KryesoreLajme

Komisioni Evropian paralajmëron Ramën: Pishë Poro–Narta, testi i parë i Shqipërisë për kapitullin 27

Një muaj pas hyrjes së makinerive në brendësi të zonës së mbrojtur Pishë Poro–Nartë, Komisioni Evropian ka reaguar për herë të parë, duke e cilësuar rastin si një provë të kapacitetit të Shqipërisë për të ruajtur zonat natyrore në kuadër të integrimit.

“Komisioni Evropian po ndjek nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka kërkuar informacion shtesë nga autoritetet shqiptare dhe është në kontakt me organizatat e shoqërisë civile”, thekson KE.

Ky qëndrim vjen në një moment kur kapitulli 27 për mjedisin dhe klimën është një nga kushtet më të ndjeshme të negociatave të Shqipërisë me BE. Komisioni rikujton se vendi duhet të përafrohet plotësisht me legjislacionin e BE-së, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitate, si dhe të shfuqizojë dispozitat e papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura.

“Për të mbyllur kapitullin 27, Shqipëria duhet të demonstrojë kapacitetin për të menaxhuar zonat e ardhshme Natura 2000, përfshirë masat e ruajtjes që parandalojnë degradimin e habitateve dhe specieve”, përfundon reagimi i Komisionit Evropian. 

Protesta përpara Ministrisë së Mjedisit

Lexo më shumë  ​Kongresistët amerikanë pas Preshevës, vijnë në Kosovë, Prattipati i pret në Bondsteel

Në Tiranë, përpara Ministrisë së Mjedisit, u mbajt protesta e radhës. Qindra qytetarë, aktivistë dhe organizata mjedisore u mblodhën me thirrjen: “Ndaloni punimet!”

Protestuesit kërkuan ndërhyrjen e ministrit të mjedisit Sofjan Jaupaj, ndalimin e punimeve dhe transparencë për projektin e resortit turistik që do të ngrihet në brendësi të zonës.

“Prej një muaji tashmë makineritë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme, duke hequr zona pyjore, duke shkatërruar dunat, madje duke bllokuar edhe lidhjen e detit me lagunën. Të gjitha këto po bëhen pa asnjë monitorim nga institucionet. Thirrja është e qartë: ndaloni punimet. Të ikin sa më shpejt makineritë nga brendësia e zonës së mbrojtur”, u shpreh Joni Vorpsi nga nga Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA.

“Nuk ka më ligj që po funksionon në atë territor. Mbi 6–7 km bregdet i janë hequr aksesit të publikut. Nuk ka zhvillim në një vend kandidat për BE që i mohon qytetarëve të vet të drejtën për të aksesuar 600 ha tokë natyrore. Ky nuk është zhvillim, ky është një model që pasuron një grusht njerëzish dhe u heq pasurinë kombëtare të gjithëve të tjerëve” tha Aleksandër Trajçe, drejtues i PPNEA-s.

Lexo më shumë  Ministrja Bogujevci mirëpret ekipin e filmit “Dua” pas suksesit në Festivalin e Filmit në Kanë

Mjedisorët thonë se protestat do të vijojnë, teksa theksuan se do të ndjekin të gjithë hapat e nevojshëm për të ndaluar punimet në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës.

Një muaj më parë, ambientalistët denoncuan ndërhyrjet e para të makinerive në brendësi të zonës së mbrojtur Pishë Poro–Nartë.  Autoritetet u përgjigjën se po kryhen “studime gjeologjike”, por pamjet nga terreni tregojnë një realitet krejt tjetër. Ekskavatorë që gërryejnë dunat, pyje të prerë dhe habitatet e shkatërruara. / Faktoje.al

YouTube player