Kompanisë iu hoq licenca pas dhunës së qytetarit në Zvërnec/ “Myrto Security”, shpërblehet nga qeveria me tenderin 2 mln euro të OSSH (Dokumenti)
Pavarësisht se në qershor të këtij viti iu hoq licenca për shkelje të konstatuara gjatë përplasjes me protestuesit në Zvërnec, kompania private e sigurisë “Myrto Security” rezulton të jetë pjesë e një bashkimi operatorësh që ka fituar një tender publik me vlerë afro 2 milionë euro. Bëhet fjalë për një procedurë të zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan. Pak ditë më parë, institucioni njoftoi lidhjen e kontratës me bashkimin e kompanive “Juer Security” dhe “Myrto Security”, për ruajtjen fizike të ndërtesave, aseteve, personelit dhe pronave të OSSH-së dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal në këtë qytet.
Procedura ishte shpallur në gusht 2026, me një fond limit prej 184.735.036 lekësh të reja, ose rreth 1.99 milionë euro. Një nga kushtet kryesore për pjesëmarrjen në garë ishte pajisja e operatorëve me licencën e tipit 1.3 A, dokumenti që u jep kompanive private të sigurisë të drejtën për të ofruar shërbime të ruajtjes fizike të objekteve, institucioneve dhe individëve.
Rasti ngre pikëpyetje për pjesëmarrjen e “Myrto Security” në këtë procedurë, pasi vetëm pak muaj më parë Policia e Shtetit kishte vendosur t’i hiqte kompanisë licencën, pas ngjarjeve të rënda të regjistruara në Zvërnec. Megjithatë, kompania ka arritur të sigurojë në gjykatë një masë sigurimi padie lidhur me heqjen e licencës dhe, sipas të dhënave të tenderit, ka vijuar të marrë pjesë në procedurat publike.

Çfarë ndodhi në Zvërnec?
Më 30 maj 2026, një grup qytetarësh nga Vlora protestuan kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit, ku përfshihet edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Protestuesit kundërshtonin kufizimin e aksesit në bregdet dhe ngrinin pretendime lidhur me pronësinë e tokës ku parashikohej ndërtimi i resortit. Në zonën e rrethuar me tela, përballë qytetarëve ishin vendosur punonjësit e kompanive private të sigurisë “Major Security” dhe “Myrto Security”, të kontraktuara nga sipërmarrësi i projektit. Përplasja mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë arriti kulmin kur qytetari Eduard Subashi u tërhoq me forcë dhe u zvarrit për më shumë se 100 metra. Ngjarja shkaktoi reagime të forta dhe u bë një nga episodet që nxitën protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”.
Një ditë pas ngjarjes, më 1 qershor 2026, Policia e Shtetit njoftoi heqjen e licencave për të dyja kompanitë, pas përfundimit të hetimeve administrative. Sipas policisë, “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për kontrollin e hyrje-daljeve. Në njoftimin zyrtar thuhej se kompania nuk administronte listat e personave dhe automjeteve që lejoheshin të hynin në zonën e rrethuar. Policia evidentoi gjithashtu se, për shkak të këtyre mangësive, më 30 maj në objekt kishin hyrë persona të paidentifikuar nga personeli i sigurisë. Sipas versionit zyrtar, këta persona kishin ndërhyrë gjatë protestës, kishin goditur dhe tërhequr me forcë një qytetar, duke i shkaktuar dëmtime trupore, si dhe kishin hedhur gurë e sende të tjera në drejtim të protestuesve. Punonjësit e kompanisë, sipas policisë, nuk kishin ndërmarrë veprime për parandalimin e dhunës apo largimin e personave të përfshirë.
Në përfundim të verifikimeve administrative, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit firmosi më 1 qershor vendimin për heqjen e licencës 1.3 A për “Myrto Security”, si dhe të licencës për kompaninë tjetër, “Major Security”. Megjithatë, dy muaj më vonë, “Myrto Security” u përfshi në garën për tenderin e OSSH-së në Elbasan dhe tashmë rezulton pjesë e bashkimit të shpallur fitues. Kompania ka kundërshtuar në rrugë gjyqësore vendimin për heqjen e licencës dhe ka siguruar masë sigurimi padie, ndërsa mbetet për t’u sqaruar se si është plotësuar kriteri i licencës në procedurën publike me vlerë afro 2 milionë euro.
Rruga Press

