KryesoreOpinion/Aktualitet

Kërcënimet e Arben Gashit shenjë e një LDK-je drejt fundit. Rithemelim apo vetëm fund i palavdishëm?

Ditëve të fundit në Kosovë është diskutuar në masë rreth një liste me emra të deputetëve, ku krahas emrit përkatës gjendet edhe shuma e parave me të cilat është kompensuar nafta e harxhuar për të shkuar në seanca parlamentare apo nëpër komisione. Lista nuk ishte e plotë, por e mjaftueshme për ta ngritur si çështje nëse ky kompensim është drejtë apo nëse kemi të bëjmë edhe me raste ku deputetë të caktuar mund të kenë gënyer në lidhje me këto konsumime në derivate, çka do të ishte vjedhje e drejtpërdrejtë.

Nga ana tjetër, shefi i stafit të Kuvendit të Kosovës, Ilir Kërçeli ushpreh se “këto shpenzime të krijuara për deputetët e Republikës së Kosovës, nuk janë të paraqitura saktë dhe me korrektësi. Në listat e publikuara në publik disa deputetë u paraqiten si kampion të shpenzimeve të derivateve, pa u trajtuar kjo dukuri që nga fillimi i saj prej vitit 2011, por thjesht duke piketuar vetëm disa muaj nga 10 vitet e kaluara. Pra vetëm muajt nëntor dhjetor të vitit 2021. Kur një temë apo dukuri ka interes të trajtohet, le të trajtohet e gjitha nga fillimi e deri sot.”

Ai theksoi edhe se “ka deputetë të cilët kanë shpenzuar mbi 25,000 euro për derivate, pa dashur paragjykuar se a jetojnë në Prishtinë apo jo, më mirë e dijnë qytetarët. Dhe kane hequr dorë nga këto beneficione tek këto ditë kur është bërë kjo temë”.

Këto deklarata të z. Kërçeli nuk i kishin pëlqyer aspak shefit të grupit parlamentarë të LDK-së, Arben Gashi, deri në atë pikë sa mënyra se si ai iu drejtuar z. Kërçeli u bë shkas që dje të dështonte mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Sipas raportimeve që erdhën më vonë z. Arben Gashi i është drejtuar shefit të stafit të Kuvendit me gjuhën më harbute që mund të jetë dëgjuar në ato ambiente, ndoshta për një dekadë.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

Kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca u shpreh ka pasur edhe tentim për sulm fizik në drejtim të z. Kërçeli. Ndërsa vetë deputeti Arben Gashi, në një konferencë për media është shprehur se nuk e ka prekur me dorë Kërçelin.

Sipas raportimeve shefi i grupit parlamentar të LDK-së ka përdorur gjuhë kërcënuese, ka tentuar sulm fizik, si dhe ka ofenduar në mënyrë ordinere z. Kërçeli deri në fjalorin më të pistë duke përfshirë në fyerje edhe familjen e shefit të stafit të Kuvendit.

Ne nuk mund të themi me siguri se pse ka ndodhur ky reagim i dënueshëm e z. Gashi, por ndoshta ky i fundit e ka ndjerë veten të përmendur kur z. Kërçeli foli për deputetë që kanë bërë shpërdorime me buxhetin publik, pavarësisht se ky i fundit në asnjë rrethanë nuk e kishte përmendur emrin e z. Gashi.

Shumë “sulme juridike” kanë ndodhur në Kosovë, që e kanë cënuar në rrënjë shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovë, por ne kurrë nuk e kemi parë z. Gashi të reagojë kaq agresivisht në mbrojtje të Kosovës. Pak ditë më parë pamë se kryetari i partisë LDK të vetëshpallur pacifiste, z. Lumir Abdixhiku, t’i dilte në mbrojtje kryetarit të partisë pa elektorat, PSD, Dardan Molliqajt, i cili kishte gjuajtur me shuplakë efektivin policor pa asnjë shkas të mirëfilltë.

Kryetari i partisë paqësore dhe kryetari i saj kanë ndërruar kurs. Kur cënohej Kosova dhe mbrojtja e saj kërkonte ndonjëherë edhe akte politike të jashtëzakonshme, LDK-ja, pjesëmarrëse aktive në dëmet thuajse të pariparueshme në Kosovë luante kartën e pacifizmit dhe dënonte dhunën.

Tani që Kosova është në një tjetër rrethanë, tani që ditët e Kosovës si pjatë në tavolinë që duhet ndarë sipas orekseve të disave nga brenda dhe jashtë kanë kohë që kanë marrë fund, LDK-ja po bëhet nga pacifiste, në parti halabakësh, apo që u del në krah halabakëve agresivë që fyejnë dhe i cënojnë fizikisht personat në detyrë zyrtare.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Kur Kosova po çohej drejt shkatërrimit, LDK-ja besonte në paqe, Tani që Kosova ka marrë karakter të padiskutueshëm prej shteti serioz, LDK-ja po shpall gjendjen e saj të jashtëzakonshme.

Kthimi i Kosovës në normalitet politik i nxjerr në gjendje urgjence parti si LDK-ja dhe deputetë si Arben Gashi, sepse ky soj i deputetit, ashtu si kryetari i LDK-së dhe ashtu si kjo parti vetë, ngritjen e tyre e kanë pasur gjithnjë në proporcion të zhdrejtë me ngritjen e Kosovës. Sa më poshtë binte Kosova, aq më shumë faktorizohej LDK-ja, si “paterica” që mundëson ecjen e krimit.

Arben Gashi, Lumir Abdixhiku dhe gjithë LDK-ja kanë arsye për t’u bërë agresivë. Një Kosovë e shëndetshme e bën të panevojshme “patericën” LDK.

LDK-së i ngelen dy mundësi: Ose të punojë sa më fort që Kosova të kthehet te krimi, gjë që do e rikthente LDK-në në funksionin e saj të mëparshëm, do i rikthente në kohën kur LDK ishte e dobishme për shkatërrimin e Kosovës, ose LDK-ja duhet të marrë një vendim historik: të kuptojë se Kosova i ka hyrë një procesi të pakthyeshëm ku luftohet krimi, korrupsioni, punohet për ngritjen ekonomike, politike dhe nuk vihet në diskutim sovraniteti dhe të kuptojë se edhe vetë kjo parti duhet t’i hyjë të njëjtit proces realisht, nëse dëshiron të mbijetojë dhe të jetë e dobishme, jo për mbajtjen e Kosovës së sëmurë, por për vendosjen e një proporcioni të drejtë ku partia ngrihet një herë, sepse republika u ngrit dhjetë herë.

Nuk mjafton largimi i disa emrave për regjenerim të një partie, nëse me ikjen e tyre nuk ka ikur mendësia që e ka çuar në zgrip atë subjekt.

Sharjet dhe kërcënimet janë vetëm demonstrimi i këtij fundi të LDK-së. Koha do tregojë nëse ky fund do shoqërohet me rithemelim apo do të jetë vetëm fund, i turpshëm dhe pa lavdi.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *