Opinion/Aktualitet

Krahasimi me rajonin/ Rreziku nga borxhi publik në Shqipëri, a është koha për alarm?

Nga Adi Darsi:       

Një rritje e shpejtë e borxhit publik në tre vitet e fundit nuk përbën lajm në asnjë vend të rajonit. Në rastin e Shqipërisë shkaqet janë edhe më të shumtë se sa tek fqinjët. Pandemia nisi pak muaj pasi një tërmet me pasoja të rënda, në nëntor 2019, la pa çati mijëra qytetarë. Do të mjaftonte vetëm ai për ta çuar borxhin publik në nivele edhe më problematike. Shto edhe kostot e larta të pandemisë dhe situata doli jashtë çdo parashikimi. Po a është koha për të vënë alarmin?

Banka Botërore në projeksionet e saj parashikon që Shqipëria do të mbetet në nivele të larta të borxhit së paku deri më 2023. Objektivat e qeverisë për ta ulur atë, sigurisht janë rrëzuar të gjithë. Madje parashikimi që në mandatin e tretë borxhi të zbresë në 60% të PBB, tashmë nuk referohet më nga askush. Pas tërmetit dhe pandemisë qeveria qe e shtrënguar ta rriste borxhin në 2020 me rreth 12 pikë për qind të PBB-së. Një shifër e pamenduar dhe e paregjistruar kurrë më parë.

Gjuha e ashpër e Metës

Nëse do të ishim një vend me tregje financiare dhe ekonomi fuksionale deklaratat e Presidentit të Republikës pak ditë më parë do të kishin shkaktuar tronditje. Por kjo nuk ndodhi, pavarësisht se kreu i shtetit i përcolli shqetësimet e tij me një retorikë tejet të ashpër politike. “Borxhi publik në majë, por prosperiteti përtokë! Futesh në borxh për t’u përmirësuar dhe jo për t’u përkeqësuar! Në të kundërt ndodh me vendin tonë”, shkruante Meta një një postim në FB e tij më 29 janar. Reagimi bëhej vetëm një ditë pasi ai kishte dalë në një konferencë për mediat ku foli eskluzivisht për borxhin duke sjellë shifra dhe duke paralajmëruar një greminë financiare. “Në llogaritjen e stokut të borxhit për vitin 2021 do të duhej të përfshiheshin të gjitha detyrimet e prapambetura të Qeverisë qendrore dhe lokale, rimbursimi i plotë i TVSH-së në rreth 24.2 miliard lekë, vendimet e gjykatave ndërkombëtare në rreth 405.2 milion euro, si dhe detyrimet e nënhuasë në 62.5 milion euro. Vlera reale e borxhit publik në fund të vitit 2021 mund të llogaritet në më shume se 84.0% e Prodhimit të Brendshëm Bruto,” deklaroi kreu I shtetit. Shifra që ai përcolli nuk është e pasqyruar në asnjë burim zyrtar, aq më tepër kur bilancet financiare të vitit të kaluar ende nuk janë mbyllur. Po sipas Metës “Treguesit e borxhit e vendit tonë si borxhi publik për banorë, kosto e shërbimit të borxhit, shpenzimet për interesat e borxhit, raporti i borxhit publik ndaj të ardhurave tatimore dhe raporti i borxhit kundrejt eksporteve krahasuar me vendet e rajonit, janë përkeqësuar”. Por shifrat që sjell kreu i shtetit janë të interpretueshme, pavarësisht se ai bëri thirrje që: “Duke vlerësuar situatën kritike në të cilën ka arritur niveli i borxhit publik për të parandaluar një humnere ekonomike e financiare dhe drama të mëtejshme sociale, kërkoj nga Kuvendi dhe institucionet financiare të huaja dhe vendase, të bëhet sa më parë një vlerësim real dhe transparent i borxhit publik”. Fakti është se që nga viti 2010 deri në shtator 2021, zyrtarisht stoku i borxhit ëshmë më shumë se dyfishuar. Sipas Bankës së Shqipërisë nga 4.1 miliardë euro në 2010, stoku I borxhit në shtator 2021 ka shkuar në gati 9 miliard euro. Po a është ky një fenomen vetëm shqiptar?

