Kryeministri në detyrë!!! Qeveria në detyrë!!!
Shkruan Sami Kurteshi
Ka ditë që në disa media, sidomos në media televizive, haset në një togfjalësh interesant „Kryeministri në detyrë“. Madje, për çudi, hast edhe togfjalësi „Qeveri në detyrë“.
Këta togfjalësha, që mëtohet dhe pretendohet të përdoren dhe futen në diskursin publik si koncepte politike, së paku hasen në dy televizionet me frekuencë nacionale, RTK si medium publik dhe KTV, si mediumet me përvojën më të gjatë.
Përdorimi i këtyre togfjalëshave nuk është se nuk është përdorur edhe më herët, mirëpo habit shpeshtësia dhe këmbëngulësia e përsëritjes në media në rastin e Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë Kurti.
Ky togfjalësh nuk përbën koncept juridik, nuk ka bazë as në Kushtetutën dhe as në legjisklacionin e Republikës së Kosovës, prandaj nuk përbën dhe as mund të përbëjë koncept politik në Republikën e Kosovës.
Ky togfjalësh si koncept juridik nuk mund të haset as në sistemet juridike të vendeve demokratike të arealit anglo-sakson, europian e hispanik, që përbëjnë tërësinë e vendeve demokratike. Si togfjalësh nuk mund të haset as në gjuhën angleze, as në gjuhën franceze, as në gjuhën spanjolle e as atë gjermane për emërtimin e funksionit të kryeministrit apo të qeverisë.
Diçka si Primeminister in office (engl.), apo Premier ministre par intérim (franc.), apo Amtierender Kanzler gjegjësisht Kanzler im Amt (german) apo Primer ministro/a en funciones (esp.) apo Primo Minustro ad interim (ital.), për një person të zgjedhur nga parlamenti në sistemet parlamentare apo të emëruar nga Presidenti i një vendi/shteti me sistem presidencial, është gabim trashanik, nëse bëhet nga injoranca juridike, nga mangësia e përgatitjes profesionale dhe mungesës së edukimit të mangët politik e gjuhësor të redaktorit/es përgjegjëse, ashtu si po shpresoj të jetë rasti në RTK dhe në KTV.
Nuk po dua të besoj se ky gabim mund të jetë qëllim politik i ndonjë kryeredaktori në këto mediume dhe të tjerat.
Nuk është gabim qëllimkeq i këtyre mediave!
Kështu po dua të besoj naivisht, edhe pse veprimet dytësore të disa segmenteve të organizuara me kërkesa konkrete për bllokimin e veprimeve të Qeverisë, po e dëshmojnë naivitetin tim, fatkeqësisht!!!
Sidoqoftë, narracioni i përdorur nga mediat, qoftë i gabuar apo i qëllimshëm, sidomos kur ato nuk gëzojnë besueshmëri të publikut, ashtu siç është në shumë vende të ndryshme, edhe në Kosovë, nuk krijojnë diskurs publik. Diskursin publik e krijojnë vetëm burimet e sigurta, profesionale, të besueshme, të përgjegjshme.
Fatkeqësisht, edhe në këtë rast konkret, të sqaruar në këtë shkrim, mediat në Kosovë vetëm po e presin degën ku janë ulur vetë.
Mosdija nuk përbën fakt, por ndjek qëllim!
Gabimi i përsëritur përbën qëllim!
Qëllimi i gabuar si veprim, përbën krim!
Rruga Press