Kongresistët amerikanë pas Preshevës, vijnë në Kosovë, Prattipati i pret në Bondsteel
Delegacioni dypartiak i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përbërë nga kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam, pas vizitës në Luginën e Preshevës, ka mbërritur pasditen e sotme në Kosovë, ku ka vazhduar agjendën e takimeve zyrtare me fokus sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, delegacioni amerikan është pritur nga e ngarkuara me punë në ambasadë, Anu Prattipati, në kampin ushtarak Camp Bondsteel.
Në këtë vizitë, delegacioni amerikan ka kaluar pasditen në Camp Bondsteel, ku është takuar me pjesëtarë të ushtrisë amerikane të dislokuar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, përfshirë pjesëtarët e Komandës Rajonale-Lindje dhe Grupit Mbështetës për Ballkanin.
Vizita e kongresistëve amerikanë në Kosovë vjen menjëherë pas qëndrimit të tyre në Luginën e Preshevës, ku ata zhvilluan takime me përfaqësues politikë shqiptarë dhe u njohën nga afër me sfidat që komuniteti shqiptar po përballet në Serbi, përfshirë çështjet e integrimit institucional, të drejtave të pakicave dhe zhvillimit ekonomik.
Prania e delegacionit në Camp Bondsteel dhe takimet me trupat amerikane të KFOR-it nënvizojnë edhe një herë angazhimin e Shteteve të Bashkuara në misionet paqeruajtëse dhe në garantimin e sigurisë në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s.
Rruga Press