STOKU I BORXHIT TË JASHTËM TË SHQIPËRISË në milion euro

VITISTOKU I BORXHIT
20104,100
20136,368
20157,634
20198,246
20208,548
2021 (9M)8,973
Burimi Banka e Shqipërisë


Krahasimi me rajonin

Sipas statistikave të Bankës Botërore në të gjithë vendet e rajonit tonë, nga viti 2013 në 2020, kur edhe janë raportuar shifrat zyrtare nga vendet përkatëse, ka patur një rritje pothuajse të njëllojtë të stokut të borxhit të huaj. Shifart tregojnë që në Shqipëri, për periudhën përkatëse, rritja është mbi 2 miliard euro, në Kosovë rreth 1 miliard euro, në Bosnjë mbi 1.5 miliard euro, në Mal të Zi mbi 2.5 miliard euro, në Maqedoni afërsisht me 4 miliard euro dhe në Serbi gati 3 miliard euro. Kjo është shifra absolute e borxheve të marra në 7 vjet. Duke qenë se ekonomitë e vendeve të rajonit nuk kanë të njëtën madhësi, ka edhe një matje tjetër të rritjes së borxhit, duke e krahasuar atë me niveli e prodhimit kombëtar. Sipas https://tradingeconomics.com edhe për këtë tregues tendencat janë në rritje të borxhit, përjashtuar Bosnjë Hercegovinën. Në Bosnjë Hercegovinë, përjashtim nga i gjithë rajoni kemi një përmirësim me  më shumë se 5% të PBB. Në Shqipëri luhatja nga 2015 në 2020 është me + 8% të PBB, po aq është edhe rritja e borxheve në Kosovë. Sipas të të njëtave statistika në Malin e Zi gjatë kësaj periudhe 5 vjeçare niveli I borxhit është rritur me 40% të PBB. Kjo rritje solli shqetësim edhe në BE. Në Maqedoninë e veriut nga 2015 deri në 2020 rritja e borxhit është me 20% të PBB së vendit, ndërsa në Serbi edhe pse ka rënie me 13% të PBB, rritja nga 2019 në 2020 ka qenë mbi 5% të PBB serbe. Sa për referencë sjellim në vëmendje borxhin grek, që siç dihet është vertëtë problematik: nga 177% e PBB në 2015 ka shkuar në 180% në 2019 për të kërcyer me 25% rritje në 2020 kur ka shkuar në 205% të PBB. Gjuha e shifrave është më e qetë se ajo e politikës, megjithatë problemet mbeten.

STOKU I BORXHIT TË JASHTËM, KRAHASIMI ME RAJONIN në miliard dollar

VITISHQIPËRIABOSNJË DHEHERCEGOVINAKOSOVAMALII ZIMAQEDONIAE VERIUTSERBIA
20138,647.013,780.02,220.87,196.66,736.835,636.9
20158,447.011,614.12,158.56,272.76,766.730,260.6
20189,875.813,253.92,325.78,027.08,666.432,560.2
202010,859.214,263.53,108.59,722.710,606.738,467.1
Burimi: Banka Botërore

Shqetësimet janë aty

Mes ekonomistëve ka një dakordësi globale, të marrësh borxh nuk është keq. Problemi është si e përdor atë. Një histori që u ka kushtuar sa e sa shteteve. As Shqipëria nuk ka pse ta shohë veten jashtë kësaj furtune. Qeveritë tona kanë shkaktuar jo pak shqetësime. Duke e lënë mënjanë korrupsionin, siç edhe e konfirmon KLSH, borxhi publik në vendin tonë përfshirë edhe shifrat zyrtare të 2020 është i nënvlerësuar. Në të rëndom nuk futen detyrimet e prapambetura. “Mosfinancimi i detyrimeve të prapambetura nënvlerëson stokun e borxhit të marrë për financimin e shpenzimeve të padeklaruara” thuhej në raportin e KLSH për zbatimin e buxhetit të vitit 2020. “Në fund të vitit 2020, stoku i borxhit arrin në 1,224,470 milion lekë me një rritje në rreth 111.8 miliard lekë ose rreth 7% më shumë në krahasim me vitin 2019 duke përfshirë efektin e rivlerësimit të stokut të borxhit nga kursi i këmbimit” vlerësonte KLSH. Në vitin 2021 borxhi është shtuar edhe me rreth 1 miliard euro të tjera. Qeveria me aktet e saj normative të njëpasnjëshme ka thyer vetë rregullat fiskale të përcaktuara në ligjet buxhetore. Është kther në “modë” që ligjet organike, i tillë është edhe ligji i buxhetit të shtetit të ndryshohen me akte normative, gjë që nuk duhet të ndodhë, edhe pse qeverisë i pëlqen të thotë se kjo ka ndodhur në “kushte emergjencash”, në një kohë që fushatat elektorale zhvillohen normalisht. Një kapitull më vete është debati se për çfarë janë përdorur borxhet e marra, pavarësisht se qeveria në këtë drejtim ka të drejtën sovrane për të zbatuar programet e saj. Në këtë drejtim, përsëri ekspertët bashkohen me faktin se në të gjithë periudhën pas viteve 90 e deri më sot, të gjitha qeveritë, kush më pak e kush më shumë, me paratë e marra borxh kanë financuar projekte, produktiviteti i të cilave ka qenë e diskutueshëm./abcnews.al/

Rruga Press

YouTube player