Opinion/Aktualitet

Kosova po pengohet tmerrshëm nga Edi Rama / Ai duhet të izolohet

Shkruan Idriz Morina

Tashmë është më se e qartë se Edi Rama, po e ndjek rrugën e gabuar.

Vetëm pak orë pasi kaluan nga deklarata e tij, se armatosja e Serbisë nga Kina nuk paraqet asnjë rrezik, si për ta zbuluar tradhtinë e tij, ndodhën sulmet e armatosura dhe të tjera për disa ditë rresht ndaj policisë së Kosovës në veri.

U desh reagimi ndërkombëtar që ta shtyjë një departament qeveritar të Shqipërisë, që të kërkojë kapjen e të dyshuarve, dhe madje vetëpërmbajtje në aksion.

Atëherë si duhet të zgjidhet situata?

Kosova po vazhdon të pengohet tmerrshëm nga Edi Rama, në mënyrën më të pabesueshme, njeriu që vite më parë premtonte edhe bashkim të shqiptarëve në një shtet nga Ulqini, duket se jo vetëm ka tradhtuar ato qëndrime, por se ato i ka thënë për të ndihmuar për të nisur zbatimin e projektit serb, për krijimin e ‘botës serbe’.

Për të ndërtuar apo motivuar palën serbe që të vinte në pah projektin ‘botën serbe’, i duhej asaj një ‘armik’ imagjinar, deklarativ, ‘bashkimi i shqiptarëve’ në një shtet!

Pra, Edi Rama në asnjë mënyrë nuk ishte në favor të idesë së bashkimit kombëtar, por të dy lojërave, të projektit që çonte apo mund të çonte në shuarjen e gjykatës speciale dhe në projektin për të ndihmuar Serbinë, në realizimin e aspiratave të saj, ndërsa një projekt i tillë, si bashkimi kombëtar duke humbur një pjesë të territorit, do të mund të mbulonte sipas tyre turpin e tradhtisë.

Për këtë grupim që synonte realizimin e qëllimeve të veta, i duhej një partner në lojë, dhe për këtë ia mësynë dyerve të Serbisë dhe Rusisë, që të marrin bekimin e tyre për ndarjen e Kosovës, me të cilën do të kënaqej Serbia, pasi e ka humbur të tërën, shkulja e një pjese, ishte e mirëseardhur për të.

Lexo më shumë  Qeveria e re e Serbisë, komenton Biserko: Po shkon drejt izolimit

Për të marrë bekimin rus, edhe përkrahjen e tyre, Hashim Thaçi në detyrën e presidentit të vendit, e takoi personalisht diktatorin Putin, duke marrë premtimin nga goja e tij, se nëse ai dhe Vuçiqi pajtoheshin ata do ta pranonin çfarëdo marrëveshje.

Po të njëjtën gjë, por në një nivel më të ulët e bëri Edi Rama, duke e takuar së paku dy herë ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrovin, dorën e djathtë të Putinit.

Por, zhvillimet në Ukrainë, realisht zbuluan jo veç mungesën e koherencës politike dhe demokratike të vetë sistemit, në shumë shtete të Perëndimit, por edhe ndërlidhshmërinë e saj me shtetet më të vogla. Mbështetja e madhe për Serbinë, rezulton që nuk ishte thjesht perëndimore, por edhe e relacioneve që kishin deputet, politikanë e zyrtarë të shteteve perëndimore me Rusinë, për të luajtur rol përjashtues ndaj Kosovës.

Ngujimi i Ramës në këtë aspekt, në raportet Serbi-Rusi, është një gurë prove se ai i takon atij grupimi, dhe se pozicioni tij është shkatërrues për projektet shqiptare. Humbja e besimit të tij tek shqiptarët është proces i pashmangshëm.

Roli mashtrues

Një karikaturë prej letre e patriotizmit të tij, është shëmbëllimi i asaj që ndërtoi vetë me mbështetësit e tij, për të mashtruar opinionin në Kosovë nëpërmjet retorikës patriotike, dhe në prapavijë duke mbështetur hapur projektet kyçe serbe në raport me shqiptarët, jo vetëm me Kosovën.

Dëshmi e kësaj ishte mbështetja e të gjitha projekteve të Serbisë, si e minishengenit ballkanik të transformuar më pas në “Ballkanin e hapur”, pas një reagimi të ashpër atë kohë nga institucionet e Kosovës, dhe opozita.

Lexo më shumë  Ahmeti: Ka sinjale që masat sanksionues ndaj Kosovës mund të largohen

Dyshimet se ky ishte një projekt i Serbisë, e konfirmoi me refuzimin kategorik që ia bëri këtij projekti kancelari gjerman Olaf Shulc, duke ia bërë të qartë Ramës në Berlin, se ai do ta ringjallë procesin e Berlinit, i cili e bën të detyrueshme arritjen e një marrëveshje të Serbisë me Kosovën, e cila përfshin njohjen e saj. Pra, “Ballkani i hapur” ishte thjesht një proces për ta zvarritur dhe penguar procesin detyrues, që Serbia të shkonte drejt njohjes së Kosovës.

Por, tashmë me dështimin e projektit rus, të Putinit, jemi afër të shohim dështimin e projekteve serbe, dhe që Serbia pa shmangshëm të shkojë drejt një faze, të ndjekjes së modelit rus, dezintegrimit!

Edi Rama duke e marrë në mbrojtje Serbinë, po i bën edhe një favor jo të vogël Rusisë, duke bërë të pamundurën që t’ia ruajë një aleat të vogël Putinit në Ballkan.

Këtë e bëri në disa raste, përfshirë atë më skandalozin të blerjes së raketave nga Kina, ndërsa për sulmet në veri, heshti, duke mos e dënuar aktet dhe duke mos kërkuar përmbajtje nga Serbia!

Por, si mund ta bënte këtë, një rob i Vuçiqit!

Edi Rama përfundimisht duhet të izolohet dhe të ndiqet nga drejtësia për krimet e shumëfishta të tij.

Por, para se të ndodhë kjo, duhet që inteligjenca shqiptare, mediat, atdhetarët t’ia heqin çdo atribut patriotizmi që mund t’i jetë mveshur apo mund t’ia ketë vënë vetvetes, përfshirë edhe zhvlerësimin e qeverisjes së tij. /botasot.info/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *