Rusinë të hapë një front të ri kundër Perëndimit

Gjykata njëzëri konstatoi: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [Pml.nr.19/2022] i 5 shkurtit 2022; Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [APS.nr.22/2021] i 12 tetorit 2021 dhe Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [ST.nr.15/19] i 11 shkurtit 2021, nuk janë në kundërshtim  me paragrafët 1, 2 dhe 4 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 (3) (a), (b) dhe (d) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me aktakuzën që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të krimeve të luftës, në shkelje të nenit 3 (Konfliktet pa karakter ndërkombëtar) të Konventave të Gjenevës nga 12 gushti 1949 dhe Protokollet Shtesë nga 1977 dhe 2005, bazuar në paragrafin 1 të nenit 152 (Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës) të Kodit nr.04/L-82 Penal të Republikës së Kosovës dhe nenit 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës, ndër tjerash, për shkak se, në bashkëkryerje, kishte kryer veprën penale Krime të Luftës Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së, lidhur me nenin 3 të Konventës së Gjenevës dhe nenin 4 (Garancitë Themelore) të Protokollit Shtesë të Konventave të Gjenevës të 12 gushtit të vitit 1949 për Mbrojtjen e Viktimave të Konflikteve të Armatosura Jo Ndërkombëtare të 8 qershorit të vitit 1977, dhe për pasojë e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) vitesh. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal dhe vendimit për dënimin. Parashtruesi i kërkesës, ndër tjerash, u ankua përkitazi me zgjerimin e aktakuzës dhe dëshmitarëve përkatës, duke kërkuar që të lirohet nga akuza. Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, duke vepruar sipas ankesës dhe kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, respektivisht, vërtetuan Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Themelore.

Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 3 (a) dhe (d) të nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar, ndër tjerash, se (i) prokuroria dhe gjykatat e rregullta nuk ia dhanë mundësinë që të deklarohet për aktakuzën e ndryshuar dhe të zgjeruar kundër tij; (ii) veprimet hetimore, përkatësisht marrja në pyetje e dëshmitarëve, palëve të dëmtuara dhe identifikimi i parashtruesit të kërkesës, janë kryer pa praninë e mbrojtësit; (iii) sipas paragrafit 2 të nenit 288 (Kërkesat pas caktimit të shqyrtimit gjyqësor) të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, propozimi i dëshmitarëve të rinj mund të pranohet vetëm nëse dëshmitarët e propozuar nuk janë njohur në kohën e mbajtjes së shqyrtimit të dytë fillestar, gjë që në rastin e tij ky nuk ishte rasti;  dhe (iv) gjykatat e rregullta nuk kanë dëgjuar dëshmitarët që do të kishin dëshmuar në favor të parashtruesit të kërkesës ose të paktën dëshmia e tyre do të ishte neutrale.

Lexo më shumë  Marrëdhëniet Kosovë-Mali i Zi, Konjufca takon zëvendëskryeministrin Gjeloshaj

Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kuadër të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në këtë  kontekst  (i) së pari shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për t’u informuar për ndryshim dhe zgjerim të aktakuzës, të drejtat e mbrojtjes në proces penal, të drejtën për ballafaqim të dëshmitarëve dhe dëgjim të dëshmitarëve në favor të parashtruesit të kërkesës, siç është e garantuar me aktet e lartcekura, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Në këtë kontekst dhe sipas shtjellimeve të detajuara në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se: (i) prokurori me kohë ka njoftuar mbrojtësin e parashtruesit të kërkesës lidhur me zgjerimin e aktakuzës, çka edhe është konstatuar gjatë procesit gjyqësor nga Gjykata e Apelit se mundësia e ushtrimit praktik dhe efektiv të mbrojtjes ndaj zgjerimit të aktakuzës i është dhënë mbrojtjes së parashtruesit të kërkesës; (ii) zgjerimi i aktakuzës kundër parashtruesit të kërkesës nuk ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale dhe nuk ka ndryshuar rolin e parashtruesit të kërkesës në kryerjen e veprës penale; (iii) gjykatat e rregullta kanë shpjeguar se dëshmitarët janë ballafaquar me parashtruesin e kërkesës dhe/ose mbrojtjen e tij dhe se të njëjtin e kanë identifikuar që ka qenë prezent në situata të caktuara kur janë kryer veprat penale; (iv) gjykatat e rregullta nuk kanë mohuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për të propozuar dëshmitarë të rinj, veçse të njëjtat kanë theksuar se propozimi i dëshmitarëve vlen edhe për palët e dëmtuara, çka është në pajtim me  parimin e “barazisë së armëve” siç garantohet me të drejtë për gjykimit të drejtë dhe të paanshëm; (v) gjykatat e rregullta kanë dëgjuar edhe dëshmitarët në favor të parashtruesit të kërkesës, ndërsa pesha që u akordohet dëshmisë së atyre dëshmitarëve është çështje e juridiksionit dhe fushëveprimit të gjykatave të rregullta.

Rruga Press

YouTube player